Vetë e kemi fajin. E dijnë që as dojmë as mujmë ma mirë, dhe tash na grahin qysh t’u teket.
Sot kryeministri kosovar Ramush Haradinaj dha dorëheqje se Specialja e paska thirrë në Hagë si të dyshuem, ani pse ai asht gjyku dy herë për krime lufte. Ky lajm e eklipsoi kobin tjetër: nji i rritun e ka dhunu disa herë dhe në fund e ka mbytë me gur fëmijën rom, ndërsa autoritetet kanë mujtë por nuk e kanë mbrojtë.
Ndonëse tash mërziten pse sherri i Hagës, shum dardanë e kanë kërku moti largimin e Rambos. Kurse tragjedinë e fëmijës nuk e kanë pasë ndërmend fare.
Të dy rastet kanë të njejtin thelb: dështimin tonë me pru drejtësi në kët vend.
Regjimi te na mburret me privilegjet që u ka dhanë komuniteteve në letër e praktikë. Sepse sundimtari komunitet e qun partnerin e regjimit — deputetët e filan-listës, filan-zyrtarin që merret me grante, dhe ndonji tjetër që e ban me u dokë mirë para të huejve. Nganjiherë prej duerve të këtyne pik diçka mirë për njerëzit poshtë. Por nuk rrjedh drejtësi.
Regjimi, e kurrgja mangut shoqnia, e kemi lanë krejt në harresë qytetarin, veçmas të pambrojtunin.
Për dy dekada, nuk kemi ndërtu nji shtet të së drejtës, që zbaton ligjin, ndëshkon krimin, dhe përkrah të vyemit e nevojtarët. Nuk kemi kriju as shoqni të drejtë, që e nxit virtytin dhe dënon mbrapshtitë.
Nuk asht moti që e përplasëm dhe e shkelmumë gruen rome, dy herë mbrenda nji jave. Edhe atëherë shkrova për fajin tonë:
Qëkjo ligësi jona, shpirtnore e trupore, na ka pru qëtu ku jemi. E tani u nënshtrohemi atyne që janë ma të ligë shpirtnisht, por që kanë kaçik.
Bashkësia ndërkombëtare e ka pa se na s’guxojmë ose s’dojmë me e zbatu ligjin. Prandej na e ka detyru nji institucion të posaçëm, Gjykatën Speciale, për me i gjyku krimet e dyshueme kundër të drejtës ndërkombëtare.
Kështu, për ngathtësinë tonë të mbasluftës, na e bajmë botën me dyshu në luftën tonë të drejtë, sado që e përsërisim dhe na e rikujtojnë se nuk po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por individët për shkeljet e tyne.
Në mos u gjykoftë UÇK-ja, damkohen shteti e shoqnia që në vend se me i kry punët vetë në Prishtinë, ua ngarkojnë këto të huejve në Hagë. E pushteti i Hagës nuk mbërrin aq larg sa me u ndihmu edhe shokëve të 9-vjeçarit të vramë. Këta janë nën tutelën vendase.
Specialja merret me krime lufte e krime kundër njerëzimit. Këto janë vepra të randa, dhe nuk ka pshtim për ata që i kryjnë. Deri tash Specialja nuk ka gjetë asnji fajtor. Ajo ka tagër të punojë simbas kushtetutës sonë, n’emën të shtetit tonë, dhe simbas ligjeve që na vetë i kemi pranu. Por na nuk e kemi në dorë punën e saj.
[ Lexo për themelimin e Speciales dhe rolin ndihmës t’Eulexit ]
Bashkësia ndërkombëtare e din këte. Prandej i ban llogaritë e veta.
Unë besoj në shejtëninë e profesionit. Mendoj se Evropa e Amerika kanë jurista të zotë që punojnë me nder. Shpresoj se të tillë janë dhe prokurorët e gjyqtarët e Speciales.
Por e thom edhe ate që shihet: Njeriu ma i përfolun në dokumente e shkrime rreth Speciales nuk ka qenë kryeministri Haradinaj. Rusia e Sërbia po dojnë me e copëtu Dardaninë. Ramushi, ndonëse i korruptuem deri në fyt e i kacafytun me çdo kundërshtar të hajnisë, asht kundër copëtimit. Nuk ka pranu as me heqë taksën 100 përqind ndaj prodhimeve sërbe. Kundërshtarët e tij mbrenda koalicionit përmenden me vite si të dyshuem të mundshëm. Por ata pranojnë copëtimin dhe heqjen e taksës, dhe njiherë kurrkush nuk po i thirr në Hagë.
Qëkjohja po na ndodh se na s’po dojmë ma mirë, edhe pse mujmë.
Ramushi e përsëriti dorëheqjen e 2005-s që, siç tha, në gjyq me dalë si Ramush, jo si Kosovë. Koha ka me folë!
Foto: Një baner në sheshin e Prishtinës përkrah Ramush Haradinajn gjatë gjykimit në Hagë më 2010 (Quinn Dombrowski, në Flickr, me licensë CC BY-SA 2.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6124