Kanuni i Lekë Dukagjinit është korpusi më i njohur i ligjeve dokesore shqiptare. Ndonëse rrënjët i ka më të vjetra, ky kanun merr emrin e prijësit arbëror në zotërimet e të cilit u zbatu.
Mendohet se Lekë Dukagjini gjat sundimit të tij vendoi shum ligje të reja, por mund t’i ketë tubu dhe në një kod. Ligjet e tij mbetën në fuqi edhe pasi osmanët pushtuan Shqipërinë, ndërkohë që viset malore ruajtën të drejtën e vetëqeverisjes megjithë shkatrrimin e shtetit shqiptar. Ligjet vendore u quajtën me kohë Kanun, që ishte emri osman për ligjin. Kjo fjalë, që turqit e kishin huazu prej arabishtes, rrjedh përfundimisht nga greqishtja e lashtë, kanon, dhe domethënë matje.
Gjergj Fishta ka cekë, megjithatë, edhe një mendim tjetër që lidh emrin e korpusit me dy rajone dikur të quajtura Lekë dhe Dukagjin:
Per ket punë thonë nji palë, se Kanuni quhet i Lekë Dukagjinit, jo pse ká kênë kodifikue prej Lekë Dukagjinit, por pse ká kên zbatue nder «Lekë» e «Dukagjin»; pra: «Kanuni Lekë-Dukagjin», e jo i «Lekë Dukagjinit». Kto çashtje tash i zhvillon me kohë historija.”
Gj. Fishta, “Parathâne,” Kanuni i Lekë Dukagjinit (simbas Gjeçovit) (Shkoder, 1933).
Përkundër namit që i jepet prijësit të Dukagjinit, vepër të shkruar nga bashkëkohësi i Skenderbeut nuk kemi. Kanunin e Lekë Dukagjinit e mblodhi dhe kodifikoi Át Shtjefën Gjeçovi, gjat ndërrimit të shekujve XIX e XX. Pjesë të Kanunit u botu fillimisht në revista të përkohshme qysh prej viteve 1890, kurse libri i veçantë doli më 1933 në Shkodër, disa vjet pas vrasjes së Gjeçovit.
Kodi i Dukagjinit quhet edhe si Kanuni i Maleve, ndonëse me këtë emër njihet edhe një kanun tjetër, shum i afërt me atë të Dukagjinit. Të tjera kanune të njohura përfshijnë Kanunin e Skenderbeut (ose të Arbërisë) dhe Kanunin e Labërisë (ose Papa Zhulit).
Shkarko: Kanuni i Lekë Dukagjinit (simbas Gjeçovit) [faksimile në PDF]
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1NEGHoc