Të gjitha kushtetutat e Kosovës

Nën Perandorinë Osmane në shekullin XIX dhe deri më 1912 Kosova kishte statusin e vilajetit, me pak ndryshime nga territori i sotëm. Shteti osman miratoi një kushtetutë të shkruar më 1876, por e pezulloi shpejt për ta rikthyer tek më 1908.

Më 1912 shpërbëhet Perandoria Osmane ndërsa shqiptarët dështojnë të formojnë shtetin etnik me Kosovën, pjesë e tij. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, 42 delegatë, përfshirë përfaqësues të Kosovës, në krye me Ismail Qemalin «venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme» me një qeveri të përkohshme. Konferenca e Ambasadorëve në Londër, që nisi më 17 dhjetor 1912, e njohu Shqipërinë për shtet, me princ të huaj në krye të saj.

Më 1918, Kosova shkrihet në Mbretërinë e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve, që ndërkohë u riemërua Jugosllavi. Ajo nuk gëzoi autonomi, dhe u nda në disa rrethe të parapara me kushtetutën e vitit 1921, që ngeli në fuqi deri më 1929, kur mbreti Aleksandër I përqendroi gjithë pushtetin në duart e veta.

Sipas kushtetutës jugosllave të 1931-ës, Kosova u nda në tri banovina, të Moravës, Zetës dhe të Vardarit. Kjo kushtetutë u pezullua më 1941, me pushtimin italian dhe gjerman, me ç’rast një pjesë e Kosovës iu bashkua Shqipërisë, nën kushtetutën e caktuar nga mbreti Viktor Emanuel III më 1939. Më 1943, Shqipëria riktheu nominalisht kushtetutën e mbretit Zog, të vitit 1928.

Është interesante se Kosova pati status të padefinuar deri më 1945, kur u shua kryengritja e armatosur shqiptare dhe Tito futi administrim ushtarak.

Një tubim i një trupi jo të zgjedhur u mblodh në korrik të vitit 1945 në Prizren dhe vendosi që Kosova t’i bashkohet Serbisë federale, që paraqet një akt aneksimi. Nga 142 anëtarët e këtij trupi, vetëm 33 qenë shqiptarë. Rezoluta u miratua me aklamacion dhe pa asnjë fjalim mbi këtë temë.

Autonomia e Kosovës është rezultat i evoluimit disa dekadash.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova me Kushtetutën e parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, u definua si njësi autonome territoriale-administrative brenda Serbisë e quajtur «Qarku Autonom i Kosovës dhe Metohisë (QAKM)». Kosova nuk kishte as statusin e krahinës, të cilën e kishte Vojvodina. Ky qe bashkim i dhunshëm i Kosovës me Serbinë. Kosova fitoi një lloj kushtetute më 1946, ndërsa shumica shqiptare fitoi statusin zyrtar të pakicës. Vitet e ’50 dhe ’60 shënuan rritjen e terrorit shtetëror mbi shqiptarët, duke prodhuar valë të mëdha shkombëtarizimesh e emigrimesh në Turqi.

Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë, ndërkaq Kosova shpallet Krahinë Autonome. Në po këtë vit aprovohet Statuti i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, si pjesë e ndryshimeve kushtetuese në kuadër të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky Statut përkufizonte Kosovën si bashkësi shoqërore e politike në kuadër të Republikës së Serbisë, e themeluar si njësi autonome në vitin 1945 me Vendimin e Kuvendit të Serbisë. Kosova nuk kishte status kushtetues në nivel federativ.

Sipas Statutit, Kuvendi krahinor ishte organ më i lartë politik përfaqësues, ndërsa Këshilli ekzekutiv krahinor ishte organ politik ekzekutiv Kuvendit. U formua në Prishtinë dega e Gjyqit të Lartë të Serbisë. Përveç që shqiptarët dhe turqit ishin të barabartë në të drejtat e tyre, ky Statut parashihte që në shkollat e larta dhe fakultetet në territorin e Kosovës, mund të organizohet mësimi edhe në gjuhën shqipe, respektivisht turqishte.

Pozita e këtillë e pavolitshme politike e Kosovës filloi të ndryshojë në të mirë të pasurimit të autonomisë pas vendimeve të Plenumit të Partisë komuniste mbajtur në ishujt e Brioneve në Kroaci. Përjashtohet nga establishmenti shtetëror Ministri i Punëve të Brendshme, serbi Aleksandër Rankoviq.

Në vitin 1968, u mbajtën bisedime për të ndryshuar kushtetutën jugosllave e serbe të vitit 1963, dhe nga fundi i këtij viti rezultuan me amendamente të rëndësishme.

Amendamenti VII thoshte se krahinat autonome u takojnë edhe Serbisë edhe Federatës së Jugosllavisë. Me amendamentet kushtetuese u hoq fjala Metohi.

Ligji Kushtetues për Kosovën i miratuar në shkurt 1969 nisi rrugën që Kosova të ketë një kushtetutë të saj. Këto ndryshime erdhën si rezultat I demonstrative popullore të vitit 1968, të cilat sollën në përmirësimin e statusit të shqiptarëve. Në vitin 1969 gjuha shqipe u sanksionua me ligj gjuhë e dytë zyrtare, krahas gjuhës serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar; ndërsa në nëntor 1969 Kuvendi i Kosovës shpalli ligjin për themelimin e Universitetit të Kosovës, i cili do të jetësohet më 15 shkurt 1970.

Kushtetuta jugosllave e vitit 1974 e ngriti Kosovën në element të federatës, duke krijuar kështu jo vetëm një lidhje të drejtpërdrejtë me bashkësinë jugosllave, por duke e ngritur Kosovën në një entitet të fortë juridik. Kosova fitoi kompetenca për të ushtruar çdo funksion të republikës, përveç atyre të cilat qenë detyrë e republikës së Serbisë vetë.

Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës e 27 shkurtit 1974 në nenin 1 të saj, e definonte Kosovën si bashkësi shoqërore politike, por me lidhje hibride politiko-juridike, kur thotë se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në klimë më të volitshme politike, u arrit të shtrihet pjesëmarrja e shqiptarëve në organet e administratës e të pushtetit ekzekutiv, u formua Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria dhe Avokati Shoqëror (ombudspersoni i asaj kohe).

Më 23 mars 1989, ndryshohet Kushtetuta e Kosovës e vitit 1974, në kundërshtim dhe duke i shkelur parimet e Kushtetutës jugosllave të vitit 1974. Një Kuvend, me «votimin» e shumë pjesëtarë të shërbimeve shtetërore sekrete dhe në kundërshtim me debatin e qytetarëve dhe vullnetin e tyre, e shpalli Kosovën pjesë të Serbisë. U suprimua autonomia.

Pasuan demonstratat dhe protestat civile, të cilat nuk e ndaluan establish­mentin politik të Serbisë në krye me Sllobodan Milosheviqin që më 28 mars të miratojë kushtetutën e saj të re aneksioniste dhe të pretendojë se Serbia sërish u bë një dhe e pandarë.

Në kulmin e bisedimeve për riaranzhimin e Federatës jugosllave, më 2 korrik 1990, pjesa dërmuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës, shqiptarë, turq dhe të përkatësive tjera e shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Sipas kësaj deklarate, Kosova e shpallte veten të pavarur nga Serbia.

Duke u mbështetur në Deklaratën e Pavarësisë së 2 korrikut 1990, Kuvendi i Republikës së Kosovës nxori Kushtetutën e re, më 7 shtator 1990. Në nenin 1 të saj, përkufizohej se «Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vet: serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë».

Meqenëse ende zhvilloheshin bisedime ndërmjet kryetarëve të republikave jugosllave dhe qenë hedhur në diskutim propozimet për federatë asimetrike jugosllave, ose konfederatë, kjo Kushtetutë e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, për shkak se qe miratuar në këtë qytezë nga delegatët e Kuvendit në kushte të rënda okupimi, në nenin, thoshte se «Republika e Kosovës si shtet është anëtare e Bashkësisë së Jugosllavisë».

Kjo kushtetutë, e shtetit të Kosovës, të njohur në botë si sistem paralel me sistemin e instaluar të Serbisë në Kosovë, thoshte se sovraniteti në Republikën e Kosovës buron nga populli dhe i takon popullit. Vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror. Gjithashtu edhe sovraniteti i popullit realizohet përmes përfaqësuesve të zgjedhur në organet e pushtetit shtetëror dhe me referendum.

Më 15 maj 2001, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, shpalli se e ka nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovës, me anë të nënshkrimit të Rregullores nr. 2001/9. Kjo kornizë kushtetuese ishte rezultat i kompetencave që i janë dhënë shefit të UNMIK-ut me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 10 qershorit 1999.

Korniza e përkufizon[te] Kosovën një entitet nën administratën e përkohshme ndërkombëtare, që, me popullin e vet, ka atribute unike historike, juridike, kulturore dhe gjuhësore dhe një territor të pandashëm ku ushtrojnë përgjegjësitë e tyre institucionet e përkohshme vetëqeverisëse.

Më 2006, Kombet e Bashkuara caktuan ish-kryetarin finlandez, Martti Ahtisaari, për të ndërmjetësuar në negociata për zgjidhjen e statusin përfundimtar të Kosovës që parashihej me Rezolutën 1244. Në prill 2007, Kuvendi, si organi ligjvënës i institucioneve të vetëqeverisjes, pranoi një plan të paraqitur nga kryetari Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës. Plani përmbante edhe provizione kryesore për kushtetutën e vendit.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur sipas Planit të Ahtisaarit. Në prill u miratua Kushtetuta e re, e cila hyri në fuqi më 15 qershor. Deri më 2016, kjo kushtetutë është ndryshuar 25 herë.

Autori, jurist dhe ish-gazetar, është zëvendës-ambasador i Republikës së Kosovës në Pragë, Çeki. Ky shkrim u botua në shtypin ditor të vendit në fillim të viteve 2000. U postua këtu me plotësime.

Nga Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, tani diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2001).