Kompromisi për njohje

Dardania dhe vendet fqinje (hartë politike)


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Serbia duhet ta njohë Kosovën. Por njohja nuk është shërbim që Kosova duhet ta paguajë me një copë të vetes. Ka një mënyrë tjetër me zgjidhë këtë çështje.

(Vështrim i botuar në Koha.net, 16.3.2021)

Urimet nga Shtëpia e Bardhë paralajmëruan epilogun e bisedimeve Kosovë–Serbi: ndreqje e marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë. Nga Evropa bënë thirrje për kompromis. Skeptikët e përkthyen këtë si shitblerje, duke pyetë çka do t’i japë Kosova Serbisë në këmbim të njohjes. Qeveria jonë e re duhet të punojë me parime, jo pazare, për zgjidhje të qëndrueshme.

Dialogu na qet tri detyra parësore. Së pari, duhet të tregojmë ç’domethënë njohja që kërkojmë. Së dyti, duhet të refuzojmë çdo ujdi që zbeh njohjen që kërkojmë. Dhe së treti, duhet të përvijojmë zgjidhjen e mundshme që mbron Kosovën, kënaq miqtë dhe hesht kundërshtarin.

Me fjalë të tjera, duhet të dëftojmë çka po lypim, të ruajmë çka nuk falet, dhe të bindim Serbinë me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.


1.

Njohja kuptimplote shkon përtej përkufizimit libror.

Me njohë pavarësinë e Dardanisë domethënë me i pranu shkaqet e saj — se popullit tonë i takon e drejta e vetëvendosjes, se Serbia ka kolonizuar padrejtësisht tokën tonë dhe ka kryer gjenocid mbi shqiptarët vendas, dhe se asnjë shtet i huaj nuk mund të ushtrojë sovranitet mbi republikën tonë.

Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran, po se po. Por duhet të ballafaqohet me të kaluarën dhe të zgjidhë çështjet e kolonizimit, pushtimit, diskriminimit sistematik, luftës, gjenocidit, racizmit e të ndër­hyrjeve të saj të vazhdueshme në vendin tonë.

Në dy shekuj shtetësie, Serbia ka sponsoruar plane të shumta për t’i zhdukë shqiptarët dhe për të gllabëruar tokën e tyre — i pari dokument u shfaq më 1844 dhe i mbrami më 1988. Duke parë dobësimin e Perandorisë Osmane, Beogradi u është qasë të krishterëve ortodoksë në Dardani e më gjerë, duke i nxitë me çdo mjet të bëhen serbë. Në 150 vjet, Serbia ka invaduar, pushtuar e aneksuar Kosovën nja pesë herë — më 1877, 1912, 1919, 1945 e 1989. Gati çdo herë ka pretenduar se po mbron trashëgiminë kulturore dhe komunitetin serb, por përherë ka përfunduar duke vra e duke përzënë civilët shqiptarë.

Historiani britanik Noel Malcolm e shpjegon qartë interesimin e Serbisë për monumentet ortodokse në Kosovë: më 1914, Beogradi pranoi që Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit t’i mbeteshin Malit të Zi.

Gjatë një dekade të bisedimeve të pabarabarta, Serbia ka nxjerrë përfitim pas përfitimi kundrejt shtetit të Kosovës. Shpurat tona të papërgatitura kanë pranuar ndarjen e gjyqësorit dhe të policisë në vija etnike, në kundërshtim me kushtetutën. Janë pajtuar gjithashtu për themelimin e Zajednicës si një parashtet serb, që do të përjashtonte joserbët nga 10 komuna të vendit dhe që dështoi vetëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Duke fuqizuar Listën Srpska si parti antishtet, ndërkaq, Beogradi po zhbën integrimin e serbëve, po frikëson qytetarët dhe po cenon demokracinë në Kosovë.

Që Serbia ta njohë njëmend Kosovën e pavarur, duhet të heqë dorë prej çfarëdo tagri dhe preteksti me u përzi në punët tona.

Na mbetet ne të përvijojmë mekanizmat që mospërzierjen e bëjnë detyrim të zbatueshëm, përtej një premtimi sa për sy e faqe të Beogradit. Pikënisjen e gjejmë te organizatat sipërkombëtare të Evropës.


2.

Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës ashtu siç është.

Kosova nuk mund të japë diçka për të siguruar këtë njohje. Sepse kjo «diçka» është një pjesë e vetvetes — territor në Veri ose sovranitet në mbarë vendin — dhe nuk mund të jepet pa e tjetërsuar vet­veten. Nëse Republika e Kosovës fal territor ose kompetenca sovrane, ajo pushon së qeni Republika e Kosovës. Kështu Serbia nuk e njeh shtetin tonë, por bashkëthemelon një entitet të ri thelbësisht antishqiptar dhe anti-Kosovë.

Pazari pra është e kundërta e njohjes. Beogradi nuk bën të jetë mbrojtës i komunitetit serb, tutor i partive politike, pararojë e trashëgimisë kulturore ose përcaktues i politikave shtetërore. Dhe Kosova nuk guxon të ndryshojë kushtetutën as të miratojë ligje për të akomoduar kërkesat e Beogradit.

Pushteti kushtetutëbërës i takon sovranit, dhe kushdo që dikton ndryshime kushtetuese në Kosovë bëhet pronar i këtij pushteti, bëhet sovrani. Njohja nuk ka kuptim kur humbet shteti. Shteti humbet me çfarëdo ujdie që Kosovën e vë në pozitë të pabarabartë ndaj Serbisë.

E kur çka-ja sugjeruese nuk fashitet dot, përgjigjen e gjejmë te një tjetër lloj i kompromisit.


3.

Kompromisi ynë është zgjidhja evropiane.

Kosova e Serbia mund t’i ndreqin marrëdhëniet vetëm si shtete evropiane. Çfarëdo aranzhimi i posaçëm, që s’do të vlente kurrë për vende të tjera të Evropës, është fyes dhe i paqëndrueshëm — fyes se e merr rajonin për një të sëmurë të përhershëm, i paqëndrueshëm sepse nuk e nxit Serbinë me ndryshu.

Evropa mund t’i prijë zgjidhjes së duhur me shembullin e vet, duke pru njohjen e munguar prej pesë shteteve ngurruese. Kurse ShBA-ja, me administratën këmbëngulëse të kryetarit Joe Biden, mund të mbajë kontinentin e vjetër në binarët që ka shtruar vetë.

Dy vendet do të lidhin marrëveshje paqeje, për çështje që u takojnë atyre, por me parime që i pranon për vete cilido shtet evropian. Kështu sigurojmë njohjen e njëmendtë të Republikës së Kosovës, ia pamundësojmë Beogradit të ndërhyjë në punët e Kosovës siç ka bërë për 150 vjet, sigurohemi se nuk shtrëngohemi ta ndryshojmë kushtetutën për tekat hegjemoniste të Serbisë, dhe ngurtësojmë themelet e demokracisë.

Evropa e sotme ka ndërtuar paqen përmes shtetit demokratik dhe organizatave sipërkombëtare. Zgjidhja evropiane mund të bëhet kompromisi i mbarë në dialogun Kosovë–Serbi, duke mbrojtë interesat tona dhe duke trajtuar përmbajtjesisht shqetësimet e të tjerëve. Kjo zgjidhje i jep kuptim bisedës mes qeverisë kosovare e komunitetin serb, u del krah shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe mënjanon pengesat që qytetarët dhe bizneset përjetojnë kur përballen me kufirin ndërshtetëror.

Kur shteti nuk i del krah, individi e komuniteti sot duhet të gjejë mbështetjen në shtyllat sipërshtetërore në Bruksel e në Strasburg — në institucionet e Bashkimit Evropian dhe organet e Këshillit të Evropës. Nëse këto shtylla nuk mjaftojnë, Evropa duhet t’i reformojë e t’i forcojë ato njëlloj për secilin shtet; ato për këtë punë janë ngritë, që të veprojnë kur shteti nuk mundet. Nëse vendet e Evropës mbarë nuk pajtohen me këtë formulë, ka gjasa që të jetë e gabuar për Evropën Juglindore.

Prandaj na duhet një zgjidhje e drejtë evropiane. Këtë s’e mbërrijmë me kuota të manipulueshme dhe bantustane, që fuqizojnë politikanin e korruptuar dhe shtypin qytetarin e ndërgjegjshëm, por përmes parimeve të shëndosha, institucioneve demokratike dhe kontrollit të pavarur gjyqësor në shtet e në kontinent.

Në vend se të mëtojë një kushtetutë të re kosovare, ndërmjetësi duhet të mendojë për një Evropë më të mirë. Të pyesë, bie fjala, çfarë nuk mjafton në Konventën kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ose në Kartën evropiane për gjuhët rajonale ose të pakicave ose në Kartën evropiane për vetëqeverisjen vendore? Si mund t’i përmirësojmë e t’i zbatojmë më lehtë këto instrumente? Si mund t’i vëmë ato në shërbim të qytetarëve të Kosovës e Serbisë? Dhe cilat janë fundja kërkesat e këtyre qytetarëve evropianë?

Është lehtë për ta përvijuar, vështirë me ia qitë fundin, por me gjasë e vetmja rrugë që kemi.

(Ky shkrim pasqyron mendimet vetjak të autorit.)