UD president për 6 muaj?

Kushtetuta e Kosovës detyron deputetët të marrin pjesë në votim dhe qytetarët presin që Kuvendi të zgjedhë kryetaren e Republikës në ditët që vijnë. Por afati 6-mujor për ushtruesin e detyrës nuk e lë shtetin pa krye, edhe nëse opozita bojkoton zgjedhjen.

Sepse 6-muajshi vlen për «mungesën e përkohshme të presidentit». Kur kryetari i Republikës nuk mundet me kry detyrën, detyra i kalon përkohësisht kryetarit të Kuvendit – me urdhër të vetë presidentit ose me vendim të 80 deputetëve, sipas nenit 90 të Kushtetutës. Kur vendos prijatari i shtetit, ai tregon pse dhe për sa kohë po ia bart përgjegjësitë kryekuvendarit (§ 90.1). Kur vendos Kuvendi, lypset dëshmia e mjekëve për gjendjen shëndetësore të presidentit (§ 90.2). Rokada nuk zgjat ma shumë se 6 muaj (§ 90.3).

Se përndryshe hyn në punë neni 91, që parasheh shkarkimin kur presidenti ka shkelë rëndë kushtetutën, kur është dënu për krim të rëndë ose kur shkaku i shëndetit duhet të mungojë mbi 6 muaj. (Shkarkimi megjithatë kërkon votën e 80 deputetëve.)

Neni 90 nënkupton se shteti ka prijatarin në zyrë. Kushtetuta jonë hesht për rastet kur presidenca mbetet zbrazët, pas dorëheqjes, vdekjes ose shkarkimit. Neni 90 është zbatu përshtatshmërisht pas tri dorëheqjeve nën kushtetutën e sotme, duke e njohë kryekuvendarin për «UD president» dhe duke shmangë zbrazëtitë institucionale. Por kufizimi 6-mujor do të bënte pikërisht të kundërtën.

Kjo rregull ia pamundëson shumicës parlamentare me zaptu presidencën përmes një kryedeputeti që ndryshe nuk bëhet kryetar i shtetit. Andaj, gjysmëviti duhet të ndëshkojë partitë që nuk zgjedhin presidentin, jo shtetin që ka mbetë pa president.

Në raste të rregullta, Kuvendi zgjedh presidentin e ri 30 ditë pa iu kry mandati paraardhësit. Në raste të tjera, për të cilat s’kemi rregulla të shkruara, deputetët duhet të parandalojnë zgavrat, duke nisë vetë zgjedhjen në kohë të përshtatshme – me 30 nënshkrime propozojnë kandidatin, me 40 thirrin seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Nëse kaq nuk mjaftojnë me zgjedhë presidentin, janë boll sa «me çu vendin në zgjedhje» brenda 45 ditëve.

Kryetari i Kuvendit mbetet ushdet-president. E qytetarët vendosin se kush po bllokon.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.