Ajo prek bashkimin me Shqipërinë, komunitetet pakicë dhe dialogun me Serbinë
1.
Kosova ka kushtetutë militante. Ky përfundim më del nga shkrimet e juristit të mirënjohur Gary Jacobsohn. Kushtetutat militante imponojnë rregulla që nuk përkojnë me pritshmëritë e shoqërisë, duke ngacmu kështu paharmoni kushtetuese. Në anën tjetër, ndodhen kushtetutat e urta (acquiescent constitutions), që i pranojnë vlerat shoqërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore, bie fjala, Gjermania vendosi një kushtetutë militante, që synonte me transformu shoqërinë gjermane duke mbështetë rendin juridik mbi denjësinë e njeriut dhe të drejtat e tjera të patjetërsueshme. Sipas nenit 1 të Ligjit Themelor të Gjermanisë, ato janë bazë për «paqen dhe drejtësinë në botë».
Kushtetuta deri diku duhet ta transformojë shoqërinë. Për disa çështje, është e kuptueshme, madje e domosdoshme, me pasë kushtetutë militante. Të drejtat themelore dhe liritë e njeriut duhet me i mbrojtë pa e pyetë shumicën, edhe në ato vende që nuk bartin përgjegjësinë e një Gjermanie pasnaziste. Qysh në shekullin XIX, dijetari Sami Frashëri parashihte një kushtetutë shqiptare që u jep pakicave kombëtare të drejtën e shkollimit në gjuhët e tyre. Kushtetuta e Republikës së Kosovës jetëson pjesërisht idealin e Frashërit, ndonëse asnjë nga autorët nuk ka pasë haptaz qëllim ta nderojë rilindasin tonë.
2.
Autorët qebesa kanë qenë të huaj, dhe akti i lartë i 2008-s është përkthy nga anglishtja. Vendasit që kanë shërby në komisionin hartues kanë pasë rol kryekëput dytësor. Me përkulje (deferencë) para punës së ndërkombëtarëve, ata s’kanë mbërri me i ndalë dispozitat e padomosdoshme që sot u nxjerrin telashe institucioneve dhe shoqërisë.
Kështu neni 1, pasi qun Kosovën shtet të pavarur e sovran, zotohet se republika jonë nuk do të bashkohet me një shtet tjetër. Ky nen ashiqare aludon në Shqipërinë, bashkimin me të cilën populli shumicë i Kosovës e ka pa si synim të natyrshëm prej kohësh.
Njëherësh, Kushtetuta krijon mekanizma sfidues për përfaqësimin e pakicave në institucione, duke u dhënë të drejtë vetoje dhe duke u rujtë pozita në qeveri qytetarëve serbë edhe atëherë kur shprehimisht kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës. Këto rrethana janë shembull i paharmonisë kushtetuese. Juristi Jacobsohn thotë se shtetet trajtojnë paharmoninë duke ndërtu një identitet kushtetues — mbi tekstin dhe kontekstin e kushtetutës. Madje shton se «kushtetuta fiton identitetin nga përvoja» dhe se «identeti lind dialogjikisht», duke gërshetu aspiratat politike të së kaluarës dhe vendosmërinë me tejkalu atë.
Andaj Kosova ka kushtetutë militante. Dhe përvoja politike ia ka shumëfishuar karakterin militant.
3.
Nëse më 2008 ka pasë bindje se Kosova mund ta heqë nenin 1.3 (një anëtar i komisionit hartues e pat sugjeru vetë këtë), tani ka mëdyshje nëse Kosova mund ta rujë sovranitetin dhe karakterin unitar sipas nenit 1.1. Fill pas pavarësimit, komuniteti serb nisi me u integru hap pas hapi në jetën publike, duke dhënë shpresë për jetësimin e plotë të Kushtetutës. Por më 2011 e tëhu, republika mori në thua gjatë bisedimeve me Serbinë, e cila shfrytëzoi marrëveshjet teknike e politike për ta shti në dorë krejt komunitetin serb të Kosovës.
Një marrëveshje e vitit 2013 — gjoja për normalizimin e marrëdhënieve — parasheh krijimin e zajednicës së komunave serbe në Kosovë. Ndonëse teksti i saj nuk i përmend askund palët nënshkruese, marrëveshja është ratifiku në Kuvendin e Kosovës si traktat mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ratifikimi e bën atë të detyrueshme dhe të zbatueshme para çdo ligji vendas pas Kushtetutës.
Një ujdi tjetër e gushtit 2015, që tashma është shpallë jokushtetuese, i jepte zajednicës kompetenca sovrane brenda një territori të caktuar dhe i përjashtonte shqiptarët nga jeta publike në atë territor.
Ndonëse opozita ka arritë me ndalë këtë projekt rrënues, Beogradi ka rritë ndikimin duke formu një parti, e cila garon në zgjedhjet kosovare nën parullën e zajednicës. Lista Srpska në fakt i shërben agjendës së Serbisë, duke shtypë mendimin ndryshe brenda komunitetit serb dhe duke e fy e kundërshtu Republikën e Kosovës.
Ecuria dialogjike, që përmend Jacobsohni, nuk ka ndërtu identitet kushtetues, por ka prodhu mekanizma kundërkushtetues. Më 2008, udhëheqësit shtetërorë që miratunë nenin 1.3 u zotunë me kapërcy synimin historik për bashkimin e trojeve shqiptare. Më 2013, këtë zotimi ia shtunë detyrimin për zajednicën serbe, e më 2015, nënshkrunë marrëveshjen që nënkuptonte copëtimin e brendshëm të shtetit tonë.
4.
Neni 1.3 është ende në fuqi. Por paharmonia kushtetuese është thellu. Sepse Kosova ka kushtetutë militante, që shpërfill pritshmëritë e shoqërisë.
Ka, megjithatë, një dispozitë që shpërfaq urti. Neni 3.1, siç është miratu në Kuvend, përkufizon republikën tonë si «shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera». Drafti i paraqitur nga komisioni hartues nuk përmendte fare shqiptarët, por ata u bënë pjesë e Kushtetutës falë trysnisë që bënë gjatë diskutimit publik.
Publiku mund të ndreqë shumë punë kur punon. Republikë domethënë e publikut. Dhe tani është koha me ba Dardaninë republikë me tamam.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6473