1.
Prokurorët nuk e dijnë se ç’punë kryjnë. Këshilli Prokurorial lëshoi dje nji kumtesë ku e porositi pushtetin ligjvënës mos me ndërhy në pamvarësinë e gjyqësorit. Kumtesa qe reagim ndaj deputetit Rexhep Selimi që ka thanë se tok me qeverinë duhet me u largu kryeprokurori.
Prokurorët janë pjesë e sistemit të drejtësisë, por jo e pushtetit gjyqësor. Ata janë organ i pamvarun i pushtetit përmbarues, me detyrë me i ndjekë shkeljet e ndëshkueshme. N’ecuni gjyqësore duhet të jenë palë e barabartë, ani pse rëndom rrijnë me gjyqtarët si me qenë të nji shpie.
Qyshdoqoftë, kur punët shkojnë mbrapsht e kur prokurorët s’dijnë as me shkru shqip, jo nji deputet, por krejt Kuvendi do të duhej me lypë përgjegjësi. Pamvarësia nuk domethanë mos me punu.
2.
Ministri i mbrojtjes i Sërbisë thotë se po pret me u caktu kufini i ri përmidis Dardanisë, që pastaj ushtria sërbe me e mbrojtë kufinin. Kjo deklaratë jehon thirrjet e kryetarit jolegjitim i Kosovës Hashim Thaçi për «korrigjim kufijsh».
E qysh mundesh me ndreqë diçka kur s’e din çka? Ma parë, vetë kryetari sërb Aleksandar Vuçiqi pat thanë se s’din ku janë kufijtë e Kosovës.
Por ky i yni nuk don me u ndalë. Së fundmi, e ka përmendë copëtimin e vendit edhe në Londër, në nji institut hulumtues me ndikim. E këndej hatrohet e na thotë se nuk po e dojmë Preshevën, sa herë ia kujtojmë që po punon kundër kushtetutës e simbas porosive t’anmikut.
E drejta ndërkombëtare thotë se kur nji trevë bahet shtet i mban kufijtë që i ka pasë në prag të pamvarësimit. Cilën pjesë të këtij parimi s’po e kupton zoti Thaçi?
3.
Udhëheqësat shqipfolës të nji federate të korruptueme paskan nisë me u ba trysni të rijve të mërgatës mos me lujtë për kombëtaren shqiptare të Dardanisë. Talentave të futbollit po u thonë se nuk kanë t’ardhme në Dardani. Madje, po ua ngucin ndjenjën atdhetare tue i shpërrallu se shqiptari nuk zgjedh tjetër pos ngjyrave kuq e zi.
Këta dallaverxhij bajnë mirë me e kuptu se shqiptari nuk e shkatërron shtëpinë e vet. Kemi luftu e punu me dekada me e ça izolimin e Kosovës, e tani drejtues të FShF-së këqyrin me e sabotu përfaqësuesen dardane — nji mundësi të rrallë që e kanë shqiptarët me e tregu veten e me përparu.
Nëse dikend e bren halli pse nuk e kemi nji kombëtare e nji shoqatë futbolli, ban mirë me pyetë FShF-në: Pse nuk i njeh kampionatet në të cilat ka lujtë Prishtina? Pse i shpërfille thirrjet e tifozave për ligën kombëtare në këto dy dekada prej çlirimit të Dardanisë? Sa trajnerë kosovarë ke angazhu n’ekipet tua? Ç’ke ba për rininë e talentueme të Shqipnisë Londinare? Sa yje i ke prodhu me shkollën vendase?
Por përgjigje nuk ke me marrë, sepse krenët e FShF-së kanë tjetër hall. Kur s’punojnë kundër Kosovës, i trukojnë ndeshjet e kampionatit vendas.
E këndej pretendojnë se e dojnë kombin. Nji komb, nji dukë. Duka.
Por nji dukë tjetër, si ish-vëlla i ndoj ministri e njeri i pushtetit, ndodhet dhe në Kosovë. Ai asht goxha mbrapa Dukës së Tiranës. Veç në tymduhanin e kamishit e ka nuhatë dhe sportin. Ai ka nipa e famuj plot që don me i shti në lista të kombëtareve U17, U19, e U21, me i rahatu në lista të referave, e me i shpërbly me bileta vip. Në fund ka lekë me nxjerrë saherë t’i jepet mundësia. Pakkush guxon me i bëza.
Kamishi nuhatës e ka pikatë biznisin që don me e ba me futboll. Këtij duhet me ia ba qato pyetje si FShF-së. Përgjigje nuk jep, por na mujmë dhe duhet me ia ndalë turrin sa nuk e ka kapë sportin qashtu si shtetin.
Se kur vendi ynë ua i mëshel shtigjet, rinia jonë i lyp ato tjetërkah. Kur i përkrahim, e nderojnë kombin dhe Shqipninë e Kosovën.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5857