Me gjetë një formulë karrotë-stupc që shpërblen partinë kur përkrah vajzat e gratë dhe e ndëshkon kur i lë prapa.
Kosova s’ka pasë asnjëherë ma shumë vajza e gra deputete. Dhe në asnjë palë zgjedhje nuk kanë dalë ma shumë deputete të zgjedhura pa ndihmën e kuotës gjinore. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvend e kalon dukshëm 30-përqindëshin.
Sepse tani kanë ardhë në shprehje dy mekanizma ma të fuqishëm e ma demokratikë se vetë kuota. Së pari, subjektet si Lëvizja kanë përkrahë sinqerisht vajzat dhe gratë e zoja në garë. Së dyti, qytetarët po vlerësojnë drejt kandidatët, duke lënë prapa paragjykimet gjinore.
Por a mund t’i bëjmë të përhershëm e t’i forcojmë ende këta mekanizma?
Kuotën vyn me rujtë, por me reformu. Ajo s’duhet t’i nxisë partitë me i përfshi gratë në listë sa për sy e faqe, por me u dhënë hapësirën e duhur në garë e në vendimmarrje. Me një fjalë, sistemi duhet me i shpërbly partitë që i përkrahin gratë dhe me i ndëshku ato që nuk i përkrahin. Një mundësi është që kuotën me zbatu jo vetëm brenda listës por dhe mes partive — diçka si pragu zgjedhor.
Të themi, partia XK fiton 10 ulëse në Kuvend. Por 10 kandidatët ma të votuar janë burra. Sipas sistemit të tashëm, 3 burrat e fundit zëvendësohen me gratë e listës. Me kuotën ndërpartiake, vendet e tyre do t’u shpërndaheshin grave ma të votuara pa marrë parasysh partinë.
Kur ndëshkohen kësisoj, partitë ndryshojnë qasjen ndaj grave, dhe gratë fitojnë hapësirën e mohuar. Kur nuk ndëshkohen, udhëheqësit e partive shfrytëzojnë gratë. Së pari, i futin në listë për ta plotësu kushtin ligjor. Së dyti, i marrin në Kuvend duke lënë jashtë burrat që i kanë pru vota partisë. Dhe së treti, i detyrojnë me punu kundër demokracisë, duke ua kujtu se janë deputete falë kuotës — dhe përfundimisht falë partisë.
Shih: Kuota zgjedhore, e keqe për gratë
Kur më 2013 Kuvendi votoi me u ndihmu grave të dhunuara gjatë luftës, deputetet e kuotizuara të PDK-së ngritën dorën kundër. Dhe kur një vit ma vonë plasi sherri kushtetues mes PDK-së e Vlanit, kryesuesja e rastësishme nuk e thirrte mbledhjen e parë të Kuvendit, siç kërkon Kushtetuta, por vepronte sipas urdhrave të partisë së saj që rrezikonte me humbë pushtetin. Sivjet, mu kjo deputete shfaqi pornografinë për dëshmi të gjenocidit, por nuk denjoi me tregu kush e ka porositë, sepse mund ta implikonte kreun e partisë.
Një kuotë që shkon përtej numrave i jep fund këtij nënçmimi.
Sepse fuqizon mekanizmin e parë që sivjet theksoi barazinë në Kuvend: e shtyn partinë të përkrahë vajzat e gratë sinqerisht. Por e shtin në lojë dhe mekanizmin e dytë: e zhvesh votuesin nga paragjykimet. Paragjykim është dhe bindja se filan-kandidatja s’ka mbëhi për votë, sepse hyn me kuotë.
Rrjedhimisht, kuotën duhet me reformu. Por edhe me ripërkufizu, duke eduku zgjedhësit.
Gjatë fushatës, kam lutë votuesit që secili të votojë të paktën 2 vajza e gra. «Me e këqyrë holl», pata shkru, «e kemi detyrim ligjor me votu kështu. Por meqë vota asht e msheftë, dhe kurrkush s’guxon me na ndejtë mbi krye me pa ku po i qesim tikat, ligji na korrigjon tue e zbatu kuotën gjinore mbasi të numërohen votat».
Kur kësaj teorie i shtohet tuta praktike se vota jote kam me iu njehë kundërshtarit, Dardania do të krenohet me barazinë dhe përfaqësimin gjinor në Kuvend.
Na mbetet sfidë, megjithatë, me gjetë formulën karrotë-stupc për zgjedhjet vendore. Prej 38 komunave kosovare, asnjëra nuk ka grua për kryetare.
Autori është avokat ndërkombëtar dhe aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Lejohet me kopju dhe ribotu këtë shkrim sipas licencës CC BY-ND 4.0, duke cekë autorin dhe burimin.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6506