Futbolli i kombëtareve

Kosova-UEFA (Blerim Uka, 2012)
Kosova-UEFA (Blerim Uka, 2012)

Çka asht puna e Ligës së Kombeve? Po e shoh që edhe shum ithtarë të futbollit s’po e marrin vesh. Qe. Ekipet kom­bë­tare ose për­faqë­suese evropiane lujnë ndeshje për këto gara:

(1) Kupa e Botës
(2) Kampionati Evropian
(3) Kupa e Konfederatave
(4) Liga e Kombeve

Përndryshe, lujnë miqësore ose ndonji turnir në vend të miqësoreve. Të gjitha takimet zhvillohen gjatë datave që Fifa, federata botnore e futbollit, i rezervon për lojët e kom­bëtareve. Jashtë atyne datave, lojtarët janë të zanun me klubet e tyne.

Qe garat nja kah nja.

1. Kupa e Botës

E organizon çdo katër vjet fede­rata ndërkom­bëtare, Fifa, që prej 1930-s. E qujmë edhe Kampionati Botnor i Fifës. Por meqë ka shum skua­d­ra, vetëm ma të mirat mujnë me marrë pjesë. Njiherë janë 32, e shpejt do të bahen 48.

Prej secilit kon­tinent ose rajon të botës shkon nji numër i caktuem. Evropa zako­nisht dërgon ma së shumti ekipe — 13 prej 55-ve sa i ka krejt.

1.1 Cilësimet

Këto 13 caktohen përmes kualifikimeve ose cilësimeve, që i organizon Uefa, kon­federata e kon­tinentit evropian. Luhet nëpër grupe me kah 5–7 ekipe që tako­hen mes vete nga dy herë, si vendas e si mysafir. Fituesit e grupeve kuali­fi­kohen direkt. Vendet e dyta zakonisht lujnë mes vete për biletat e mbetuna.

Grupet caktohen kështu: Njiherë, Uefa i rangon të 55 ekipet simbas rezul­ta­teve që i kanë mbërri deri tash edhe i ndan në pots, që gazetarët tanë i qujnë vazo. Në daçi ma shqip, iu thomë qypa ose thasë. Në thesin e parë hyjnë eki­pet ma të mira, ato pak ma të dobëta në të dytin, e kështu me radhë.

Pastaj Uefa qet short. Prej secilit thes e nxjerr nga nji ekip dhe i mbush gru­pet. Kështu, në secilin grup asht nji ekip i thesit të parë, nji ekip i thesit dytë e tutje, dhe gati krejt grupet llogariten si njisoj të zorshme.

1.2 Ekipet tona

Shqipnia herën e mbramë e zuni vendin e tretë në grup, tue mbetë mbas Spanjës e Italisë; Kosova doli e fundit pa asnji fitore. Por t’e shohim se çka do të ndodhë në cilësimet e radhës që nisin më 2021.

Botnori Katar 2022 ka me i pasë 32 ekipe, por edicioni Bashkë 2026 (Kanadë–Meksikë–Juesej) e zgjanon garën në 48. E kjo i rrit edhe gjasat e shqiptarëve për me lujtë në Botnor për shtetet e tyne.

2. Kampionati Evropian

Euron e organizon kon­federata evropiane e futbollit, Uefa, që prej 1960-s. Mbahet çdo katër vjet, mes Bot­norëve. Prej 2016-s, ma­rrin pjesë nga 24 kombëtare. E që i bjen se duhet me u zhvillu edhe këtu kua­li­­fikimet, pak a shum qysh bahen për Kupën e Botës.

2.1 Cilësimet

Uefa veç i ka rangu ekipet dhe i ka nda në 6 thasë, simbas rezultateve që i kanë mbërri sivjet në Ligën e Kombeve. Më 2 dhjetor tash ka me u hedhë shorti, dhe lojët kanë me ia nisë në mars 2019 për me u kry në nandor. Janë 10 grupe me nga 5-6 ekipe; dy vendet e para shkojnë n’Euro 2020. Por tash me Ligën e Kom­beve, kombëtaret e kanë edhe nji mundësi shtesë me u kualifiku.

2.2 Shorti sivjet

Ka gjasa që dy ekipet tona kombëtare me ra me nji grup: Shqipnia asht në vazon 4 e Dardania në 5-sh. Por Kosovës mundet me i qëllu Turqia e Greqia prej vendeve të rajonit, e njiherësh Spanja e Rusia prej kom­bë­ta­reve tjera që kena fort qef me i mujtë. E marrim vesh të dielën tjetër.

Qe edhe Uefa çka thotë për shortin dhe kualifikimet.

3. Kupa e Konfederatave

Këtë garë e pat nisë mbreti i Arabisë Saudite, e tash e ka marrë në dorë Fifa. Mbahet çdo katër vjet, në vitin para Botnorit, në vendin ku ka me u mbajtë Botnori. Në nji mënyrë, tes­tohen stadionet. Lujnë tetë ekipe: kampioni bot­nor, kampionët e kon­tinen­teve apo rajoneve, dhe nikoqiri. Thjesht!

4. Liga e Kombeve

Kjo asht garë e re. Sivjet po luhet edicioni i parë. Uefa ka vendosë me e zhvi­llu këtë kompeticion gjatë datave që për­para janë shfrytëzu për me lujtë miqë­­sore. Ideja ka qenë me iu ndihmu edhe ekipeve ma të vogla me lujtë ndeshje inte­re­sante.

Liga ka me u lujtë çdo dy vjet, tue nisë në vjeshtë dhe tue për­fundu në pran­verë. Andaj, edicioni i parë quhet «Liga e Kombeve 2018–19», e tjetri ka me qenë «Liga e Kombeve 2020–21».

Ndryshe nga ç’ndodh në Botnor a n’Evropian, të 55 kombëtaret lujnë në Ligë të Kombeve. Veçse Liga asht e shtresë­zueme, me katër nivele: Liga A, Liga B, Liga C, dhe Liga D.

4.1 Katër ligat

Të gjitha ligat kanë nga katër grupe. Ligat A e B kanë nga 4 grupe me nga 3 ekipe secili, pra gjithsej 12 kom-bëtare. Liga C ka 15 kombëtare, që i bjen tri grupe me nga 4 dhe nji me 3 ekipe (ky ka qenë grupi i Shqip­nisë sivjet). Kur­se Liga D i ka 4 grupe me nga 4, baraz me 16.

Ma të mirat ekipe janë n’A, e ma të dobëtat në D. Secili ekip lun me secilin ekip mbrenda grupit, njiherë si vendas e njiherë si mysafir.

Për herë të parë, kombë­taret janë caktu nëpër liga simbas rezul­tateve të mapar­shme, por tash e tutje mvaren veç prej rezul­tateve që i mbë­rrijnë në Ligë. Katër ekipet ma të dobëta të grupeve të secilës ligë bijnë nji ligë ma poshtë, kurse ekipet ma të mira të secilit grup ngriten nji ligë ma nalt për edicionin e radhës.

Për­jashtim ban veç liga C: meqë nji grup i ka tri ekipe, kqyret cili prej ven­deve të treta ka qenë ma i dobëti në krejt ligën. (Kështu Shqipnia ka shpëtu, ani pse e mbrama në grup.)

Katër fituesit e grupeve të Ligës A — meqë nuk mujnë me hypë nji ligë ma nalt — lujnë në finalet, që mbahen në nji vend të zgjedhun. Sivjet e kanë caktu Por­tu­galinë, ku kanë m’u lujtë dy gjysmë­finale, loja për vend të tretë, dhe finalja.

4.2 Plejofi

Por nuk kryhet gjithçka me finale. Fituesit e grupeve të secilës ligë — nëse nuk mbërrijnë me u shku n’Evropian përmes kuali­fi­kimeve të rregullta — lujnë në plejof që mbahen në pran­verën e 2020-s, pak para kam­pi­onatit. Pra për secilën ligë mbahet nga nji plejof, dhe prej secilës nji ekip shkon n’Evro­pian.

Qe edhe Uefa çka thotë për plejofin. E kishin qitë edhe nji video aty me vizatime.

Nëse Dardania jonë kualifikohet përmes garës së rregullt, në plejof lun nji ekip tjetër që ka rezul­tatet ma të mira. Për­ndryshe, më 2020 ka mundësi teorike me u ndeshë me Maqe­doninë. Por unë shpresoj — jam i bindun, qebesa — që na kemi me shku direkt. Kështu që komen­tatorët që u nxejshin për lojën me kojshitë ia huqshin krejt!

N’edici­onet kur nuk ka Kam­pionat Evropian, pritet me u shfry­tëzu plejofi për cilë­sime të Botnorit.

4.3 Edicioni tjetër

Meqë po flasim për Ligën e Kombeve, Dardania e Shqipëria mujnë me ra në të njejtin grup në stinorin e ardhshëm. Kosova tash ka hypë në Ligën C.

Foto: Tifozat kërkojnë pranimin e Kosovës n’Uefa gjatë nji takimi t’Evropanit 2012 (Blerim Uka, CC BY-SA 3.0)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.