Ku asht shpia?

Sa herë kthehem e lypi shpinë
kurrë s’e di ku asht,
a asht lokali i mahallës ku m’presin shokët?
marketi ku shitësi më pyt gjithmonë, «edhe sa vjet p’e kryn mo atë shkollë?»
banesa e nanës n’ballkon të cilës kam lujt me llastikë aq shumë?

A mos asht lokacioni i fundit prej ku i kam bajtë valixhet me shumë tesha
po me pak kujtime?

Mos asht zyrja ku i kam pjesën ma të madhe të librave
edhe plot kartolina me adresa prej krejt qosheve të botës?

Zatën apartamenti ku e kam stolisë bredhin për këtë Vit të Ri
edhe i kam lanë do pjata pa la?

«Shpia asht aty ku asht zemra» — m’pat thanë nana nji herë.
Po unë zemrën e kam gjithandej.
Pak në lokalin e mahallës,
pak nëpër aeroporte,
pak te banesa e nanës.
Ni pjesë e kam nëpër banesa të botës, librari të mdhaja e lokale të natës
ku kam kalu kaq shumë kohë me kaq shumë njerëz.

Nëpër zemra të njerëzve e kam gjysën e zemrës teme.
Nëpër rrugë të botës i kam gjysën e kujtimeve t’mia.

Qatò shpinë e lypi gjithë
po nuk e di ku asht kurrë.
As kur kthehem.
As kur shkoj.

Edhe gjithë mes në rrugë tuj pa përreth
njerëz që shpejtojnë hapin
sikur me qenë në nguti me mbrri nëpër shpitë e tyne.

A e dinë krejt këta njerëz ku shpia asht?
A asht marre me lypë direksione?
Nëse e shkruj home në Google Maps — ku m’çon?

E qështu m’habit shpejtësia e mendimeve
edhe harroj që po më narthin durtë
tuj i ngrehë valixhet
pa dorëza.

Kadale, me njanën dorë në xhep
e tu e fërku tjetrën për pallto,
vazhdoj me hec edhe ndalem para do dritave.

Hyj mrenda,
ulem edhe e nxej shpirtin (edhe durtë besa).

Nuk asht shpia kjo — e di.
Po asht ngrohtë.

Tash për tash, qëkaq asht boll.
Shpinë noshta e gjej ma vonë…

(e frymëzueme prej ndërrimit të radhës të vendbanimit për pak kohë: prej Belgjikës në Holandë)

Ilustrimi: OpenClipart-Vectors

Nga Furtuna Sheremeti

Shqipe e Kosovës e rame nëpër Belgjikë. Studion kriminologjinë, i pëlqen me shkru poezi edhe me bo analiza ligjore për çashtje t'randsishme. Stresin e hjek tuj vrapu.