Letër Serbisë

E dashur Serbi,

Çfarë i bëre Ukshin Hotit?

Në ç’vend prehet ai? Ç’i bëre trupit të tij?

A të kujtohen sytë e tij prej filozofi të lashtë dhe hunda e tij shkabë?

Ç’të tha ty në çastet derisa po vdiste?

Pikë së pari, përse e fute në burg? A e di pse e bëre këtë?

A gjendet ai i shtrirë diku buzë ndonjë lumi? A ka drurë të lartë sa shpirti i tij që përdegen prej eshtrash të tij të torturuara?

Kërkoj të di të vërtetën. Dhe po ashtu dua të kërkosh ndjesë. Bile, tashmë, tepër kohë ka kaluar për këtë.

Serbi, kërkoj nga ti që të kërkosh ndjesë për të gjitha krimet që ia ke bërë popullit tim!

Dua që të kërkosh ndjesë që më përjashtove nga universiteti im pa dhënë një shpjegim të duhur. E mban në mend atë ditë?

Kolegët e mi serbë duartrokitnin ndërsa unë dilja nga godina. Me 1984-shin e Orwellit në duar.

Dua të më kërkosh falje për përzënien e prindërve të mi nga shtëpia e tyre më 2 maj 1999. Ti u the se i kanë vetëm 30 minuta në dispozicion për t’i mbledhur plaçkat. Ti u the se ishin me fat që nuk u vranë në vend, sikurse Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij.

Ishe aq e «stërmëshirshme» që ua kurseve jetën sepse nëna ime fliste gjuhën tuaj dhe kishte emër sllav.

Kush të dha leje që të dërgosh paramilitarë në vatrën time familjare. Kush të dha leje që të hysh në dhomën time dhe të kontrollosh librat e mi!

A ishe e habitur që gjete Crnjanskin dhe Kišin pranë Kadaresë dhe Nolit?

Çfarë prisje të gjeje aty, në të vërtetë? Ishte vetëm dhomë përplot me muzikë, libra me sekrete motrash.

Serbi, e di ti që jam vërtet e zhgënjyer që po bëhesh sikur nuk e di apo nuk po të kujtohet.

Por mua më kujtohet fort mirë.

Mua më kujtohet çdo gjë. Popullit im po ashtu i kujtohet, por, disi, botërisht dihet se ne falim lehtë.

Serbi, për një çast mendova se ti mund të jesh një njerkë e mirë. Por, pastaj e pashë fytyrën tënde të vërtetë. U shndërrua në fytyrë shtrige. S’do të ishte keq, ndoshta, të shikosh veten mirë në pasqyrë dhe të pranosh se ishe aq qyqare kur vrave e përzure njerëz të pafajshëm.

Serbi, ende nuk i ke kërkuar ndjesë gruas që e takova në qendrën e azilkërkuesve në Londër. M’u desh t’ia shtrëngoj dorën derisa ajo më tregonte rrëfimin e saj:

Kishte qenë duke ecur nëpër mal me kilometra të tërë për t’u ikur ushtarëve të tu. Me foshnjat e saj në duar. Dhe ato ishin të uritura.

Pastaj ajo pa një xhaketë në baltë. Ishte e vëllait të saj. E mori xhaketën dhe i mori erë. E diti se ishte e tija. Ende kishte gjurmë jete përbrenda.

Një xhaketë e vjetër në lloç ishte krejt çfarë kishte mbetur prej vëllait të saj…

Ti i ndaje familjet, Serbi. I merrje burrat. A e di numrin e saktë? Nuk jam shumë e zonja në të numëruar. Krejt çfarë mund të them është se ishin shumë.

Serbi, ku i ke gjithë ata gjeneralë dhe ushtarë sot?

Serbi, duhet ta punësosh dikë që të shkojë derë më derë te këto familje dhe të kërkojë ndjesë. Kjo punë do të të marrë ditë e muaj. Ne na vjen mirë të presim mysafirë dhe të hapim dyert tona.

Serbi, ndoshta është koha e fundit që të japësh përgjigje për disa nga këto pyetje.

Serbi, shpresoj t’i kesh dëgjuar fjalët e fundit të Ukshin Hotit.

Ta rëndofshin shpirtin ato fjalë!

Ai, ndoshta, është diku ku Konstandini bëri hapat e parë dhe ëndërroi që një ditë do të bëhet perandor.

Serbi, «perandoria» jote e trishtë u shkërmoq më në fund.

Serbi, si të merr gjumi natën?

Serbi, ende e mbaj në raft Miloš Crnjanskin.

Lexoje anglisht • Read in English: “Letter to Serbia”

Nga Teuta Skenderi

Përkthyese, mësuese, tregimtare e poete nga Kosova. Jeton në Londër. Ka dy vajza, Hana dhe Rhea.