Mbi herojtë dhe shkrolaxhijtë

Një koment i jemi për një artikull të turpshëm dhe tendencioz i i botuem në njëfarë reviste Kosovo 2.0, nga njëfarë Cristina Marí. Turpi ma i madh asht, natyrisht, që kjo gazetaruce Adem Jasharin e qun ‘i ashtuqujtuni hero’.

Edhe me një përpjekje për me i kuptu kriteret e rrepta të dikujt për me përkufizu heroin dhe heroizmin, nuk po muj me i kuptu standardet e dyfishta të personit të njëjtë rreth kësaj pune. Znj. Cristina Marí shkrun rreth ‘Monumentit të Herojve të Lëvizjes Nacional-çlirimtare’, kurrë tue mos e qujtë atë ‘Monument i të ashtuqujtunve heroj’, por befasisht (apo qëllimisht) kur ajo zen në gojë Adem Jasharin e cilëson si ‘i ashtuqujtuni hero’.

Kësaj i thonë me të rrehë e mos me të lanë me qajtë. Kriminelët serbë të cilët vranë Adem Jasharin dhe masakruen familjen e tij duhen me qenë shumë të kënaqun tue lexu një artikull të këtillë të shkruem e të botuem në mes të Prishtinës, sepse nuk besoj se ata kishin me pasë kaq guxim prej budalle me ba këtë, sot dhe në Prishtinë, ashtu qysh ban znj. Marí.

Kjo tregon qartë jo vetëm se sa larg ka shku mohimi i krimeve serbe në Kosovë, por edhe marrëzia e dofarë shkribëve të gazetarisë me ndjesi antishqiptare.

Qoftë edhe emni ‘Lëvizja Nacional-çlirimtare’ nuk ka asnjë kuptim për askënd që ka njohuni elementare për historinë e shqiptarëve në Kosovë. Kjo lëvizje nisi me njëfarë ideje të çlirimit kombtar, e shoqnueme me një propagandë tërheqëse për liri dhe të drejta të barabarta, me premtimin e bashkimit të Kosovës me Shqipninë, në fund të luftës.

Qysh e dijmë tashma, kjo nuk ndodhi kurrë. Sa u përket shqiptarëve në Kosovë dhe shqiptarëve në trojet e tjera etnike në ish-Jugosllavi, ardhja e armatës italiane dhe gjermane nënkuptonte çlirim nga pushtimi serb, i cili ishte shumë ma i keq sesa që mun me u marrë me mend.

Nën Italinë e ma vonë Gjermaninë, shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyne banë administratën, shkollat dhe institucionet tjera në gjuhën e tyne. Kushdo me pak mend në krye ky duhej me qenë, gjithsesi, ma shumë çlirim në krahasim me trajtimin e tmerrshëm, masakrat, dëbimet dhe vrasjet masive të kryeme prej regjimit serb/jugosllav.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët, mun me u qujtë gjithçka tjetër pos ‘çlirim’. Asht e vërtetë që disa luftëtarë të cilët iu bashkunë lëvizjes partizane patën shpresë se ka me pasë bashkim të Kosovës me Shqipni, ashtu qysh ishte arrijtë pajtimi në Konferencën e Bujanit dhe me Marrëveshjen e Mukjes. Por fundi i luftës tregoi qartë se ky ishte një mashtrim i planifikuem mirë nga autoritetet serbiane.

Kosova u vu nën shtetrrethim ushtarak, me qindra katunde shqiptare, kryesisht në Drenicë, u rrafshuen me tokë, nga partizanët serbë dhe me mija njerëz i vranë, i vunë nën tortura dhe i burgosën.

Nëse dikush, si znj. Marí, e qun këtë ‘çlirim’, atëherë kemi problem me terminologjinë që fut hutesë.

Ashtu qysh mun me u nënkuptu diçka si Vëllazërim e Bashkim s’ka pasë kurrë. Kishte periudha të durueshme varësisht nga klima e rivaliteteve dhe luftës mbrenda establishmentit politik të Jugosllavisë, por kjo nuk bani shumë ndryshim, ashtu qysh tregoi shumë qartë fundi i këtij regjimi, periudha e Miloševićit.

Kështu vijmë te rasti i Adem Jasharit. Ose znj. Marí — sipas kritereve të saj — duhet ta kishte qujtë ‘Monumenti i të ashtuqujtunve heroj’, ose nuk asht dashë me qujtë Adem Jasharin — njënin nga herojtë ma të mëdhaj shqiptarë të të gjitha kohëve — ‘i ashtuqujtuni hero’.

Fjalori i anglishtes i Oksfordit përkufizon fjalën hero si ‘[n]jë person që adhurohet për guximin e tij, arritjet e jashtëzakonshme apo cilësitë fisnike’, dhe jep shembullin ‘hero i luftës’. Fjalori i Kembrixhit ka këtë përkufizim: ‘Një person i cili adhurohet për shkak se ka ba një trimni të madhe apo që ka ba arritje të madhe.’

Nuk po muj me mendu për një person ma trim e ma fisnik sesa Adem Jashari, jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në atë europiane apo botnore, i cili e pagoi jo vetëm me jetën e tij, por edhe të gjithë familjes së tij, për me arrijtë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

‘Monumenti i heronjve të Lëvizjes Nacional-çlirimtare’ nuk paraqet kurrfarë lëvizje çlirimtare. Aj paraqet vetëm mashtrimin e madh, shtypjen dhe masakrat që erdhën pas Luftës së Dytë Botërore ndaj shqiptarëve, dhe e vetmja zgjidhje mendjeshëndoshë duhet me qenë, së paku, zhvendosja e tij në një vend ku ka me ua përkujtu shqiparëve ato kujtime të dhembshme.

Read this in English: Lexoje anglisht

Nga Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.