Në shekullin XIX, Perandoria Osmane ish gati me dhanë shpirt. Shteti që dikur i tmerronte perëndimorët me fuqinë e tij kish mbetë tani mbrapa vendeve t’Evropës.
Kështu osmanët nisën nji varg reformash për ta modernizu dhe shpëtu perandorinë. Fillimisht, ata e kundërshtunë idenë e nji monarkie kushtetuese, tue thanë se binte ndesh me të drejtën islame, sheriatin. Por trazinat politike më 1876 i hapën udhën ndryshimit të madh.
Në pranverën e atij viti, ministrat osmanë e rrëzunë prej froni sulltanin konservator Abylaziz. Por të njejtin fat e pati edhe mbasardhësi i tij liberal, Murati V, që sundoi për vetëm 93 ditë.
Barra e reformave i ra Sulltan Abdylhamitit II, që erdhi në fron në fund të verës. Prej ndërmarrjeve të tij të para qe kushtetuta e parë e perandorisë. Nxitë prej pjestarëve të lëvizjes liberale Osmanët e Rij dhe kryeministrit reformator Midhat Pasha, padishahu shpalli ligjin themeltar — Kanunu Esasi — më 23 dhjetor 1876 (ose 7 zilhixhe 1293, simbas kalendarit islam).
Megjithë tagrin e gjanë që i jepte monarkut, qendërsimin e pushtetit, dhe mponimin e sheriatit dhe gjuhës turke, kushtetuta ishte nji hap para për shtetin. Ajo mbronte disa të drejta themelore, shpallte barazinë e shtetasve pa dallim feje e etnie, dhe parashihte nji demokraci të lavdueshme për kohën.
Reforma madhore e nxiti shpresën për liri e barazi edhe te popujt e shtypun të perandorisë. Për herë të parë, më 1877, nisi punimet Mexhlisi, organi ligjvenës i shtetit. Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, si deputetë të vilajetit të Janinës, paraqitën edhe nji shestim për vetëqeverisjen e Shqipnisë.
Por lufta ruso-turke, që plasi at vit, ndryshoi krejtsisht rrjedhën e historisë. Abdylhamiti shpresëdhanës zbuloi fëtyrën e vërtetë prej diktatori, tue e pezullu kushtetutën, mbyllë Mexhlisin, dhe shtypë pamëshirshëm kundërshtarët politikë dhe popujt joturq.
Kushtetuta u rivendos vetëm mbas Revolucionit Xhonturk të 1908-ës. Nji vit ma vonë, xhonturqit e shfronsunë Abdylhamitin dhe e ndryshunë kushtetutën për ta kufizu ma tej pushtetin e sulltanit, por njiherësh ndërtunë nji diktaturë të re edhe ma t’egër, që i shkeli pamëshirshëm të drejtat kushtetutore të shtetasve.
Qe shqip disa prej neneve kryesore të kushtetutës osmane:
Ligji themeltar (Kanunu Esasi)
shpallë më 7 zilhixhe 1239 (23 dhjetor 1876)
Shteti Osman
Neni 1
Shteti Osman përfshin vendet e zotnimet e tashme dhe elajetet (krahinat) e privilegjueme.
Ai përban nji tansi prej së cilës asnji pjesë nuk mund të shkëputet n’asnji kohë e për asnji arsye.
Neni 2
Stambolli asht kryeqyteti i Shtetit Osman.
Ky qytet nuk ka asnji privilegj ose shlirim [imunitet] të veçantë përmbi qytetet tjera të shtetit.
Neni 3
Sovraniteti osman, i cili përfshin Kalifatin e naltë t’Islamit, i përket pinjollit ma të moshuem të derës së naltë (dinastisë perandorake) t’Osmanit, simbas mënyrës së vendosun qysh moti.
Neni 4
Madhnia e tij Padishahu asht, me titullin e Kalifit, mbrojtësi i fesë myslimane.
Ai asht sundimtar dhe padishah i të gjithë nënshtetasve osmanë.
Neni 5
Madhnia e tij Padishahu asht i papërgjegjshëm: Vetja e tij asht e shejtë.
Neni 6
Liria e antarëve të dinastisë perandorake osmane, prona e tyne e palujtshme dhe vetjake, dhe pagat e tyne të përjetshme nga shteti janë nën mbrojtjen e të gjithëve.
Neni 7
Madhnia e tij Padishahu ka këto tagre mes të drejtash të tij sovrane:
- me i emnu dhe me i shkarku Ministrat;
- me dhanë grada, detyra, dhe nishane t’urdhnave të tij të meritës;
- me i caktu krenët e elajeteve të privilegjueme në mënyrat e caktueme prej privilegjeve që u jepen;
- me pre pare;
- me iu përmendë emni gjat hytbeve (ligjeratave të xhumasë) në xhamia;
- me lidhë marrëveshje me fuqitë e hueja;
- me shpallë luftë;
- me ba paqe;
- me i komandu ushtritë në det e në tokë;
- me i drejtu veprimet ushtarake;
- me zbatu sheriatin dhe ligjet;
- me nxjerrë rregullore për mbarështimin botor (administratën publike);
- me i falë ose zbutë ndëshkimet e shqiptueme prej gjyqeve ndëshkimore;
- me e thirrë Mexhlisin e Përgjithshëm dhe me ia ndërpre punimet;
- me e shpërnda, nëse e sheh të nevojshme, Dhomën e Deputetëve, me kusht që thërret zgjedhje të reja për deputetë.
E drejta botore (publike) e osmanëve
Neni 8
Të gjithë ata që i përkasin nënshtetsisë osmane, të cilësdo fe ose sekt qofshin, quhen padallim osmanë.
Cilsia e të qenit osman fitohet ose humbet simbas kushteve të caktueme me ligj.
Neni 9
Të gjithë osmanët gëzojnë liri vetjake me kusht që të mos e cenojnë lirinë e njerëzve tjerë.
Neni 10
Liria vetjake mbrohet nga çfarëdo cenimi.
Askush, për asnji shkak, nuk mund të vujë kurrfarë ndëshkimi, përveç në rastet dhe në mënyrat e caktueme me ligj.
Neni 11
Feja e Shtetit Osman asht Islami.
Tue rujtë kët parim, shteti e mbron ushtrimin e lirë të të gjitha feve të njohuna në vendet osmane, dhe i respekton privilegjet fetare dhanë bashkësive të ndryshme me kusht që të mos e shkelin rendin botor dhe moralin.
Neni 12
Shtypi asht i lirë mbrenda kufijve të caktuem me ligj.
Neni 13
Osmanët e kanë privilegjin me themelu shoqata tregtare, industriore, ose bujqsore mbrenda kufijve të caktuem me ligj dhe rregullore.
Neni 14
Nji ose disa nënshtetas osmanë kanë të drejtë me i parashtru autoritetit përgjegjës ankesë për shkelje ligjesh ose rregulloresh në dam të vetë ankuesit ose mirëqenies botore. Gjithashtu, mund t’i paraqesin, në trajtë ankese, lutje të nënshkrueme Mexhlisit të Përgjithshëm Osman për t’u anku rreth sjelljes së zyrtarëve ose nëpunësve shtetnorë.
Neni 15
Arsimi asht i lirë.
Çdo osman mund të ndjekë mësime botore ose private me kusht që t’u përmbahet ligjeve.
Neni 16
Të gjitha shkollat janë nën mbikqyrjen e shtetit.
Masa të duhuna do të merren për njisimin dhe rregullimin e mësimeve që u jepen të gjithë osmanëve, por pa ndërhy n’arsimin fetar të bashkësive të ndryshme.
Neni 17
Të gjithë osmanët janë të barabartë para ligjit.
Ata kanë të njejtat të drejta dhe të njejtat detyrime ndaj vendit, pa marrë parasysh fenë.
Neni 18
Për t’u pranu në detyrë botore, nënshtetasit osmanë kanë për kusht me e dijtë turqishten, e cila asht gjuha zyrtare e shtetit.
Neni 19
Nënshtetasit pranohen në nëpunsi shtetnore simbas meritës dhe zotsisë.
Neni 20
Vlersimi dhe shpërndamja e tatimit do të caktohet simbas ligjeve të posaçme dhe rregulloreve në përpjestim me pasuninë e secilit tatimpagues.
Neni 21
Mbrohet prona e patundshme dhe vetjake e dëshmueme me rregull.
Kurrfarë shpronsimi nuk mund të bahet përveçse për nevoja botore me dëshmi të mjaftueshme dhe me pagim paraprak në përputhje me ligj dhe me vlerën e pronës që do të merret.
Neni 22
Banesa asht e pacenueshme.
Autoritetet nuk mund të hyjnë dhunshëm në banesën e askujt, përveçse në rastet e caktueme me ligj.
Neni 23
Askush nuk mund të shtrëngohet me u paraqitë para gjykate, përveçse para gjykatës përgjegjëse simbas ligjit të procedurës, i cili do të shpallet.
Neni 24
Ndalohen marrja e pronës, angaria (puna e detyrueme), dhe ndëshkimi me marrje të pronës.
Përjashtohen nga ky nen tatimet e caktueme ligjnisht në kohë lufte dhe masat e domosdoshme në gjendje lufte.
Neni 25
Asnji shumë paresh nuk mund të caktohet si detyrim a tatim ose çfarëdo emërtimi tjetër, përveçse me anë të ligjit.
Neni 26
Ndalohen plotsisht dhe përfundimisht tortura dhe të gjitha mënyra tjera të keqtrajtimit.
Ministrat
Neni 27
Madhnia e tij Padishahu i ngarkon me detyrat e Sadriazemit (kryevezirit ose kryeministrit) dhe Shejhylislamit (kryemyftiut) ata veta të cilët bindja e tij e thellë i mendon të duhuna për t’i thirrë.
Emnimi i ministrave tjerë bahet me irade (urdhën) perandorake.
Neni 28
Këshilli i Ministrave mblidhet nën kryesimin e Sadriazemit.
Tagri i Këshillit të Ministrave përfshin të gjitha punët e randësishme të shtetit, të mbrendshme a të jashtme.
Ato vendimmarrje të tij që duhet t’i paraqiten për pëlqim Madhnisë së tij Padishahut futen në fuqi me irade perandorake.
Neni 29
Kreu i secilit dikaster ministror mbarështon mbrenda kufijve të tagrit të vet punët që i përkasin dikasterit të vet.
Ato [punë] që janë përtej këtij kufizimi ia bart Sadriazemit.
Sadriazemi vendos për çashtjet e paraqituna prej krenëve të dikastereve të ndryshme, qoftë tue i bartë, po qe nevoja, para Këshillit të Ministrave dhe tue i paraqitë pastaj për pëlqim perandorak, ose, në të kundërtën, tue vlersu simbas gjykimit të vet ose tue ia paraqitë për vendim Madhnisë së tij Padishahut.
Nji rregullore e posaçme do të caktojë llojet e ndryshme të punëve të secilit dikaster ministror.
Neni 30
Ministrat janë përgjegjës për vendimet dhe veprimet nën mbikqyrjen e tyne.
Neni 31
Nëse nji ose ma shum antarë të Dhomës së Deputetëve dëshiron me u anku ndaj nji ministri n’emën të përgjegjsisë së tij dhe për fakte të cilat Dhoma ka të drejtë t’i dijë, kërkesa që përmban ankesën i paraqitet kryetarit, i cili ia përcjell mbrenda tri ditëve zyrës përgjegjëse simbas rregullores së mbrendshme për ta shqyrtu ankesën dhe vendosë nëse ka arsye me ia paraqitë Dhomës për shqyrtim.
Vendimi i zyrës merret me shumicë votash, mbasi të jenë marrë informatat e nevojshme dhe ministri i akuzuem të ketë dhanë shpjegim.
Nëse zyra mendon se duhet t’ia paraqesë ankesën Dhomës, njoftimi që cek kët vendim lexohet në mbledhje të hapun, dhe Dhoma, mbasi ta ndigjojë shpjegimin e ministrit t’akuzuem, i cili ftohet me marrë pjesë në mbledhje, ose të të dërguemit të tij, voton me shumicë absolute prej dy të tretash mbi përmbylljet e njoftimit.
Në rast të miratimit të këtyne përmbylljeve, nji kërkesë për gjykimit e ministrit t’akuzuem i dorzohet Sadriazemit, i cili ia paraqet për pëlqim Madhnisë së tij Padishahut dhe ia përcjell Gjykatës së Naltë me anë të nji iradeje perandorake.
Neni 32
Nji ligj i posaçëm do ta caktojë procedurën për gjykimin e ministrave.
Neni 33
Nuk ka dallim mes ministrave dhe vetave private sa u përket padive private ose padive jashtë detyrave të tyne [zyrtare].
Paditë e kësaj natyre i barten juridiksionit të rregullt.
Neni 34
Ministri gjykimin e të cilit e ka miratu Dhoma, me t’u akuzu nga Gjykata e Naltë, pezullohet nga detyra deri kur të lirohet nga akuzat kundër tij.
Neni 35
Në rast të mospranimit, me votë nga Dhoma e Deputetëve, e nji projektligji, në miratimin e të cilit ministria (kabineti, qeveria) mendon se duhet të kambëngulë, Madhnia e tij Padishahu urdhnon, n’ushtrim të Sovranitetit të tij, ose ndërrimin e ministrisë (shkarkimin e ministrave; ndërrimin e kabinetit ose qeverisë) ose shpërndamjen e Dhomës me kusht të zgjedhjeve të reja për deputetë mbrenda afatit të caktuem me ligj.
Neni 36
Në rast nevoje të ngutshme, nëse Mexhlisi i Përgjithshëm nuk [mund të] mblidhet, ministria (kabineti, qeveria) nxjerr dispozita [ligjore] për ta mbrojtë shtetin ndaj rrezikut ose për ta rujtë sigurinë botore.
Këto dispozita, të miratueme me irade perandorake, kanë përkohsisht fuqinë e ligjit nëse nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Ato duhet t’i paraqiten Kuvendit të Përgjithshëm sa ma parë që mund të mblidhet.
Neni 37
Secili ministër ka të drejtë me marrë pjesë në mbledhjet e Pleqsisë dhe Dhomës së Deputetëve ose me u përfaqësu nga nji zyrtar i naltë i dikasterit të tij.
Ai ka gjithashtu të drejtë fjale para çdo antari të dhomës që mund ta kërkojë fjalën.
Neni 41
Çdo zyrtar ka për detyrë ta respektojë eprorin, por bindjen ua ka hak vetëm urdhnave të dhanë mbrenda kufijve të trasuem prej ligjit.
Për vepra në kundërshtim me ligjin, fakti se i asht bindë eprorit nuk e liron nga përgjegjsia zyrtarin që i ka kry ato.
Mexhlisi i Përgjithshëm
Neni 42
Mexhlisi i Përgjithshëm përbahet prej dy dhomash: Dhoma e të Dalluemve (ose Pleqsia) dhe Dhoma e Deputetëve.
Neni 44
Madhnia e Tij Padishahu mundet që, simbas nevojave të rrethanave, ta përshpejtojë mbledhjen ose t’i shkurtojë ose zgjasë punimet [e Mexhlisit të Përgjithshëm].
Neni 46
Të gjithë antarët e Mexhlisit të Përgjithshëm betohen për besnikni ndaj Madhnisë së Tij Padishahut dhe ndaj vendit, për me iu bindë Kushtetutës, me i kry detyrat e besueme, dhe për mos me u përfshi në vepra që bijnë në kundërshtim me ato detyra.
. . .
Neni 47
Antarët e Mexhlisit të Përgjithshëm janë të lirë me i shprehë mendimet e tyne dhe me votu siç kanë dëshirë.
Ata nuk mund të detyrohen me kushte ose premtime, e as të ndikohen me kërcënime.
Ata nuk mund të përndiqen për mendimet ose votat që japin gjatë debateve, përveç nëse kanë vepru kundër procedurave të dhomës, kur këto janë në përputhje me rregulloret në fuqi.
Neni 53
Nisma për me paraqitë nji projektligj ose me ndryshu nji ligj ekzistues i përket ministrisë (kabinetit, qeverisë).
Pleqsia dhe Dhoma e Deputetëve gjithashtu mund të paraqesin nji ligj të ri ose ndryshimin e nji ligji ekzistues, tue iu referu çashtjeve mbrenda krahinave të tyne.
Në rast të tillë, kërkesën ia paraqet Sadriazemi Madhnisë së Tij Padishahut, dhe, në qoftë e duhun, nji irade perandorake i jep tagër Këshillit të Shtetit, të ndihmuem me të dhana dhe hollsi nga qarku i duhun, me e përgaditë projektligjin.
Neni 54
Projektligjet e punueme nga Këshilli i Shtetit i paraqiten së pari Dhomës së Deputetëve, dhe mbasandej Pleqsisë.
Edhe nëse kalon në të dy dhomat, asnji projektligj nuk bahet ligj deri mbasi të shpallet me irade perandorake.
Asnji projektligj që hidhet poshtë nga njana dhomë nuk mund të paraqitet për herë të dytë gjatë të njejtave punime (të njejtit sesion).
Neni 55
Nji projektligj nuk quhet i miratuem nëse nuk ka kalu mbanë me shumicën e votave në Dhomën e Deputetëve ashtu në Pleqsi në votim nen për nen dhe i tanë projektligji nuk asht votu nga shumica në secilën prej dy dhomave.
Neni 56
Me përjashtim të ministrave, të zavendësve që ata dërgojnë, dhe të zyrtarëve të thirrun me ftesë të posaçme, askush nuk mund të paraqitet n’asnjanën dhomë, e as të bajë çfarëdo kumtimi, qoftë tue u paraqitë n’emnin e vet ose si përfaqësues i ndonji organi.
Neni 57
Debatet në të dy dhomat zhvillohen në gjuhën turke.
Projektligjet shtypen dhe qarkullohen para ditës që janë caktu për diskutim.
Pleqsia
Neni 60
Kryetari dhe antarët e Pleqsisë i emnon drejtpërdrejt Madhnia e Tij Padishahu. Numri i pleqnarëve nuk mund ta kalojë nji të tretën e antarëve të Dhomës së Deputetëve.
Neni 61
Për t’u emnu pleqnar, [kandidati] duhet:
- me pas tregu me vepra të veta se e meriton besimin botor, ose me pas kry shërbime të dallueme shtetit; dhe
- me e pas mbërri, të paktën, moshën 40-vjeçe.
Neni 62
Pleqnarët emnohet për jetë.
. . .
Dhoma e Deputetëve
Neni 65
Numri i deputetëve caktohet në nji deputet për çdo 50 mijë meshkuj të nënshtetsisë osmane.
Neni 66
Zgjedhjet mbahen me votë të msheftë. Mënyra e zgjedhjes do të caktohet me ligj të posaçëm.
Neni 67
Detyra e deputetit nuk asht e përputhshme me funksione botore, përveç ato të ministrit.
Çdo zyrtar tjetër botor që zgjedhet deputet asht i lirë me e pranu ose me e refuzu [detyrën e deputetit]; por, në rast se pranon, duhet të heqë dorë nga detyra tjetër.
Neni 68
Nuk kanë të drejtë të zgjedhen deputetë ata që:
(1) nuk i përkasin shtetsisë osmane;
(2) me rregullore të posaçme në fuqi, gëzojnë shlirime (imunitete) që u jepen shërbimeve të hueja të cilave u takojnë;
(3) nuk e kuptojnë turqishten;
(4) nuk e kanë mbushë moshën 30-vjeç;
(5) ndodhen në shërbim të nji individi privat;
(6) kanë falimentu dhe s’janë rehabilitu;
(7) kanë nam të keq për sjelljet e tyne;
(8) u asht heqë me vendim gjyqsor aftësia juridike për të vepru, dhe ai vendim gjyqsor nuk asht shfuqizu;
(9) nuk i gëzojnë të drejtat qytetare;
(10) pretendojnë me pasë shtetsi të huej.
Mbasi të përfundojë periudha e parë prej katër vjetësh, nji nga kushtet për t’u zgjedhë ka me qenë aftësia me lexu turqisht dhe, për sa të jetë e mundshme, me shkru n’at gjuhë.
Neni 69
Zgjedhjet e përgjithshme të deputetëve mbahen çdo katër vjet.
Mandati i secilit deputet zgjat vetëm katër vjet, por ai mund të rizgjedhet.
Neni 70
Zgjedhjet e përgjithshme fillojnë ma së voni katër muej para 1 nandorit (14 nandorit, simbas kalendarit gregorian), që asht data e caktueme për mbledhjen e Dhomës.
Neni 71
Secili antar i Dhomës së Deputetëve përfaqëson të gjithë osmanët, dhe jo vetëm rrethin që e ka zgjedhë.
Neni 72
Zgjedhësit kanë detyrë me i zgjedhë deputetët prej banorëve të krahinës së cilës i përkasin.
Neni 77
Kryetarin dhe dy nënkryetarët e [Dhomës së] Deputetëve i përzgjedh Madhnia e Tij Padishahu nga nji listë prej nandë kandidatëve, tre për kryesinë, tre për nënkryesinë e parë, dhe tre për nënkryesinë e dytë, të zgjedhun nga dhoma me shumicë votash.
Emnimi i kryetarit dhe nënkryetarëve bahen me irade perandorake.
Neni 78
Mbledhjet e Dhomës së Deputetëve janë të hapuna (publike).
Në të njejtën kohë, Dhoma mund të tubohet si komitet i msheftë, me kërkesën e ministrave, ose kryetarit, ose 15 antarëve, dhe kërkesa votohet në komitet të msheftë.
Neni 79
Asnji deputet nuk mundet, gjatë punimeve, të ndalohet ose përndiqet, përveçse në rast shkeljeje të dukshme ose kur shumica e Dhomës jep leje për përndjekje.
Neni 80
Dhoma e Deputetëve i diskuton projektligjet që i paraqiten.
Miraton, ndryshon, ose refuzon dispozitat që kanë të bajnë me financat ose Kushtetutën.
Shqyrton në hollsi shpenzimet e përgjithshme të shtetit të përfshime në buxhet dhe cakton vlerën me ministrat.
Gjithashtu, përcakton, n’ujdi me Ministrat, natyrën, shumën, dhe mënyrën e vlersimit dhe mbledhjes së të hymeve të caktueme për t’i mbulu shpenzimet.
Gjykatat
Neni 81
Gjyqtarët e emnuem simbas ligjit të posaçëm mbi kët çashtje dhe të pajisun me berat (patentë të detyrëdhanies) janë të pashkarkueshëm, por mund të japin dorëheqje.
. . .
Neni 87
Rastet që kanë të bajnë me sheriatin gjykohen nga gjykatat e sheriatit. Gjykimi i rasteve qytetnore (civile) u përket gjykatave qytetnore.
Neni 91
Përndjekësit botorë (prokurorët publikë) emnohet dhe ngarkohet me punë n’emën të publikut.
Detyrat dhe hierarkia e tyne do të caktohen me ligj.
Financat
Neni 96
Tatimet ndaj shtetit mund të vendosen, vlersohen, dhe mblidhen vetëm simbas ligjit.
Neni 97
Buxheti caktohet me ligj, i cili përmban vlersimet e të hymeve dhe shpenzimeve të shtetit.
Tatimet ndaj shtetit rregullohen nga ai ligj përsa u përket vlersimit, shpërndamjes, dhe mbledhjes së tyne.
Vilajetet
Neni 108
Mbarështimi (administrimi) i vilajeteve mbështetet mbi parimin e shqendërsimit (decentralizimit).
Hollsitë e këtij organizimi do të caktohen me ligj.
Neni 109
Nji ligj i posaçëm do të caktojë në baza ma të gjana zgjedhjet për këshillat mbarështues të vilajeteve, sanxhaqeve, dhe kazave, si dhe këshillit të përgjithshëm (mexhlisit të përgjithshëm të vilajetit), i cili mblidhet përvitshëm në kryeqytetin e secilit vilajet.
Neni 110
Detyrat e këshillit të përgjithshëm të vilajetit do të caktohen me të njejtin ligj të posaçëm, dhe përfshijnë:
- të drejtën me shqyrtu çashtje të randësisë botore, siç janë vendosja e mjeteve të kumtimit, organizimi i arkave për kredi bujqsore, zhvillimi i fabrikave, tregtisë, dhe bujqsisë, si dhe arsimi;
- të drejtën me u kërku autoriteteve përgjegjëse zhdamtim për vepra të kryeme në kundërshtim të ligjeve dhe rregulloreve përsa u përket vlersimit dhe mbledhjes së tatimeve ose çfarëdo çashtjeje tjetër.
Neni 111
Në secilën kaza ka nga nji këshill për secilin prej bashkësive të ndryshme fetare. Ky këshill do ta ketë për detyrë me kontrollu:
(1) mbarështimin e t’ardhunave të pronave të palujtshme të vakëfeve (fondacioneve fetare), përcaktimi i posaçëm i të cilëve bahet shprehimisht prej themeluesve ose simbas përdorimit;
(2) përdorimin e fondeve ose pronave të lana me testamend, të veprave të lëmoshës, ose bamirësisë;
(3) mbarështimin e fondeve për bonjakët, në përputhje me rregulloren e posaçme për kët çashtje.
Secili këshill do të përbahet prej antarëve të zgjedhun nga bashkësia që përfaqësojnë, simbas rregullave të posaçme.
Këta këshilla u nënshtrohen autoriteteve vendore dhe këshillit të përgjithshëm të vilajetit.
Neni 112
Puna e bashkive do të mbarështohet në Stamboll dhe në vilajete nga këshilla të zgjedhun bashkiakë.
Organizimi i këshillave bashkiakë, detyrat e tyne, dhe mënyra e zgjedhjet s’antarëve të tyne do të caktohen me ligj të posaçëm.
Dispozita të ndryshme
Neni 113
Në rast të kryemjes së veprave ose shfaqjes së rrethanave që kanosin trazina kudo në truellin e perandorisë, qeveria perandorake ka të drejtë me shpallë aty gjendjen e rrethimit.
Gjendjerrethimi përban pezullimin e përkohshëm të ligjeve qytetnore (civile).
Mënyra e mbarështimit të viseve në gjendjerrethim do të caktohet me ligj të posaçëm.
Madhnia e Tij Padishahu ka të drejtën e vetme me i përjashtu nga truelli i perandorisë ata që, si rrjedhojë e të dhanave të besueshme të sigurueme nga policia, njihen si rrezik ndaj sigurisë së shtetit.
Neni 114
Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm për të gjithë osmanët. Hollsitë e zbatimit [të këtij neni] do të përcaktohen me ligj të posaçëm.
Neni 115
Asnji dispozitë e Kushtetutës nuk mund të pezullohet ose shpërfillet për asnji arsye.
Neni 116
Në rast nevoje të dëshmueme siç duhet, Kushtetuta mund të ndryshohet në disa prej dispozitave të saj. Ky ndryshim u nënshtrohet këtyne kushteve:
- Çdo propozim për ndryshim, qoftë i paraqitun nga ministria (kabineti, qeveria) qoftë nga njana prej dy dhomave, duhet që, në hapin e parë, t’i paraqitet për debat Dhomës së Deputetëve.
- Nëse propozimi miratohet nga shumica prej dy të tretave e antarëve të Dhomës [së Deputetëve], i bartet Pleqsisë.
- Nëse edhe Pleqsia e miraton ndryshimin e propozuem me shumicë prej dy të tretave, [ndryshimi] paraqitet për pëlqimin e Madhnisë së Tij Padishahut.
- Nëse merr pëlqimin me irade perandorake, merr fuqinë e ligjit.
- Nenet e Kushtetutës, që propozohen me u ndryshu, mbeten në fuqi, deri kur ndryshimi, mbas të votohet nga dhomat, ta ketë marrë pëlqimin me irade perandorake.
Neni 117
Gjykata e Kasacionit ndërpreton ligjet qytetnore e ndëshkimore (civile e penale); Këshilli i Shtetit aktet nënligjore; dhe Pleqsia nenet e Kushtetutës.
Neni 118
Të gjitha dispozitat e ligjeve, rregulloreve, përdorimeve, dhe dokeve (zakoneve) që tani janë në fuqi vijojnë të zbatohen përderisa nuk janë ndryshu ose shfuqizu nga ligje ose rregullore tjera.
Neni 119
Urdhni paraprak i 28 tetorit 1876 mbi Mexhlisin e Përgjithshëm humb fuqinë në fund të punimeve të para (sesionit të parë të Mexhlisit).
Nenet e ndryshueme (gusht 1909)
Neni 3
Sovraniteti osman, i cili përfshin Kalifatin e naltë t’Islamit, i përket pinjollit ma të moshuem të derës së naltë (dinastisë perandorake) t’Osmanit, simbas mënyrës së vendosun qysh moti.
Me të hypë në fron, Madhnia e tij Padishahu betohet para Mexhlisit të Përgjithshëm, ose, nëse Mexhlisi nuk asht i mbledhun, në mbledhjen e tij ma të parë, se do të respektojë vegimet (vizionet) e sheriatit dhe kushtetutës dhe do t’i jetë besnik vendit dhe kombit.
Neni 7
Madhnia e tij Padishahu ka këto tagre mes të drejtash të tij sovrane:
- me iu përmendë emni gjat hytbeve (ligjeratave të xhumasë) në xhamia;
- me pre pare;
- me dhanë zyra të nalta botore dhe tituj, simbas ligjit përkatës;
- me dhanë nishane t’urdhnave;
- me i përzgjedhë dhe emnu Sadriazemin (kryeministrin) dhe Shejhylislamin (kryemyftiun);
- me i pranu në detyrë antarët e Këshillit të Ministrave, të formuem dhe të paraqitun prej Sadriazemit, dhe, simbas nevojës, me i shkarku dhe zavendësu ministrat në përputhje me praktikën e vendosun;
- me e dhanë pëlqimin për futjen në fuqi të ligjeve të përgjithshme;
- me hartu rregullore që kanë të bajnë me punën e dikastereve qeveritare dhe mënyrën e mbarështimit të ligjeve;
- me paraqitë çfarëdo lloj nisme ligjvenëse;
- me zbatu sheriatin dhe ligjet;
- me emnu zyrtarë n’elajetet e privilegjueme simbas kushteve të privilegjeve të tyne;
- me i komandu forcat toksore dhe detare;
- me shpallë luftë dhe me ba paqe;
- me i falë ose zbutë ndëshkimet e shqiptueme prej gjyqeve ndëshkimore;
- me shpallë falje të përgjithshme me miratimin e Mexhlisit të Përgjithshëm;
- me i hapë dhe me i mbyllë punimet e Mexhlisit të Përgjithshëm;
- me e thirrë Mexhlisin e Përgjithshëm para kohe në rrethana të jashtëzakonshme;
- me e shpërnda, nëse asht e nevojshme, Dhomën e Deputetëve, me pëlqimin e Pleqsisë, me kusht që mbahen zgjedhje të reja dhe Dhoma mblidhet mbrenda tre muejsh;
- me lidhë traktate në përgjithsi.
Vetëm pëlqimi i Mexhlisit të Përgjithshëm kërkohet për me lidhë traktate: që kanë të bajnë me paqen, tregtinë, braktisjen ose aneksimin e truellit, ose të drejtat themelore ose vetjake të nënshtetasve osmanë; ose që sjellin shpenzime nga ana e shtetit.
Në rast ndërrimi të ministrisë (kabinetit, qeverisë) kur Mexhlisi i Përgjithshëm nuk asht në mbledhje, përgjegjsia që rrjedh nga ndërrimi i takon ministrisë së re.
Neni 27
Ashtu sikurse Madhnia e Tij Padishahu ua beson postet e Sadriazemit dhe Shejhylislamit burrave të cilëve u zen besë, edhe ministrat tjerë, të cilët miratohen dhe propozohen nga Sadriazemi i ngarkuem për ta formu ministrinë (kabinetin, qeverinë), vërtetohen në postet e tyne me irade perandorake.
Neni 28
Këshilli i Ministrave mblidhet nën kryesimin e Sadriazemit. Merret me çashtje të randësishme, të mbrendshme e të jashtme.
Vendimet për të cilat duhet pëlqimi perandorak futen në fuqi me irade perandorake.
Neni 30
Ministrat janë përgjegjës para Dhomës së Deputetëve kolektivisht për politikat e përgjithshme qeveritare dhe veçeveç për punët e dikastereve përkatëse.
Vendimet për të cilat duhet pëlqimi perandorak janë të vlefshme vetëm nëse nënshkruhen nga Sadriazemi dhe ministri përkatës, të cilët pra pranojnë përgjegjsinë, dhe kundërnënshkruhen nga Padishahu.
Vendimet që merr Këshilli i Ministrave bartin nënshkrimet e të gjithë ministrave, dhe në rast se duhet pëlqimi perandorak, këtyne nënshkrimeve u kryeson ai i Madhnisë së Tij Padishahut.
Neni 41
Të dy dhomat e Mexhlisit të Përgjithshëm mblidhen pa u thirrë më 1 nandor (14 nandor, simbas kalendarit gregorian) çdo vit.
Neni 44
Në rast nevoje, Madhnia e Tij Padishahu mund të thërrasë mbledhjen e Mexhlisit të Përgjithshëm para kohës së caktueme, qoftë me nismën e vet ose me kërkesën e shumicës s’antarëve.
Ai mund edhe t’i zgjasë punimet qoftë me vendimin e Mexhlisit të Përgjithshëm ose me nismën e vet.
Neni 54
Projektligjet bahen ligj mbasi të shqyrtohen dhe të pranohen nga Dhoma e Deputetëve dhe Pleqsia dhe t’u jepet pëlqimi me irade perandorake.
Projektligjet e paraqituna për pëlqim perandorak duhet ta marrin pëlqimin mbrenda dy muejsh ose të kthehen për t’u rishqyrtu.
Një projektligj i rikthyem në shqyrtim duhet të miratohet me votën e shumicës prej dy të tretave.
Projektligjet, që votohen me nguti, duhet të marrin pëlqimin ose të rikthehen në shqyrtim mbrenda dhjetë ditëve.
Neni 120
Osmanët gëzojnë të drejtën e tubimit, me kusht që t’u binden ligjit mbi çashtjen [për të cilën tubohen].
Ndalohen shoqnitë që synojnë me e damtu tansinë toksore të Shtetit Osman, me e ndërru sistemin kushtetues ose qeverisës, me vepru në kundërshtim me Kushtetutën, ose me shkaktu ndamje mes elementëve të ndryshëm osmanë, ose që janë në kundërshtim me moralet botore (publike).
Gjithashtu ndalohet themelimi i shoqnive të mshefta në përgjithsi.
Burimet:
[anglisht] Ottoman Constitution (1876), 2 American Journal Int’l Law 4 (Oct. 1908), pp. 367-387, rrjet (qasë më 2016-03-13)
[anglisht] Ottoman Constitution (1876), World Statesmen, rrjet (qasë më 2015-07-29) (burimi fillestar: Atatürk Inst. for Modern Turkish History, përkthyes i panjohun)
[frengjisht] Constitution ottomane, Digithèque MJP, rrjet (qasë më 2016-03-11) (burimi fillestar: Annuaire de législation étrangère (1876))
[osmanisht] Kanunu Esasi (1293), Türk Anayasa Hukuku, rrjet (qasë më 2015-07-29)
[osmanisht] 1876 Kanun-ı Esasi, TBMM Anayasalar (sajt i Mexhlisit turk), rrjet (qasë më 2016-03-11)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4198