Ne shqiptarët kemi shumë valle kombëtare, dy ekipe kombëtare, një identitet kombëtar. Me punë mund ta bëjmë një skuadër që përfaqëson gjithë kombin, por jo duke lënë anash një pjesë të tij ose tue leju dështimin e shteteve tona.
1.
Fjalorët e gjuhës shqipe nuk e kanë emrin Kombëtare – të paktën jo siç e përdorim në futboll. As literatura digjitale nuk ma jep dot përdorimin ma të hershëm të fjalës, që me shumë gjasë ka gjetë frymëzim në simotrën e saj italiane. Azzurët e qujnë ekipin përfaqësues të Italisë La Nazionale.
Vetë italianët, që nisën skuadrën e tyre më 1910, do të kenë mësu nga britanikët. Kombet e Mbretërisë së Bashkuar – anglezët e skocezët – qenë të parët që më 1872 ngritën ekipe kombëtare të njohura si national team. Për dallim nga Britania, shtetet kryesisht kombëtare të Evropës zgjodhën me u përfaqësu si shtete, duke nisë tradita të veçanta të emërtimit.
Francezët, që lujnë nga 1904-a, i thonë përfaqësueses së vet Ekipi i Francës (L’Equipe de France), diçka si holandezët që kanë Nederlands voetbalelftal. Gjermania (1908) ka përkthy termin anglisht si Fußballnationalmannschaft, kurse Spanja, Portugalia dhe Amerika Latine i qujnë skuadrat e tyre Selección/Seleção apo përzgjedhje, duke qenë se mbledhin lojtarët ma të zgjedhur të vendit. Zvicra shumëgjuhëshe ndjek modelet gjermane, franceze e italiane, varësisht nga gjuha e përdorur.
Mirëpo Danmarks fodboldlandshold, themelu më 1908, domethënë ekipi shtetëror i futbollit i Danimarkës. Fqinjët tanë rëndom thonë reprezentacija, duke ndjekë shembullin e Jugosllavisë shumëkombëshe, që qëllimisht mund ta ketë shmangë emërtimin kombëtar. Komentatorët kosovarë kanë folë me inerci për reprezentacionin jugosllav para se ta shqipëronin këtë fjalë si përfaqësuese. Dhe kur ekipi i Kosovës u ndesh për herë të parë me Shqipërinë më 1993, u zu ngoje Përfaqësuesja. Emri Kombëtare u përhap në Dardani në vitet e Besnik Hasit, gjakovarit që theu kufirin duke iu bashku kuqezijve, ndërkohë që mediat në dy anët nisën me shkru lirshëm për sportin dhe për Shqipërinë.
2.
Ishte pra rastësi që sot u kthy në debat: përfaqësuese apo kombëtare?
As në vitet ma të errëta të pushtimit e të izolimit të Dardanisë, atdhetarët e sportdashësit nuk kishin vu në mëdyshje njëjësinë e kombit shqiptar. Për plot një dekadë, vetëm Shqipëria denjoi me lujtë me Kosovën, duke nisë traditën e ndeshjeve vëllazërore mes dy vendeve tona.
Tani pa u kry mirë fushata e pavarësimit të Kosovës nga Serbia, shqiptarët kanë nisë pa pikë mbëhie kampanjën e policimit gjuhësor ndër tifoza.
Po gabojmë. Sepse Dardania është pjesë e pandashme e kombit shqiptar, dhe çdo ekip që përfaqëson Dardaninë nderon kombin tonë. Identiteti kushtetues i Kosovës shumetnike nuk mund ta zhbëjë këtë, për aq sa Dardanët në Fadil-Vokërr nuk brohorasin veçse shqip – pa llogaritë këtu ndonjë përshëndetje anglisht për miqtë e armiqtë.
Copëtimi i Shqipërisë ka qenë padrejtësi e rëndë që Fuqitë e Mëdha ia bënë kombit tonë. Porse dy shtetet tona sot janë mbërritje tona, që u ngritën mbi tymin e flakët e luftës për liri dhe burunë prej vetvetësisë sonë kombëtare. Shqiptarët janë e ndihen një komb, dhe nga dy shtetet e ndara dëshirojnë të bashkohen natyrshëm në një sipërshtet kombëtar. Këtë mund ta arrijnë vetëm duke njohë dhe duke forcu copëzat që bëjnë të tërën. Copëzat tona janë dhe dy ekipet përfaqësuese.
3.
Ka pak rëndësi si i qujmë dy krerët e shqiponjës, por ka rëndësi që ato t’i vizatojmë bukur në simetri të plotë. Pastaj i thërrasim me emra të vjetër e të rij që pashtershëm burojnë nga gjuha shqipe.
Kur tifozat këndojnë «Besa-besë» për Kombëtaren e Dardanisë, ata sjellin ndërmend brezin e artë të Prishtinës, që simbolizonte qëndresën ndaj pabarazisë dhe shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Dikur nën sundimin osman, pastaj nën zgjedhën serbe, shqiptarëve u ishte mohu qenia e tyre si komb. Jugosllavia qunte serbët komb, shqiptarët narodnost; Serbinë republikë, Kosovën krahinë. A këndej pretendonte barazi. Për një çerekshekull pastaj, sportistët tanë mbetën të izoluar për kinsearsyen se s’ishim shtet. Përzgjedhja e detyruar e fjalëve kështu i rikthen dardanët në një kohë të vështirë, kur u mohohej kombi dhe shtetësia.
Porse brenda kombit, Dardania është një nga dy krerët e shqiponjës – në liri dhe me barazinë e domosdoshme për bashkimin dhe mbrothësinë e shqiptarëve. Kombi ynë s’mund të gëzojë shëndetin pa pasë shtatin, por as mund të përftojë dy kombthe si të ishte skrajë shiu që jep dy gjallesa kur ndahet më dysh. Andaj ia huq kushdo që për hir të bashkimit kundërshton Dardaninë dhe kushdo që për hir të teorive dështake përpall «kombin kosovar».
Kemi dy ekipe kombëtare, siç kemi shumë valle, këngë e festa kombëtare, të sajuara përgjatë shekujsh. Por kemi qenë dhe do të jemi një komb.
4.
Pakkush do t’i mohonte përvojat e ndryshme të pjesëve të ndryshme të kombit. Kështu nga dy ekipet, Kombëtarja e Shqipërisë është ma e moçmja dhe ma gjithëpërfshirësja. Duke hapë kaherë dyert për shqiptarët nga të gjitha trojet tona, ajo u ngrit në shkallën e një organizate mbarëkombëtare, që na mungon në thujse çdo fushë të jetës publike. Ekipi dardan ka kapërcy kufijtë e Kosovës, por për arsye të dukshme ka kapë një rreze ma të ngushtë të hapësirës shqiptare.
Mirëpo si njëra si tjetra skuadër janë degdisje të federatave shtetërore, që nuk e kapërthejnë tërë kombin. Federatën në Tiranë e drejtojnë udhëheqësit e futbollit në Shqipëri; federatën në Prishtinë krerët kosovarë. Garat e klubeve, shkollat e futbollit, shoqatat e referave a gjyqtarëve, e madje komentimet e ndeshjeve mbeten të ndara.
Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka trajnerë a zyrtarë nga Kosova. Klubet nga Shqipëria angazhojnë lojtarë, por jo menaxherë kosovarë. Në Dardani ndodh e kundërta: vijnë trajnerët, por jo lojtarët. Për dekada, federata shqiptare i ka shpërnjohë kampionatet e vetme në të cilat kanë marrë pjesë Prishtina e Prizreni. Kurse 20 vjet pas luftës së Kosovës, idetë për ligën e përbashkët nuk kanë kalu tej shkrimeve të sportdashësve. Ky përafrim mes futbollit të klubeve është i domosdoshëm për të garu denjësisht me kombet e huaja.
Deri tani rrugëtimet i kemi pasë të ndryshme. Dhe udhëheqësit tanë, shpesh të korruptuar, nuk kanë qenë njëmend të gatshëm për t’i kapërcy kufijtë; ata pranojnë bashkimin vetëm brenda kufijve të rehatisë së tyre.
Andaj bashkimin duhet ta bëjmë me udhëheqje të re e të ndershme.
5.
Bashkimi kombëtar duhet të nisë qysh tash. Sepse – siç kam thënë sa herë – nuk është reçel mbas darke, që do ta hamë pasi të bëjmë shtete funksionale. Bashkimi është dhe mjet për shtetin, po aq sa synim historik i shqiptarëve.
Porse bashkimi vjen vetëm atëherë kur ta kërkojmë me ndërgjegje të plotë, duke ndërtu mekanizmat e duhur sipërshtetërorë e mbarëkombëtarë, që përfaqësojnë siç duhet miset e kombit. Bashkimi është çështje përmbajtjeje, jo thjesht trajte. Dhe s’është nevoja me thënë, se bashkimi nuk ndodh pa Kosovën. Sepse kështu thotë tifozi me plis që s’lë pa këqyrë kurrnjë ndeshje të Kombëtares kuqezi! Sepse Dardania është shqiptare, dhe çdo shqiptar është dhe dardan.
Lejohet me kopju dhe ribotu sipas licencës CC BY-ND 4.0, duke cekë autorin dhe burimin.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6540