Themeluesi i kombit



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ky është shqiptari ma i madh i të gjitha kohëve. Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405–1468), kryezot i Arbrit, themeloi dhe mbajti gjallë kombin tonë përgjatë shekujve.

I ndërgjegjshëm për rrënjët e veta, ai braktisi radhët e osmanëve, që e kishin marrë peng në rini dhe e kishin përgatitë për t’i shërby perandorisë së tyre. Më 28 nëntor 1443, ai mbërriti si çlirimtar në Krujë, dhe riktheu pavarësinë arbërore si sundimtar i principatës së Kastriotit. Më 2 mars 1444, themeloi Besëlidhjen e Arbrit, duke i bashku prijësit e trevave tona në luftë kundër osmanëve.

Për një çerekshekull, Gjergj Kastriotin Skënderbeun e njohu bota — si udhëheqës të shtetit shqiptar, si pasardhës besnik i Pirros së Epirit, si kryekomandant i ushtrisë së vogël që e vetme mposhti perandorinë ma të fuqishme të kohës, dhe si figurë shpresëdhënëse për gjithë Perëndimin.

Skënderbeu i lidhi tok shqiptarët toskë e gegë, katolikë e ortodoksë, malësorë e rrafshjanë, të pasur e të varfër. Ata vunë luftën për lirinë e Arbrit, kushtrimin në gjuhën arbërore dhe besnikërinë ndaj Skënderbeut mbi çdo identitet tjetër. Kështu ata u bënë një komb, i ndërtuar mbi etnosin arbëror në truallin e vet stërgjyshor.

Skënderbeu i vuri shqiptarët nën tagrin e një shteti kombëtar, që sado i kufizuar në kohë e hapësirë, la vragë të pamatshme politike e historike, për ne dhe për Evropën.

Skënderbeu zbatoi në Shqipëri ligjet tona, të drejtën dokesore që përbën një trung të degdisur, por të pandarë. Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Lekë Dukagjinit e Kanuni i Labërisë janë disa prej degëve që i kanë qëndru kohës.

Skënderbeu bëri jehonë jashtë kufijve të Arbrit. Atë e çmonin popujt evropianë, për të cilët përbënte mburojën e vetme ndaj osmanëve të vërsulur kah Perëndimi. Por ma fort e admironin arbërorët e Moresë, në Greqi. Ndonëse larg Shqipërisë, Gjergj Kastriotin e njihnin për prijës të tyrin në luftën kundër pushtuesit osman.

Arbërorët qenë pjesë e një kombi, që Skënderbeu e rujti edhe pas vdekjes. Kur mizoria e armikut u bë e papërballueshme në Arbëri e në More, arbëreshët gjetën shtëpi të re në Kalabri e në Sicili — në katundet që kryetrimi ynë i kish marrë dhuratë më 1461, pasi kish zbarku në Itali për ta shpëtu mbretin e Napolit përballë rivalëve të tij.

Shekuj ma vonë, kur rilindasit tanë nisën lëvizjen për pavarësi, arbëreshët e Italisë u dhanë përkrahjen shpirtërore e materiale që e bënë sërish Shqipërinë. Ata dhe sot i këndojnë me krenari Skënderbeut.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu ndërroi jetë më 17 janar 1468 për të hy në historinë botërore dhe në vetvetësinë tonë kombëtare si ikona ma e pavdekshme dhe ma e pazëvendësueshme.

Skënderbeu
Ky vizatim pjesërisht i modifikuar është nxjerrë nga një portret i Skënderbeut në një libërth me vjersha serbisht Skenderbeg u pesmama (1883). Vetë portreti mbështetet në gravurën e artistit gjerman Friedrich Gustav Adolf Neumann, botuar në revistën Die Gartenlaube: Illustriertes Familienblatt (nr. 744) më 1869. Këto portrete janë riprodhu nga Luan Tashi, në koleksionin Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve (2018), f. 270–71 e 282–83, dhe në botime të ndryshme shqiptare e të huaja.