Viti 13 i pavarësisë, 2413 i Bardhylit

Hyrja e minierës së Trepçës në Stantërg (nga Ruben Neugebauer, 2015


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Sot Republika e Kosovës, shteti i rilindur i Dardanisë sonë të lashtë, mbush 13 vjet. Sikur epokën tonë ta matnim prej motit kur xehetari Bardhyl përmbysi mbretin Sirra dhe u bë prijës popullor i të parëve tanë, sivjet do të kremtonim vitin 2413 të Bardhylit.

Rrebeshet e historisë kanë shpërla shumë herë vendin tonë. Tregimin për Dardaninë e gjejmë në libra, në veprën e Strabonit helen dhe Pjetër Bogdanit arbënor. Por fryma e popullit punëtor që përpiqet të gëzojë begatinë e tokës së vet na përcjell edhe sot. Minatorët e donin Bardhylin, sepse ai ishte i guximshëm, ishte një nga ta dhe punonte për ta, frytet e punës ua ndante të gjithëve njëlloj dhe Dardaninë e bënte të fuqishme e të mbrothtë.

Shekujt panë dyndjen e njerëzve, kulturave e gjuhëve, ngritjen e shkatërrimin, tërmetet e murtajën, lufta, lëvizje e sprova prej ma të ndryshmeve. Populli zot e krenar i Dardanisë rujti vetvetësinë — me doket e veta të nderit, barazisë, lirisë e besës, me gjuhën e vet të përbashkët, me truallin e vet të njëshëm dhe me lidhjet e gjakut e të afrisë. Ky popull është kombi shqiptar. Ky komb dhe çdo qytetar i vendit janë titullari i shteti të pavarur që kremtojmë sot.

E gëzofshim pra Republikën tonë të lirë! ❤

Foto: Hyrja e minierës së Trepçës në Stantërg (nga Ruben Neugebauer, 2015)