Kjo asht poema e mbramë që shkruj për ty,
copëndjenja e fundit që e qes në letër
edhe e mbylli me çelësin e qejfit.
Po heci.
Kadale po sigurt po shkoj.
Me veti në strajcë po e marr ndjenjën për ty,
pak kujtime të bukura edhe do t’qeshuna pa fre.
Po e marr edhe reflektimin e syve tu në buzëqeshjen teme sa herë të kam pa.
Ndoshta më duhet.
Për net të gjata e ditë të randa.
Po i baj bashkë edhe po heci në dimensionin real.
Se kjo s’asht koha jonë.
S’asht vendi për neve.
S’asht universi i duhun.
Po në këtë univers të gabuem
krijumë do kujtime të duhuna
që kam me i mbajtë gjithë ngat shpirtit.
Ngat këtij shpirti që sot po hec prej teje
e po na len hapsinë dyve me marrë frymë.
Ndoshta në nji tjetër univers
kemi me u taku prapë
edhe nën mjegullnajën e déjà-vu-ve kam me t’pytë:
«A mos t’njoh prej dikah?».
E nën cakrrimën e gotave t’verës kemi me qeshë tu diskutu
qysh edhe ti deshte me ma ba t’njejtën pytje.
Të padijshëm për historinë e këtij dimensioni
kemi me kriju kujtime t’reja që n’universin tjetër
ndodh që i çojmë deri në fund.
Ilustrimi: Ulleo
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2P6etb5