Rëndom urojmë «Gëzuar ditëlindjen» ose «Urime [për] ditëlindjen». Por ndodh ndonji purist të na ngatërrojë me datëlindjen. E ka gabim, jo veç pse e kundërshton përdorimin e mirëvendosun, por edhe pse ia huq kuptimin fjalës. Qe ku dallojnë këto dyja (po e citoj nji postim timin të kahmotshëm):
ditëlindje, ~ja
Dita e vitit në të cilën dikush ka lindë; përvjetori i lindjes. Ndodh çdo vit, ose njiherë në katër vjet nëse bjen më 29 shkurt. Rëndom, në kulturën perëndimore dhe rruzullore sot, njerëzit e festojnë ose ia urojnë njani-tjetrit. N’asnji rast nuk shënon ditën e javës në të cilën ka le dikush. Nuk duhet ngatërru me datëlindjen.
Për shembull: E kam ditëlindjen më 1 janar. • Gëzuar ditëlindjen! • Urime (për) ditëlindjen! • M’erdhën shokët për ditëlindje. • Përpara, kur kemi qenë ma të ndikuem prej kulturës lindore, nuk i kemi festu ditëlindjet.
datëlindje, ~ja
Data e lindjes; data (dita, mueji, viti) në të cilën ka lindë dikush. Ka ndodhë njiherë, dhe nuk përsëritet ma. Jepet rëndom si pjesë e të dhanave vetjake për ta identifiku dikend ose në jetëshkrimin e dikujt. Nuk duhet ngatërru me ditëlindjen, edhe pse dikush e përdor me at kuptim.
Për shembull: Emni? Filan Fisteku. Datëlindja? 1 janar 2000. Vendlindja? Katund. • Për dallim nga vendet e qytetnueme, disa shoqni të mbrapambetuna nuk kanë mbajtë shënime të rregullta. Dhe për këte e arsye tjera, nuk dihet datëlindja e saktë e shum figurave historike. • Prijësi libian Muamer Gadafi i kish prindët analfabetë, andaj ata nuk dijtën me ia shënu as vitin, e le ma datën e saktë të lindjes.
Ata që thonë datëlindje japin shpjegime të çuditshme. Thonë se ditëlindja shënon ditën e javës (e hanë, e martë…). Por e kanë gabim. Askush nuk e feston ditën e javës në të cilën asht lindë; kjo kish me qenë absurde. Për ma tepër, e dijmë se ditët e javës dhe ditët e vitit nuk përputhen knap: 1 janari nji vit asht e hanë, e tjetrin del e martë. Kur e festojmë ditëlindjen na e shënojmë ditën e caktueme mbrenda nji viti, ditën kur e mbushin motin — p.sh., ditën e 125-të të vitit, që i bjen 5 maji.
Në nji arsyetim tjetër thonë se data nënkupton muejin dhe ditën e muejit së bashku: 1 gusht, 28 nandor, etj. Por as kjo nuk qëndron. 1 gushti asht datë përderisa bahet fjalë për 1 gushtin e nji viti të caktuem: Konfederata Zvicerane u themelu më 1 gusht 1291. Edhe nëse viti nuk thuhet, nënkuptohet: E caktova datën e martesës; 28 nandor (të këtij viti).
N’asnji gjuhë të botës që unë e njoh sadopak nuk dij që thotë kush «Gëzuar datëlindjen». Thuhet birthday anglisht, rođendan sërbokroatisht, doğum günü turqisht; disa gjuhë kanë fjalë që nënkuptojnë përvjetor ose mbushjen e viteve, pa e përmendë ditën (anniversaire frangjisht dhe cumpleaños spanjisht). Anomalinë me datëlindje për përvjetorin e lindjes e hasim veç te do shqiptarë.
Por siç shpjegon dashamiri i gjuhës Valon Kito, edhe këta që thonë «Gëzuar datëlindje» urojnë «Gëzuar Ditën e Flamurit»:
Festojmë Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Nënave etj. Dita vjen çdo vit ndërsa data s’vjen sepse në datë përfshihet edhe viti. D.m.th. me datëlindje nënkuptojmë një datë specifike që shkruhet nëpër dokumente (p.sh. 23.8.2018), ndërsa festojmë ditëlindjen në ditën e 23 gushtit çdo vit.
Krahasimi me festat publike na ndihmon veçanërisht. Data kur Dardania e ka rishpallë pamvarësinë asht 17 shkurti 2008. Kurse Dita e Pamvarësisë kremtohet më 17 shkurt çdo vit. Sepse çdo 17 shkurt — që i bjen dita e 48 e vitit — përfundon edhe nji vit tjetër prej se e kemi ba republikën.
Fatkeqsisht, ithtarët e datëlindjes gjejnë mbështetje te fjalorët e Akademisë Shqiptare. Fjalori i viteve 80 e jep shembullin «I festuan (festoi) datëlindjen», kurse ai i 2006-s ka ditëlindjen si sinonim të datëlindjes. Akademia e politizueme rëndom ma shum tregon se si duhet me e përdorë gjuhën sesa që përshkrun qysh e përdorin ate shqiptarët. Për shembull, miliona shqiptarë thonë «me mshelë», por fjalori zyrtar e ka dëbu kët folje dekada ma parë.
Pse ka vendosë Akademia me e përshkru përdorimin e datëlindjes në vend të ditëlindjes, unë nuk muj me e dijtë. Por ky përdorim asht i gabuem logjikisht, dhe për ma tepër, aq i kufizuem sa nuk meriton me e përligjë si ndryshim të gjuhës. Veçmas, nuk ban kurrsesi me e korrigju dikend që thotë ditëlindje dhe me i shitë mend se duhet datëlindje. Mjafton me kërku n’internet për «Gëzuar ditëlindjen» dhe «Gëzuar datëlindjen» për me pa se ditëlindja n’at kontekst përdoret deri në 10 mijë herë ma shum se datëlindja.
Në fund, vetë fjalori i Akademisë e përkufizon datën si diçka që ngjan në nji vit të caktuem: «dita e muajit të një viti të caktuar në kalendar: në datën 28.11.1912».
Prandej ky debat kryhet me kaq. Na bajmë ndeja për ditëlindje, sepse ditëlindja ndodh çdo vit. Kurse në letërnjoftim e shënojmë datëlindjen, sepse datëlindja ka ndodhë vetëm njiherë, në vitin që kemi le, dhe nuk përsëritet ma.
(përditsu)
Foto: Profivideos
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5355