Gjuha e bashkimit kombëtar



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Kur shqipja asht e pastër, ajo ruen shqiptarët si komb më vete. Dëlirjen e gjuhës, dijetari Eqrem Çabej e quente sa “detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare.”

Dallas, Texas — Shqiptarët janë një komb në saje të gjuhës. Shqipja, në letërsi dhe në të folmet, paraqet vetë kombin shqiptar. Prandaj, një gjuhë kombëtare e pastër është e domosdoshme për të ruajtur vetëvetësinë shqiptare. Ndonëse dijetarët nuk e shohin si të nevojshme për të kumtuarit mes njerëzve, dëlirja e gjuhës i nevojitet kombit, sepse i jep shtysë bashkimit dhe zhvillimit të tij. Gjuhëtari Eqrem Çabej e quante sa “detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare.”

Dëlirësia e fjalësit mundëson tejkalimin e vështirësive gjuhësore brenda një shoqërie. Rast i tillë, bie fjala, është kur fjalët e shprehjet e huaja jo vetëm se kanë dërmuar një gjuhë, por kanë prekur të folme të caktuara të asaj gjuhe. Vetë huazimet në shqipe shpesh përfundojnë në krahinarizma dhe, ndonëse tani kjo ndodh më rrallë, nuk janë gjithherë të kuptueshme për të gjithë shqiptarët. Për shembull, fjala greke jatró, që përdorej në jug për një mjek, është gati plotësisht e panjohur për shqipfolësit nga veriu. Po ashtu, turqizmat si henèz (ende) ose dogri (drejt), sado të përhapura në trevën e Anamoravës, janë fjalë të padëgjuara për shumë shqiptarë nga vise të tjera.

Fjalët shqipe ndihmojnë në sheshimin e dallimeve të tilla, që vazhdojnë edhe sot. Shpeshherë, një trevë përdor një fjalë të huaj edhe pse bashkëkombësit në anë të tjera zotërojnë fjalën shqipe. Në ndonjë tjetër rast, njëri shtet shqiptar huazon një fjalë të huaj, pa e ditur se përtej kufirit londinar përdoret prej kohësh një huazim nga një gjuhë tjetër. Në Prishtinë, soliterat apo rrokaqiejt kanë lift; ndërsa në Tiranë, kateve të sipërme të grataçelëve, ngjitet ashensori. Teksa ndalemi te fjala e parë, vërejmë se rrokaqiell është fjalë shqipe; fjala franceze soliter asnjëherë nuk ka gëzuar vend në gjuhën e shkruar; kurse huazimi italian, grataçel, mbetet jo gjithaq i përdorshëm, fjala bie, për një marrëveshje me shkrim ndërmjet një kompanie tiranase dhe një firme prishtinase. Megjithatë, janë fjalët e huaja lift e ashensor që krijojnë huti. Njëra angleze, e shkurtër dhe e thjeshtë, kurse tjetra franceze, e gjatë dhe elegante, bëjnë që shqiptarët të mos mund të përcaktohet lehtë. (Përveç shortit, mundësia është për të sajuar një fjalë të re shqipe: mbase lartngritës.) Telashe të ngjashme paraqesin fjalët sobë-shporet, kanatiere-maicë, lavazh-autolarje, gomister-vullkanizer etj.

Pastrimi i gjuhës ndihmon edhe në raste ku njerëzit komunikojnë me vështirësi, teksa zihen ngushtë nga fjalët e huaja që nuk mund t’i shqiptojnë ose, edhe në i përdorshin vetë, i shqiptojnë ndryshe. Në gjuhën tonë, shumë turqizma nuk shqiptohen njëlloj nga të gjithë shqiptarët. Ndonëse në fjalor figuron fjala dynjá, ajo dëgjohen aty-këtu si dyjè, që në të vërtetë nuk është keqshqiptim, por përshtatje e fjalës ndaj ligjeve të tingujve të shqipes (shih, po ashtu, selam-selamë). Duke përdorur fjalën shqipe botë, aty ku turqizma nuk është gjithaq e nevojshme (krahaso, p.sh., me fjalët teneqé-tenéqe, bakllavá-bakllavë etj.), i shmangemi një mëdyshje mes shqiptimin origjinal apo zbatimit të ligjësisë së vetë gjuhës sonë. (Prej huazimeve të tjera, dallojnë edhe ato sllave, si p.sh., opingë-opangë.)

Në përgjithësi, ndërsa huazimet e vjetra që kanë mbijetuar në shqipe nuk paraqesin gjithaq vështirësi, janë fjalët e reja ndërkombëtare që nganjëherë krijojnë ngatërresa. Për shembull, në Shqipëri hasim shqiptimin kompjúter/kompjúteri, ndërsa në Kosovë kompjutér/kompjutéri. I pari, ndonëse ruan origjinalitetin (sipas gjitha gjasave, italisht), sërish nuk i përshtatet gjithaq tingullësisë së shqipes së sotme, që nuk duron togun fundor –er të patheksuar (shih, p.sh., tjetër/tjetri, jo tjéter/tjéteri; Pjetër/Pjetri, jo Pjéter/Pjéteri; zemër/zemra, jo zémer/zémera etj.; khs. me gegnishten e Fishtës, zêmer/zêmra). I dyti, megjithatë, e humb rendin zanafillor, duke bërë që fjala kompjutér të tingëllojë si berbér, kancér etj. (Një mundësi—nëse nevojitet një shqiptim i njëtrajtshëm për të gjithë shqiptarët—është përshtatja kompjutër. Ndërkohë, një ekspert i kibernetikës dhe gjuhësisë, Sali Doçiqi, parapëlqente fjalën kompjutór në vend të kompjuter-it, duke e krahasuar zgjedhjen e vet me fjalë të tjera të shqipes, si punëtor, murator etj. Ndonëse vetë fjala do të mund të përshtatej, pa dashur t’ia përkthejmë rrënjën, edhe si komputatór ose komputues, përzgjedhja e Doçiqit paraqet një shteg të ndërmjetëm mes dy shqiptimeve konkurruese të fjalës kompjuter.)

Njëkohësisht, përzgjedhja e fjalëve shqipe mund të ndihmojë në një sërë emrash që mbarojnë me –er. Në këtë mes mund të futen edhe fjalët master, printer etj. Po ashtu, mund të preket edhe togu i mbiemrave të huazuar që përfundojnë me –ël/il. Shoqno-gjuhëtari G. Bërlajolli cek dallimet Shqipëri-Kosovë në huazimin e mbiemrave të tipit portabil-portabël apo stabil-stabël, duke vërejtur se trajta portabil mundëson femëroren e shqipes portabile, ndërsa portabël mbetet e pandryshueshme.

Në disa raste, dëlirësia e gjuhës ndihmon në bashkimin kombëtar përderisa prania ose mungesa e fjalëve të huaja ka thelluar dallimet mes shtresave shoqërore. Te shqiptarët, ndarja fshat-qytet është ende e dukshme. Qyteti tradicionalisht arrin të thithë më shpejt fjalë të reja, duke përfshirë edhe fjalësajimet në shqipe ose fjalët e ringjallura. Megjithatë, kur fjalët e reja janë me rrënjë shqipe, ato më lehtë përhapen në vise të tjera. Më të depërtueshme në shqipe kanë qenë, ta zëmë, fjalët shëndet ose (n)dëgjoj, që bashkëjetojnë edhe sot me simotrat shnetë dhe ngoj, sesa fjala kalorifer (ngrohëse), që, në vetëdijen e disa shqipfolësve, do të duhej t’i zinte vendin sllavizmës grejalicë.

Gjithashtu, pastrimi i gjuhës do të pengonte ato huazime që largojnë shqipen nga gjuhë të tjera, duke shkaktuar huti mes shqiptarëve. Ndër të tjera, fjala angleze fitness domethënë përshtatshmëri (fizike), por në shqipe ka marrë kuptimin e fizkulturës ose body-building-ut. Njëkohësisht, siç e kanë vënë re shumë qëmtues gjuhe, shqipfolësit ngatërrojnë fjalët e përafërta si adoptoj (birësoj) dhe adaptoj (përshtat). Në raste të tjera, fjalët që ekzistojnë njëherësh në anglishte dhe në frëngjishte, por kanë kuptime të ndryshme, kanë shtuar ngatërresat për shqiptarët që përvetësojnë të dy domethëniet: për shembull, fjala eventualisht, po u huazua prej anglishtes eventually, do të thotë përfundimisht, më në fund; kurse frëngjishtja përdor éventuellement me kuptimin gjasshëm, mundësisht apo po qe nevoja.

Dëlirja e fjalësit të shqipes është e nevojshme sepse, ç’është më e keqja, prurjet nga gjuhët e huaja nuk u kanë dhuruar shqiptarëve atë pasuri fjalësh që të mund të shprehin ngjyrime mendimesh. Ta zëmë, injorant shpesh përdoret sa me domethënien i paditur (më saktë, mosditës), ashtu edhe me kuptimin shpërfillësit. Pastaj, një huazim si diktoj (një letër) thuajse i zë vendin fjalës së moçme njëjtë-tingëlluese (gjasshëm edhe kjo me rrënjë latine: detegere > detegto* > dekto* > diktoj) me kuptimin zbuloj, hetoj etj. Këto ngatërrime vetëm se ua vështirësojnë shqiptarëve të kumtuarit.

Në vazhdimësi, zhvillimi njerëzor po bën që huazimet, e jo fjalët e vjetra të shqipes, të përdoren më shumë, duke rrezikuar vetë gjuhën që është ura lidhëse e gjithë shqiptarëve. Për shembull, kur në llafim politik përdoret gjithherë e më tepër një term i huaj, si kompetencë, ndërsa fjalën tagër e mbulon harresa, përtretet trashëgimia kombëtare në gjuhë. Madje, edhe kur bëhen përpjekje për të sajuar fjalë shqipe, sasia e rrënjëve që mund të përdoren është shumë e vogël dhe përherë e mbushur me huazime, të cilat shpesh as nuk lejojnë fjalëformime (shih, p.sh., mund të mbijetojë një fjalë si tagërmadh, por simotra kompetencëmadh ka pak gjasë të hyjë në punë). Edhe pse thesari i shqipes ngërthen, përveç ilirishtes, edhe shumë rrënjë latine, sllave dhe turke, fjalësi i gjuhës sonë është i veçantë dhe nuk pranon aq lehtë huazime të reja. Huazimet e moçme, të cilat në disa raste nuk ndodhen më në asnjë gjuhë të folur pos shqipes, kanë ndryshuar dhe u janë përshtatur shqipfolësve, çfarë i bën ato më të vyeshme sesa prurjet e reja.

Huazimet e tepruara në disa gjuhë edhe kanë ndihmuar ndarjen në dy standarde. Ndër gjuhët botërore, urduishtja dallon nga indishtja kryesisht në përdorimin e alfabetit arab dhe praninë e shumë fjalëve arabe, ndërsa indishtja përdor skriptin e vjetër indian dhe fjalë të lashta nga tradita letrare në gjuhën mëmë, sanskritishte. Në ish-Jugosllavi, ndërkohë, kroatët këmbëngulnin që të përdornin fjalë burimore sllave, duke mohuar huatë e përhershme që serbët kishin marrë nga frëngjishtja e anglishtja.

Ky problem, megjithatë, nuk ka pse paraqitet te një komb i pandashëm si shqiptarët. Për më tepër, dëlirësia e gjuhës shqipe ka traditën në letrat shqipe. Ajo ka rrënjët qysh në Meshari-n e Buzukut apo në veprën e Bogdanit. Vetë Pjetër Bogdani shkruante se kishte mbledhur fjalë të vjetra të cilat po humbeshin, në mënyrë që t’i përdorte ato në letërsi. Po ashtu, studiuesit kanë vënë re shumë fjalësajime, si te Bogdani, ashtu edhe te shkrimtarët e tjerë të asaj periudhe. Ndërkaq, për përparësitë e gjuhës së dëlirë ishin sidomos të vetëdijshëm rilindasit, ndër të cilët u shquan vëllezërit Frashëri. Duke larguar huazimet e tepruara nga shqipja, shkrimtarët tanë fuqizuan thesarin kombëtar
dhe u mundësuan bashkëkombësve të njihnin më mirë dhe—meqë gjuha e veçantë ua bënte sa të mundshme, aq të detyrueshme—të lidheshin me njëri-tjetrin.

Shqiptarët mund të përfitojnë nga tradita që mbështetet në radhë të parë në thesarin e shqipes, ndërsa u kthehet gjuhëve të huaja vetëm për nevoja të veçanta. Ndonëse vetë thesari i shqipes ka edhe burime të tjera përveç ilirishtes,
shqiptarët e bëjnë shqipen gjithëpërfshirëse vetëm kur përdorin fjalët që kanë lëshuar rrënjë në gjuhën tonë. Fjalët shqipe, sado të njohura apo të përhapura, i shërbejnë më mirë bashkimit kombëtar. Veçse në një shoqëri të lirë, fjalët i zgjedhin vetë folësit. Andaj, shqiptarët duhet të bëjnë përpjekje të vetëdijshme që, aty ku mund të ndikohet natyrshëm—si përmes gjuhës zyrtare, botimeve të mirë-redaktuara, mediave etj.—të nxisin shqipfolësit të përdorin fjalët e veta.

Ky, sidoqoftë, është vetëm një hap drejt një gjuhe të qëndrueshme kombëtare. Shqipja, që të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë edhe gjithëpërfshirëse ndaj pasurisë së të folmeve, toskë e gegë, ndërsa të zhvillohet në hap edhe me gjuhët botërore për të qenë e leverdishme në shekullit XXI. Si e tillë, një gjuhë shqipe, që plotëson nevojat dhe i mundëson hapësirën e veprimit çdo bashkëkombësi, pashmangshëm do të ndihmonte bashkimin dhe zhvillimin kombëtar.

Botu fillimisht në bllog vetjak, më 1 prill 2012