Pak fjalë për ë-në dhe j-në

Pyetje: Pse e mbajmë ë-në në fund të fjalës “këtë”?

Chashtja e ë-së në gjuhën shqipe asht shumë e ndërlikueme. Po e parafrazoj gjuhëtarin Eqrem Chabej, i cili për Kongresin 1972 pati thanë se nëse ky Kongres arrin me i dhanë zgjidhje chashtjes së -së atëherë e ka arsyetu veten. Na sot e dijmë se Kongresi 1972 nuk i dha një zgjidhje chashtjes së ë-së. Po e thom këtë sa me dhanë një ide se sa i gjanë e i thellë asht ky problem.

Te përemni ‘këtë’ asht një zhvillim i ri reduktimi në ‘kët’. Në tosknishte theksi asht në zanoren fundore këtË. Kështu ka qenë edhe në gegnishte dhe vazhdon me u përdorë kështu në krahina të ndryshme me një ‘-e’ hundore ‘këtê’. Shumica e shkrimtarëve shqiptarë e kanë përdorë kështu. Heqja ë-së në këtë rast kish me shkaktu një dallim të panevojshëm me tosknishten ndërsa prania e saj për gegnishten nuk paraqet problem.

Pyetje: A ka nevojë për ë-në në fund të pjesoreve? Po te veta e tretë njajës në të tashmen e dëftores?

Te pjesoret e gegnishtes të tipit ‘lypë’, ë-ja asht kompensim i gjatësisë së zanores paraprijëse. Ky asht vendim i vjetit 1916 që aty ku gegnishtja ka një zanore të gjatë, dhe tosknishtja -ë, në të shkruem të ruhet ë-ja. Mendoj se ky vendim asht shumë i drejtë sepse ka kanalizu përpjekjet drejt një afrimi të kryedialekteve. Një grup prej rreth 26 foljesh edhe në tosknishte që pësojnë apofoni (a~o apo e~o) merr po ashtu një ‘ë’ në pjesore (mbjellë, sjellë, marrë, dalë etj.) A mun pjesorja me dalë pa një ë të tillë? Po, por mendoj se paraprakisht duhet me u ba një studim i duhun për këtë punë.

Ndërsa ë-ja te ‘(unë) lypë’ në vetën e parë të së tashmes dëftore mendoj se vjen si pasojë e kësaj ndjenje të gjatësisë së zanores (kryesisht në gegnishte) e cila diku-diku asht e gjatë por me tendencë të shkurtimit dhe përshtatjes me gjithë sistemin e foljeve në përgjithësi. Pra, mendoj se (unë) lyp’ asht ma i përgjithshëm.

Foljet që marrin një ‘i’ janë të pakta në numër dhe janë mbetje historike sepse në të kaluemen gjithë klasa e foljeve ku bajnë pjesë sot foljet ‘lidh, lyp, nis’ e ka pasë jo vetëm ‘i’ por ‘inj’ e cila asht reduktu në ‘i’ dhe dikur asht zhdukë krejt tue mbetë vetëm në disa prej tyne. Simbas vendimeve të vjetit 1972 vetëm tri folje marrin ‘i’-në: (unë) ‘eci’ ‘hipi’ dhe ‘iki’ bashkë me ‘-ën’ në vetën e dytë e të tretë. Ky vendim asht kritiku, me të drejtë, prej shumë gjuhëtarësh sepse për këtë vechori historike këto folje dalin jashtë paradigmës së klasës ku bajnë pjesë ((unë) hap, (ti) hap, (ai/ajo) hap).

Pyetje: Si u ba që dikur shkruhej “Shqipnija” e tash shkruhet pa ‘j’, “Shqipnia”? Cila trajtë asht ma e drejtë?

Chashtja e j-së asht vërtet e chuditshme sepse shumica e shkrimtarëve shqiptarë, toskë e gegë, e kanë shkru ‘–ja’ e jo ‘-a’ te emnat që mbarojnë me ‘i’ të theksueme. Edhe standard i maparmë i shqipes e ka pasë me ‘-ja’ e jo ‘-a’. ‘Shqipnija/Shqipërija’ e jo ‘Shqipnia/‘Shqipëria’. Ndërsa kur kjo ndodh me zanoret e tjera të theksueme, kjo ‘-j-’ mbetet! Fjala vjen, ‘qira, ~ja’, ‘fe, ~ja’, ‘bambu, ~ja’, ‘pardesy, ~ja’, ‘depo, ~ja’! Me ‘i’ dalin rreth 1500 emna (simbas Fjalorit 1980), ndërsa me zanoret tjera rreth 100.

Një argument për heqje duhet të këtë qenë se ‘j’-ja asht konsonatizim i ‘i’-së kështu që, asht mendu se, pranë ‘i’-së një ‘j’ mbas saj del e panevojshme. Por, edhe simbas meje, ky vendim nuk ka qenë ma i godituni. Një trajtim i këtillë ka kriju, pa nevojë, dy klasa emnash, një me ‘j’ e një pa ‘j’, me gjithë faktin që emnat në gjuhën shqipe kanë shumë klasa dhe zvogëlimi i klasave, aty ku mundet, kish me qenë ide shumë ma e mirë. Sidoqoftë, një vështrim i këtillë gjithpërfshimës i morfologjisë së shqipes kurrë s’ka ndodhë.

Nga Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.