Sa kam kërku, nuk kam gjetë nji doracak për gjuhën shqipe që udhzon me përpikni ç’lloj thojzash me përdorë dhe ku e si. Përndryshe, thonjëzat apo thojzat – për aq sa kam vërejtë – i kemi përdorë simbas traditave dhe teknologjive të hueja që i kemi pasë ma afër.
Rregullat e 1973-tës nuk merren gjithaq me to, ndonëse vlen me i konsultu si pikënisje. Kalimthi ato përcaktojnë thojza për tituj dhe për emërtime botimesh, rrugësh, shoqatash, institucionesh (që shkruhen n’emnore) – p.sh., titulli «Hero i Popullit», gazeta «Zëri i Popullit», ndërmarrja «28 Nëntori», etj. (Por nuk ka thojza kur para titullit «Hero i Popullit» nuk shkruhet fjala «titull».)
Në kët përmbledhje diskutoj përdorimin e thojzave kryesisht prej aspektit teknik – pra, tipografisë ose shtypshkrimit – me disa sugjerime edhe rreth drejtshkrimit. I përshkruj llojet kryesore të thojzave dhe tregoj qysh me i gjeneru në pajisje teknologjike, diskutoj shkurt se ku e tek mujmë me i përdorë thojzat dhe do sheja ndihmëse të piksimit, dhe në fund i jap do shembuj prej botimeve tona.
1. Llojet e thojzave: Cilat janë të shqipes?
1.1. Thojzat angloamerikane
Variantet
(a) për nga funksioni:
(i) dyfishe: “blla-blla” ose "blla-blla" (ii) njifishe: ‘blla-blla’ ose 'blla-blla'
(b) për nga pamja:
(i) të lakueme: “bllai tha ‘blla’ dhe u blla” (ii) të drejta: "bllai tha 'blla' dhe u blla"
Shënime:
Këto janë thojzat ma të përdoruna në botimet e sodme në gjuhën shqipe. Përdorimi i tyne vjen për shkak të ndikimit të teknologjisë, sidomos nga fillimi i viteve 1990. Ato thojza ndodhen nëpër tastierat amerikane që i përdorim sod nëpër kompjuterë.
Rëndom, për nivelin e parë të ligjeratë së drejtë, përdoren thojzat dyfishe. Këto thojza u ngjasojnë dy apostrofëve ose dy presjeve të vendosuna në majë të rreshtit.
Në nivelin e dytë, pra nëse na duhet të kemi thojza mbrenda thojzave, përdorim thojzat njifishe – si p.sh., “Pranë shkollës ‘Ismail Qemali’, afër fushës së tenisit”, tha Filani. Thojzat njifishe ngajnë me nji apostrof ose nji presje të vendosun në majë të rreshtit.
Simbas drejtshkrimit britanik, së pari përdoren thojzat njifishe, pastaj ato dyfishe. Simbas drejtshkrimit amerikan, së pari shkojnë ato dyfishe. Botimet shqipe ndjekin kryesisht rregullin amerikan.
Në nivelin e tretë – pra, thojza mbrenda thojzave mbrenda thojzave – përdoren sërish thojzat e nivelit të parë (p.sh., “Bllai tha ‘llabllai bllai “blla” si blla’”, pra blla.). Në botimet shqipe, niveli i tretë i ligjeratës së drejtë nuk asht qartësisht i shënuem dhe përdorimi i thojzave për kët qëllim duket i paqartë.
Për shkak se në makina shkrimi dhe tani në tastiera kompjuterësh ka vetëm nji prekël për thojzat, historikisht thojzat janë thjeshtu nga dy grafema të lakueme në nji grafemë të drejtë. Anglisht, thojzave të lakueme u thonë smart quotes ose curly quotes, kurse të drejtave straight quotes. Dallojnë në pamje kështu:
— të lakueme: hapëse ‹“›/‹‘› dhe mbyllëse ‹”›/‹’› — të drejta: ‹"›/‹'›
Thojzat e lakueme përdoret në botime të shtypuna. Shumica e programeve kompjuterike sod caktojnë vetë në duhet të përdoret thojza hapëse ose thojza mbyllëse. Programet për përpunimin e tekstit si Microsoft Wordi ose LibreOffice Writer, por edhe aplikacione tjera, i lakojnë vetvetiu thojzat.
Thojzat e drejta janë trashigimi e makinave të shkrimit, por i hasim dhe sod në botime në rrjet. Disa programe komputorike nuk e kthejnë thojzën e drejtë në thojëz të lakueme. Kur shkrujmë drejtpërdrejt në Facebook prej kompjuterit, thojzat mbesin të drejta.
Për me u siguru që Microsoft Wordi po i qet si duhet thojzat e lakueme, shih këtu. Nëse përdor LibreOffice Writer, që asht program i lirë dhe me përparsi ndaj Wordit, konsultohu me kët material. N’ato programe asht me randësi me e përzgjedhë gjuhën e saktë të tekstit, që mos me u ngatrru llojet e thojzave. (Shih këtu rreth kësaj çashtje në Word dhe në Writer.)
Do telefona të xhepit tash e japin mundësinë me i nxjerrë këto thojza tue e ndrydhë ma gjat kutinë për thojzën. Tastiera Plisi, për shembull, mundëson me i përftu të gjitha llojet e thojzave në kompjuter. (Shkarkoje këtu.)
1.2. Thojzat kandore (franceze)
Variantet:
(a) «Blla një blla, o blla».
(b) « Blla një blla, o blla ».
Shënime:
Këto thojza i kanë zhvillu së pari francezët, por tani i gjejmë gjithandej në vende si Spanja, Italia, Zvicra, e Rusia. Përdoreshin në Shqipni në botimet e shtypuna në shtypshkornja mekanike dikur. Nuk asht plotsisht e qartë, megjithate, se si janë shënu thojzat mbrenda thojzave. Në disa raste gjejmë të njejtat thojza ( « » ), kurse në disa të tjera gjejmë thojzat gjermane ( „ “ ).
Dy variantet janë ma shum zgjedhje stilistike. Në variantin e parë, që mbizotnonte gjat periudhës komuniste, thojzat ishin të ngjituna për fjalët (nuk kishte hapsinë mes thojzës dhe fjalës).
Kurse në variantin e dytë, ka nji hapsinë të pandashme (non-breaking space) mes thojzës hapëse ose mbyllëse dhe fjalëve mbrenda thojzave. Ky variant, që asht ma i afërt me drejtshkrimin e frangjishtes, mbizotnonte në botimet e para-LIIB (p.sh., Lahuta e Malcís nga Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit simbas Gjeçovit, shtypë në Shkodër).
Thojzat franceze po rishfaqen në botime moderne të respektueme, si revista e shqiptarëve të Zvicrës DialogPlus. Ky botim madje e përdor edhe njifishet zvicerane për «citate ‹mbrenda› citatit».
Përparsia e tyne qëndron te estetika, sepse i shmanget zbraztive (hapsinës së bardhë) mes germave, që e krijojnë thojzat angloamerikane. Po ashtu, kanë përparsinë funksionale, meqë dallohen prej apostrofit: «këtu s’ngatrrohet apostrofi për thojëz».
Teknikisht, thojzat franceze asht ma vështirë me i realizu. Edhe francezët tani po shkrujnë me “quotation marks”, meqë është më lehtë me i shtypë e shfaqë në pajisje elektronike. Kështu po bëjmë dhe ne.
Do telefona të xhepit tash e japin mundësinë me i nxjerrë këto thojza tue e ndrydhë ma gjat kutinë për thojzën. Tastiera Plisi, siç thashë, mundëson me i përftu të gjitha llojet e thojzave në kompjuter. (Shkarkoje këtu.)
1.3. Thojzat gjermane-kontinentale
Variantet:
(a) „blla tha „blla” dhe u blla”
(b) „bllai tha «blla» dhe u blla“
Shënime:
Gjermanët i përdorin këto thojza tue i çelë poshtë „me thepa majtas“ dhe tue i mbyllë nalt „me thepa djathtas“. Nji variant i tyne, që e hasim te polakët, baltikët, e rumunët, e ka thojzën mëshelëse me fëtyrë majtas, pra „kështu”. Këto thojza përdoreshin në botimet shqipe n’ish-Jugosllavi (që domethanë mbas LIIB). Mund t’i qujmë edhe „thojzat e Rilindjes”, meqë shfaqen në botimet e ndërmarrjes Rilindja.
Ndonse ky lloj thojzash ka burimin te gjermanishtja, asht e paqartë nëse te përdorimi i tyne në shqip ka ndiku sërbishtja, e cila i përdor edhe sod si në shkrimin latin, ashtu dhe ate qirilik. (Sërbishtja i përdor madje në variantin e pastër gjerman.) Për dallim nga sërbishtja, thojzat gjermane nuk i përdor n’at mënyrë kroatishtja. Gjuhët tjera sllave kanë po ashtu rregulla tjera (bullgarishtja ndjek modelin amerikan; rusishtja përdor thojzat kandore).
Për nivelin e dytë të ligjeratës së drejtë, në vend të thojzave gjermane rëndom përdoren thojzat franceze. Në botimet shqipe ky rregull nuk asht gjithherë i dukshëm dhe mund të mos ndiqet njitrajtshëm.
Në pajisje elektronike, thojzat franceze asht ma vështirë me i realizu. Do telefona të xhepit tash e japin mundësinë me i nxjerrë këto thojza tue e ndrydhë ma gjat kutinë për thojzën. Tastiera Plisi, për shembull, mundëson me i përftu të gjitha llojet e thojzave në kompjuter.
2. Ku e kanë vendin thojzat e shqipes?
Ndonëse gjuha shqipe ndjek sod modelin amerikan, ka disa dallime thelbësore në përdorimin e thojzave mes shqipes e anglishtes amerikane. Ka botime që i përdorin dhe thojzat «franceze».
2.1. Thojza para ose pas presjes e pikës?
Shtypshkrimi amerikan gjithmonë e fut presjen dhe pikën para thojzës mbyllëse (p.sh., “blla-blla-blla,” dhe “blla-blla-blla.”) pa marrë parasysh nëse presja ose pika asht pjesë e citatit fillestar. Shenjat ma të mëdhaja të piksimit, si pikëpresja, dypika, pikëçuditësja e pikëpyetja hyjnë mbrenda thojzave vetëm nëse janë pjesë e ligjeratës origjinale.
Rregullat angleze këqyrin nëse shenja ka qenë në ligjeratën e drejtë fillimisht. Ndërsa në vepra letrare, britanikët zakonisht e fusin presjen e pikën mbrenda thojzave.
Në shqipe, primja asht që presjen ose pikën me e lanë jashtë, pra mbas presjes ose pikës – pra, “blla-blla”, dhe “blla-blla”.
E njejta gja vlen edhe nëse presja ose pika ka qenë pjesë e ligjeratës së drejtë. Ky parim del problematik, sidomos nëse citati përfshin ma tepër se nji fjali e aq ma tepër nëse asht paragraf më vete. Mirëpo ky rregull duket të jetë trashigu prej shtypshkrimit të stilit francez.
Grafikisht, por edhe praktikisht, shembulli amerikan mund të jetë ma i thjeshtë e ma i lehtë për t’u zbatu. Në fund të fundit, nuk çon kurrfarë peshe nëse nji presje apo pikë ka qenë a s’ka qenë pjesë e origjinalit. Kurse me e lanë jashtë gjithmonë, grafikisht presja ose pika duket si e shkëputun prej tekstit (dhe logjikisht e ndame pa nevojë në disa raste).
2.2. Përdorimi i vizës së gjatë
Në shtypshkrimin francez, viza e gjatë do të përdorej mbrenda thojzave për t’i shtu fjalët që s’kanë qenë pjesë e ligjeratës së drejtë, ndonëse hollsitë e përdorimit dallojnë nga gjuha në gjuhë. Për shembull: «Blla, — tha bllai, — se blla bllai». Mund të përdorej edhe mbas thojzave: «Blla, blla», — tha bllai. (Ose pa thojza fare, për me shënu fillimin e ligjeratës së drejtë në dialog, si në romane.)
Të njejtin rregull e shohim të zbatohet nganjiherë (ndonse rrallë) edhe për thojzat amerikane.
Ky ngatrrim rregullash mund të dalë problematik. Dikur, viza ndamëse nuk gjente gjithaq përdorim në shqip siç gjen sod (nga ndikimi i anglishtes) për të shërbye si nji lloj paranteze mbrenda fjalisë (p.sh., “Hasani – si djali i madh i Aliut – u priu luftarëve në Qerbela.”)
Ky ngatrrim mund të sanohet vetëm duke dallu mirë vizën n (n-dash), e gjanë sa n-ja, dhe vizës m (m-dash), e gjanë sa m-ja. Por ma së lehti asht sërish me e ndjekë rregullën amerikane, që në vend të vizave shtin thojza: “Blla,” tha bllai. Kjo rregull funksionon edhe me thojzat franceze: «Blla», tha bllai.
Tastiera e kompjuterit rëndom përmban veç nji vizë ose minus (-). Tastiera Plisi mundëson me i përftu llojet kryesore të vizave pa vështirësi. (Shkarkoje këtu.) Kurse prektoret e pajisjeve të dorës i ofrojnë vizat ma të gjana nëse e mban ndrydhë vizën e shkurtë.
2.3. Fjalët e mungueme dhe të ndryshueme mbrenda ligjeratës
Në disa botime shqiptare përdoren kllapat për të shënu fjalët e shtueme mbrenda ligjeratës. P.sh., “Ai lindi në Uskanë (sot Kërçovë)…” Modeli amerikan që përdor kllapat kandore ( [ ] ) do t’ishte i pëlqyem këtu, meqë dallon qartë fjalët e shtueme dhe ato që autori i origjinalit mund të ketë futë në kllapa gjysëmrrethore.
Po ashtu, kllapat kandore mund të përdoren për të shënu nji germë të hequn a të ndryshueme, si p.sh., “të punoj[]” dhe “të puno[jë].”
Kur prej nji ligjerate të drejtë janë heqë ma shum se nji fjalë, atëherë mund të përdorim tri pikat. Në botimet shqipe tani ato tri pika nuk dallohen prej rasteve ku autori i origjinalit qëllimisht e ka lanë nji fjali të papërfundueme. P.sh., “Ai mendonte… kështu nuk shkon.”
Asht e pëlqyeshme, që në rast se kemi heqë fjalë nga ligjerata, të vejmë tri pika mes kllapave kandore kështu: “Ai mendonte [… se] kështu nuk bën.” Nji mundësi tjetër asht me i nda pikat me hapsinë të pathyeshme (non-breaking space), por teknikisht këte asht ma vështirë me e realizu.
2.4. Thojza në titujt
Tipografia angloamerikane dhe teknologjia moderne po e bajnë të veten. Thojzat në shum raste i kemi zavendësu me germa të pjerrëta (italike) ose i kemi heqë fare prej përdorimit.
Doracakët kryesorë të stileve angloamerikane udhzojnë kështu:
- me përdorë germa të pjerrëta për tituj gazetash, revistash, librash, filmash, emisionesh televizive, albume muzike, e vepra tjera që mund të qëndrojnë veçmas;
- me përdorë “thojza” për pjesët përbamëse t’atyne veprave, si artikullin në gazetë, shkrimin në revistë, vjershën mbrenda nji përmbledhje poezish, kapitullin mbrenda librit, episodin e nji teleserie, kangën n’album, etj.
Rëndom, vlen ky parim: nëse mun e kap me dorë krejt veprën (siç e kap nji gazetë, vëllim libri, nji album këngësh, ose nji teleseri në disk), pjerrtëzoja titullin; nëse asht mbrenda asaj që e kap (kapitull, artikull, kangë, episod), qitja thonjëzat.
Me digjitalizim, ky dallim po venitet paksa. Mirëpo tue i përdorë dy opsionet, pjerrtësimin dhe thojzat, arrijmë me e lehtu leximin, sidomos në fjali si kjo: N’artikullin “Çohuni në kambë” të botuem në gazetën Rilindja, Filan Fisteku bante thirrje për…
Natyrisht, në shum raste pjerrtësimi asht i pamundshëm me u realizu – aty ku shkrujmë me tekst të thjeshtë e pa formatim (si në Facebook, bie fjala). Në këso raste mundemi me përdorë thojza, ose thjesht mos me dallu titullin fare. Pa thojza, leximi bahet ma i kandshëm.
Thojzat ngadalë kemi fillu me i heqë edhe prej titujve t’organizatave e të rrugëve. Bizneset, kuptohet, nuk kanë qef me ba llogo me thojza, por as institucionet tjera s’asht që përfitojnë tue futë emnin në thojza. Madje veç asht ngarkesë teknike. Thjesht, duken të tepërta, e qebesa ngjajnë sikur e falsifikojnë namin. Thujse klubi i basketbollit Prishtina – që me rregullat e 73-tës do i shkruhej emri Klubi i Basketbolit «Prishtina» – s’asht Prishtinë?
(Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, megjithate, detyron me i vu thojzat përreth emnit të biznesit – kështu: ” Emri ” SH.P.K. Tue lanë hapsina të panevojshme përreth emnit, ARBK-ja pastaj rrezikon çoroditje pamore: kompjuteri ndodh e ngatrron thojzën hapëse me thojzën mbyllëse, dhe kur i qet n’ekran i qet keq.)
2.5. Citatet bllok
Praktika angloamerikane i shënon në mënyrë të veçantë citatet e gjata, tue i nda ato në nji paragraf të veçantë të dhambëzuem (që i bjen të larguem prej margjinës). Dhambëzimi rëndom bahet majtas, por ndodh edhe djathtas. Ky lloj citimi quhet citat bllok. Duket diçka kështu:
Lorem ipsum bucuribus. Ky është vetëm një citat. Përmbajtja e tij nuk ka fare rëndësi. Lopem bucuribus ipsum. Ky vetëm citat është. Prandaj mos e lexo deri në fund. Përmbajtja e tij rëndësi fare nuk ka. E kemi vënë sa për dukje.
Mvarsisht prej doracakut, rekomandohet me u përdorë blloku për fragmente ma të gjata se 50 ose 100 fjalë.
Tekstet anglisht rëndom nuk përdorin thojza në fillim dhe në mbarim të citatit bllok. Por ka botime ma formale ku i qesin dhe thojzat. Disa prej tyne e qesim pikën në fund të citat mbas thojzës mbyllëse, e disa para: “Kështu”. Ose “kështu.”
Me thojzat “angloamerikane”, duket ma mirë me e lanë thojzën në fund; madje ashtu e lyp logjika meqë krejt paragrafi – me pika e presje – asht citat. Por thojzat kandore mund të duken ma bukur para pikës, meqë e shmangin nji zbrazti që do krijohej mes thojzës e piksimit: pra, mëdyshja asht «kështu,» apo «kështu».
Citati bllok ka depërtu edhe në tekste frangjisht, sidomos n’institucione me shum gjuhë zyrtare, si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Citatet bllok, pra, e ndihmojnë leximin sidomos në tekste të randësishme, si dokumente juridike.
3. Shembuj
Botimet e hershme shqipe shfaqin laramani rreth thonjëzave. Një libër ka “këto” e tjetri «ato». Qe revista Diturija e Lumo Skëndos:
Hahni kujtoj se këto shkronja janë të marra drejt për drejt nga shkronjat e Finikaset, „janë bijat e finiqishtesë dhe motrat e shkronjavet greqisht“.
Në Shqipninë Londinare, sidomos gjat diktaturës, kanë mbizotnu «thonjëzat këndore». Qe Kanuni dhe veprat e Enverit:
Në Dardani e viset tjera që mbetën nën Jugosllavi, janë përdorë thojzat e „stilit gjerman“ ose ma sakt ato të „Rilindjes”. Për shembull, libri i Tucoviqit dhe romani i Petro Markos:
Revista e shqiptarëve të Zvicrës DialogPlus ndjek kët stil:
Kur flasim për pjerrtësimin e titujve, qe si i citon Ilir Ikonomi, nji nga shkruesit ma të spikatun të shqipes së sotme, burimet e tij në librin Faik Konica: Jeta në Uashington:
Gjykata Kushtetuese e Kosovës përdor citatet bllok, ndonëse vetë citatin e fut mbrenda thojzave:
Citatet bllok i përdor dhe Ikonomi:
I përdorim dhe ne te Plisi.org:
Vetë i përdor shpesh thonjëzat e moçme kandore. E baj mbase nga respekti për traditën. Por nuk e mohoj dot se të gjithë do t’i kopjojmë amerikanët heret a vonë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5162