Më 8 gusht 1903, Halimi, një ushtar shqiptar, me shërbim në Manastir e vrau konsullin rus, Aleksandar Arkadieviq Rostkovskin. Po atë vit, në muajin mars, një ushtar tjetër shqiptar nga Gjilani, në Mitrovicë e kishte vrarë një konsull tjetër rus i cili quhej Grigorije Stepanoviq Shqerbin. Vrasja e konsullit rus në Manastir e trazoi Stambollin por më shumë Moskën. U shtua besimi në konspiracione se shqiptarët kishin bërë plane për t’i likuiduar të gjithë konsujt rusë që shërbenin në tokat e tyre.
Historiani Duncan M. Perry, përafërsisht vrasjen e konsullit rus e përshkruan me sa vijon. Në mëngjesin e 8 gushtit 1903, karroca zyrtare e konsullatës ruse po i afrohej një kazermeje otomane të artilerisë në periferi të Manastirit. Para Portës së kazermës, ulur këmbëkryq dhe me pushkë në prehër po rrinte Halimi, i cili nuk i kishte kushtuar asnjë vëmendje karrocës. Ky fakt e kishte shtyrë Rostkovskin, konsullin rus, që të dilte nga karroca e ta qortonte ushtarin mospërfillës i cili nuk po e përshëndeste. Halimi, kur e vërejti se konsulli po shkonte në drejtim të tij duke bërtitur, pa një pa dy, u ngrit në këmbë, e «raportirati» pushkën, e mori në shenjë konsullin dhe ngadalë ia tërhoqi këmbëzën. Pushka e lëshoi një krismë me johonë të madhe dhe konsulli rus ra përtokë i vekur.
Në atë moment, nga karroca doli Misirkovi, ndihmësi i konsullit, duke bërtitur me qëllim që të bënte me dije se njeriu të cilin e kishte gjuajtur ushtari, ishte konsulli rus në Manastir. Ushtar Halimi, me sa duket nuk kuptonte ose nuk dëshironte të kuptonte dhe e gjuajti edhe Misirkovin të cilin dështoi ta godiste. Brenda pak sekondave pasuan krisma tjera dhe Misirkovi, së bashku me karrocierin, ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë pas konsullin e shtrirë përtokë dhe pashpirtë.
Kjo dëshmi historike është shumë e ngjashme me tregimin që vet Misirkovi ia kishte rrëfyer pas disa viteve kryeredaktorit të gazetës Drita, Shahin Kolonjës, në Sofje. Në lidhje me këtë ngjarje ka shkruar edhe Edith Durham e cila në atë kohë ka qenë në Manastir dhe ka bërë me dije se konsulli rus, Rostkovski, e kishte një shprehi të keqe dhe sillej si një lloj kauboji. Ai me vete gjithmonë e mbante një kamxhik, të cilin, nga karroca e përdorte ndaj kalimtarëve. Një ditë konsulli i kishte rënë kamxhik një ushtari shqiptar, i cili nuk ishte në detyrë dhe ishte i paarmatosur. Duket se ushtari (Halimi) e kishte mbajtur në mend këtë ndodhi të pakëndshme dhe e priste rastin e hakmarrjes. Dhe, kështu rasti erdhi dhe ai e qëlloi konsullin rus për vdekje. Sipas Durhamit, konsulli rus, një pansllav i flaktë, e kishte gjetur belanë ashtu siç e kishte kërkuar për një kohë të gjatë.
Rusia e shfrytëzoi rastin që t’i akuzonte shqiptarët për egërsira dhe para Evropës t’i paraqiste si anti-krishterë. Moska e mobilizoi një pjesë të flotës së saj në Detin e Zi dhe kërkoi nga Porta reparacione të mëdha dhe kërkim falje të cilat sulltani i plotësoi. Fuqitë e Mëdha u frikësuan se vrasja e konsullit do të shkaktonte konflikt mes Portës dhe Moskës por e tërë kjo punë përfundoi me kaq.
Megjithatë, sllavët e Maqedonisë e morën këtë rast si sulm ndaj tyre kurse vdekjen e konsullit e konsideruan si flijim i një heroi të madh rus për kauzën pan-sllave që po shtrihej në Ballkan. Qeveria ruse e varrosi Rostkovskin në Selanik duke i organizuar ceremoni të rrallë religjioze me qëllim që të senzibilizohej opinioni sllav.
Kur Maqedonia ra nën sundim të Jugosllavisë, Rostkovskit ia ndërtuan një përmendore aty ku kishte dhënë shpirt. Përmendorja u demolua nga regjimi komunist i Titos në vitin 1950 për shkak të Informbyrosë. Por, në vitin 2003, në përvjetorin e 100 të vdekjes së konsullit, maqedonët e kanë rindërtuar këtë përmendore për ta kujtuar mikun dhe heroin e tyre rus.
P.S. Në fotografinë e parë është Rostkovski, kurse në të dytën varrimi i tij në Selanik.
Për fat të keq nuk ka fotografi të Halimit, por ju mund ta imagjinoni atë se si është dukur: kallushan musteqezi me trup atleti dhe plisin mbi njerin sy. Natyrisht, me shikim të superiorit por pak si nervoz dhe mrrolshëm. Si çdo shqiptar i ktuniherit.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6240