Gazeta Rilindja në Ditën e Çlirimit

Fëmijët shqiptarë përshëndesin helikopterin e Natos që zbarkon pranë palestrës 1 Tetori në Prishtinë (Jukka Male, 1999)

Avatar photo

Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, tani diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2001).

Të nesërmen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, u nisa me autobusin e parë nga Struga për Shkup.

Kisha kohë që nuk kisha ushtruar profesionin tim të gazetarit, pas një përvoje unike si interpret, organizator e shofer me korrespondentët e huaj nga gazetat Los Angeles Times e San Franscico Chronicle, radio CBS e medie të tjera. Mora në telefon kolegun e së përditshmes Rilindja, Blerim Rekën, i cili ma preu shkurt: «Hajde se Bedriu dhe unë duam ta nxjerrim një numër të gazetës!».

Edhe pse e dija se ai e din mirë çka do të thotë të botosh gazetë të përditshme, e pyeta se a ishte i ndërgjegjshëm për atë që më tha. Si ka mundësi që tre veta të botojnë një gazetë të përditshme?

«Eja ti në çarshinë e Bitpazarit e mandej e shohim», më tha Blerimi dhe ma këputi lidhjen telefonike.

Blerim Rekën, si shkupjan që ishte, dhe Bedri Sadikun, preshevar i ngulitur në Shkup, si korrespondent i Rilindjes, i gjeta në një lokal të vogël me papafingo, bashkë me heroin e paimponuar që rrinte në prapavijë — shokun e ngushtë të Blerimit, Jonuz Zymberi, roli i të cilit do të vinte në shprehje më vonë gjatë shtypjes dhe shpërndarjes së gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Në atë lokal ishin vendosur ca kompjuterë ku shpresonim ta faqosim gazetën dhe ta shpërndajmë më 12 qershor në të gjitha kampet e refugjatëve dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë.

Blerim Reka mori përsipër gjithë gazetën 12 faqëshe Rilindja. Bedri Sadiku si korrepondent me shpirt luftarak, gazetar që të çonte morrnicat, mori për detyrë të hyjë në Kosovë me trupat e para të KFOR-it. Mua si gazetar i rubrikës së politikës së jashtme m’u nda detyra që të përgatisja tri faqe gazetë me jehonën që çlirimi i Kosovës po bënte në mediet botërore.

Ndërkohë që shkonim e vinim në qendrën tregtare Çairçanka — ku Bedriu kishte ngritur zyrën korrespondente të Rilindjes — druaja se si ne tre gazetarët do ta nxirrnim këtë gazetë të madhe.

I thashë Blerimit se e kam ndërmend ta shkruaj një editorial me titullin «Kosova Neoshqiptarizma për Shekullin e Ri», për ëndrrën time të lirisë. Blerimi po bënte gati editorialin e tij që u botua në ballinë për normandizimin e Kosovës. Bedriu kishte bërë gati fotoaparatin dhe notesin e tij të gazetarit dhe e kishte detyrën më të vështirë. Fati po na buzëqeshte që në fund të informonim lirshëm dhe sipas ndërgjegjes sonë profesionale. Sa me fat, sa përgjegjësi, sa gëzim dhe sa ndjenja të përziera që kur një gjakim historik përmbushet duke u bërë realitet, fillon të shohësh rreth vetes me mosbesim se a është e vërtetë kjo që po ndodhte.

Të nesërmen, më 12 qershor 1999, në orën 5 e 17 minuta, Bedri Sadiku hyri në Kosove me trupat britanike të Kforit.

Blerimi, Jonuzi e unë hapëm dugajën ku do të faqosej Rilindja e lirisë. Ne kryenim punën tonë, por Bedriu s’na hiqej mendsh. Lajmet për disa vrasje të qytetarëve të Prishtinës na goditën fort, ndonëse nuk arritën të na ndalin frymën.

Dikur pasdite vonë Bedriu u kthye. Me vete solli reportazhin me fotografi. Rrëfeu për rrugëtimin e tij nga Shkupi deri në Prishtinë.

Kur karavani i Kforit kishte ndaluar për pak në rrugë afër Lipjanit, Bedriu kishte vazhduar marshin drejt Prishtinës. Në qendër të qytetit, te Hotel Grandi, kishte shkrepur pamjet e ushtarëve rusë dhe të soldateskës së harlisur serbe — ende pa mbërritur forcat aleate të Natos.

Në atë tollovi, ku të gjithë për arsyet e veta synonin të defilonin në shtet, Grandi ishte shndërruar në pikë nevralgjike. Një shkëndijë mund ta rindizte konfliktin e armatosur.

Bedriu erdhi si fryma e lirisë së plagosur dhe na rrëfente Prishtinën e rrëzbitur nga izolimi, lufta dhe frika. Duke pirë cigare, duke ndërruar fjalë, duke punuar shpejt, dikur pas mesnatës arritëm ta faqosim Rilindjen në 12 faqe.

Unë me gazetarë të huaj në Kosovën e rrënuar nga lufta (Jukka Male, 1999)
Unë me gazetarë të huaj në Kosovën e rrënuar nga lufta (Jukka Male, 1999)

Jonuz Zymberin e kisha parë tek sorollatej me saktësinë e një zvicerani nga detyra në detyrë në misionin e tij për të përkrahur botimin. Por nuk e pashë kurrë si i hapi sytë, qeshi me të madhe dhe e mori gazetën për ta dërguar herët nadje në një shtypshkronjë në Koçani. Pas një dite me ndjenjat më të fuqishme të jetës, unë e Blerimi shkuam të bënim një sy gjumë. E puna e Jonuzit fillonte tek tani.

Kur u zgjuam dikur vonë në mëngjes dhe pasdite u takuam me Jonuzin e kthyer nga Ohri, ne e kuptuam se ç’punë kishim kryer. Në të gjitha kampet e refugjatëve nga Kosova dhe qytetet shqiptare në Maqedoni, gazeta Rilindja ishte pritur si dallëndyshja e lirisë. Të gjithë ekzemplarët ishin shpërndarë falas, dhe gëzimi ishte aq i madh sa ishte larë me lotë.

Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë: Blerim Reka, Bedri Sadiku dhe Lulzim Mjeku.

Fëmijët shqiptarë përshëndesin helikopterin e Natos që zbarkon pranë palestrës 1 Tetori në Prishtinë (Jukka Male, 1999)
Fëmijët shqiptarë përshëndesin helikopterin e Natos që zbarkon pranë palestrës 1 Tetori në Prishtinë (Jukka Male, 1999)