25 veta — 24 burra dhe 1 grua — e kanë ushtru detyrën e kreut të qeverisë së Kosovës në historinë moderne. Titulli, kompetencat dhe mandati kanë ndryshu nëpër kohë.
Të parin po e njehim Ymer Drini-Prizrenin, kreun e Lidhjes së Prizrenit që në fund të 1880-s u vu në krye të Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Duke qenë se veproi nga Prizreni, dhe ushtroi autoritet kryesisht mbi vilajetin e atëhershëm të Kosovës, ai mund të quhet kryeministri i parë kosovar.
Njëherësh po radhitim dhe atdhetarin Hasan Berisha-Prishtina, që si deputet i parlamentin osman i priu më 1912 kryengritjes së përgjithshme kombëtare. Si udhëheqës i lëvizjes, ai u përqendru në Prishtinë, pastaj Ferizaj dhe në fund në Shkup. Hasan Prishtina bindi osmanët t’u njohin shqiptarëve të drejtën e vetëqeverisjes. Nga frika se Shqipëria po bëhej shtet brenda kufijve të vet etnikë, vendet ballkanike i shpallën luftë Perandorisë Osmane dhe e pengunë projektin e autonomisë.
Në vitet e pas-Luftës së Parë Botërore, 1918–1924, pati një sërë kryengritjesh kosovare ndaj pushtuesve sërbo-jugosllavë. Njëherësh, Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës u themelu në Shkodër, nën kryesimin e Hoxhë Kadri Prishtinës. Komiteti lujti rolin e një qeverie në ekzil, deri kur regjimi i Zogut e detyroi me e ndalë veprimtarinë. Për këtë arsye, Kadri Prishtinën e kemi radhitë si kryeministrin e dytë të vendit.
Kosova nuk ka pasë ma qeveri vendore deri pas Luftës së Dytë Botërore. (Gjatë Luftës iu bashku pjesërisht Shqipërisë.) Më 1944, partizanët vendorë u mblodhën në konferencën e Bujanit, ku shprehën vullnetin e popullit për bashkim me Shqipërinë. Konferenca zgjodhi edhe Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit. Kryesia e Këshillit, me kryetarin Mehmed Hoxha (njohur edhe si Mehmet Hoxha), ishte një lloj qeverie kalimtare. Andaj M. Hoxhën po e njehim si kryeministër historik, sado që ai dështoi të mbrojë vendimet e Bujanit.
Një vit ma vonë, Sërbia — si shtet brenda federatës jugosllave — e ripushtoi Dardaninë, duke i shfuqizu vendimet e Bujanit.
Kosova iu bashku dhunshëm Sërbisë dhe u cilësu sa për sy e faqe «krahinë autonome». Qebesa, sërbokroatisht, Kosova u njoh si oblast (rreth), që ishte një nivel më i ulët se pokrajina (krahina). Prijësi partizan i Bujanit, Fadil Hoxha, u vu në krye të këshillit ekzekutiv, ndonëse pushtetin e vërtetë e mbante udhëheqja sërbe.
Kushtetuta jugosllave e 1963-s e përcaktoi Kosovën si pokrajina, dhe komitetin e saj popullor e ngriti në kuvend krahinor. (Vojvodina kish pasë këtë status që prej fundit të Luftës së Dytë.) Por kushtetuta jugosllave autorizonte parlamentin e Sërbisë me i themelu njësitë autonome dhe me ua caktu kompetencat, duke e çu Kosovën — siç shpjegon historiani Noel Malcolm — në pikën më të ulët të vetëqeverisjes.
Me ndryshimet politike në fundvitet 1960, Kosova fitoi autonomi përmbajtjesore si krahinë brenda Sërbisë dhe Jugosllavisë. Partia, tani e qujtur Lidhja e Komunistëve, mbante primatin në politikë, dhe të gjithë krerët e këshillit ekzekutiv asokohe ishin anëtarë partie. Shumë prej tyre qenë sërbë.
Më 1989, Sërbia përdori forcën ushtarake me e tkurrë autonominë, por më 1990, institucionet vendore bënë qëndresë të hapur, duke shpallë Kosovën republikë të federatës jugosllave. Sërbia u përgjigj me dhunë për ta pengu jetësimin e republikës.
Kështu qeveria kosovare u detyru të veprojë nga jashtë vendit, duke drejtu arsimin, shëndetësinë e fusha të tjera mëvetësisht nga regjimi pushtues sërb.
Në kohën e luftës, krahu që drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pati mospajtime me qeverinë e Bujar Bukoshit, të vendosur në Bon të Gjermanisë. Udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, krijoi një qeveri të përkohshme.
Me çlirimin e Kosovës në qershor 1999, vendi u vu nën misionin e OKB-së, Unmik. Por qeveria e Thaçit ushtroi paralelisht autoritet të kufizuar deri kur u shpërbë më 2000, për t’i lëshu rrugën institucioneve të reja në kuadër të Unmikut. Kështu, më 2002, Bajram Rexhepi u bë kryeministri i parë i pakontestuar i Kosovës së lirë, kurse Hashim Thaçi i pari pas rishpalljes së pavarësisë më 2008.
Qe lista e plotë me emrat e mbiemrat, vitet e lindjes e vdekjes, partitë, dhe datat e qëndrimit në detyrë të kryeministrave të Kosovës. (Në thelb, është vetëm një version i përditësuar dhe pjesërisht i korrigjuar i listës që jep sajti arkivor World Statesmen. E njëjta listë shfaqet edhe në Wikipedinë anglisht.)
Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare (1881)
1 Ymer efendi Drini-Prizreni (1826–1887), 12.1880–13.4.1881
Udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme shqiptare (1912)
2 Hasan bej Berisha-Prishtina (1878–1933), pa parti, 8.1912
Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (1918–1924)
3 Hoxhë Kadri Prishtina (1878–1925), pa parti, 1.5.1918–12.1924, në mërgim
Kryetar i Këshillit Antifashit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit (1944–1945)
4 Mehmed Hoxha (1908–1987), PKJ, 1.1.1944–11.7.1945
Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komitetit Popullor të Kosovë-Metohisë (1945–1953)
5 Fadil Hoxha (1916–2001), 11.7.1945–20.2.1953
Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të KA Kosovë-Metohisë (1953–1969)
Fadil Hoxha (1916–2001), 20.2.1953–2.1963
6 Ali Shukrija (1919–2005), 6.1963–5.1967
7 Ilija Vakić (1932), 5.1967–24.2.1969
Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të KSA Kosovës (1969–1990)
7 Ilija Vakić (1932), 24.2.1969–5.1974
8 Bogoljub Nedeljković (1920–1986), 5.1974–5.1978
9 Bahri Oruçi (1930–2011), 5.1978–5.1980
10 Riza Sapunxhiu (1925–2008), 5.1980–5.1982
11 Imer Pula (1921–2010), 5.1982–5.5.1984
12 Ljubomir Neđo Borković (1926–2009), 5.5.1984–5.1986
13 Nazmi Mustafa (1941), 5.1986–3.1987
14 Kaqusha Jashari (1946), 10.3.1987–9.5.1989
15 Nikollë Shkreli (1944), 9.5.1989–1989
16 Daut Jashanica (1948), 1989–4.12.1989
17 Jusuf Zejnullahu (1944), 4.12.1989–5.7.1990
Kryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës (1990–2000)
17 Jusuf Zejnullahu (1944), LDK, 7.9.1990–5.10.1991
18 Bujar Bukoshi (1947), LDK, 5.10.1991–1.2.2000, në mërgim
Kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (1999–2000)
19 Hashim Thaçi (1968), pa parti, 2.4.1999–1.2.2000
Kryeministër i Kosovës (Institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, UNMIK, 2002–2008)
20 Bajram Rexhepi (1954–2017), PDK, 4.3.2002–3.12.2004
21 Ramush Haradinaj (1968), AAK, 3.12.2004–8.3.2005
22 Adem Salihaj (1950), u.d., LDK, 8.3.2005–25.3.2005
23 Bajram Kosumi (1960), AAK, 25.3.2005–10.3.2006
24 Agim Çeku (1960), pa parti (AAK), 10.3.2006–9.1.2007
19 Hashim Thaçi (1968), 9.1.2008–17.2.2008
Kryeministër i Republikës së Kosovës (nga 2008)
19 Hashim Thaçi (1968), PDK, 17.2.2008–9.12.2014
25 Isa Mustafa (1951), LDK, 9.12.2014–9.9.2017
21 Ramush Haradinaj (1968), AAK, 9.9.2017–19.7.2019
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6226