Po ndryshon shqipja standarde



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

E kemi thënë më parë se shqipja po ndryshon. Gjuha standarde do bëhet heret a vonë me paskajore: kemi me e shkru me lexu. Mes thjeshtimesh tjera, do shkurtohet edhe pjesorja: kemi shkruar do bëhet kemi shkru.

Lektorët e gazetave ende i bëjnë qëndresë ndryshimit. Një shkrim, ta zëmë, me paskajore e ka vështirë me pa dritën e botimit në mediet tona.

Por në një shoqëri të lirë, janë intelektualët e mëdhenj — jo gabimqortuesit e paemër — ata që vendosin standardet. Larg trysnisë së lektorëve, emrat e përmendur të jetës publike po e ndijnë detyrën me folë dhe me shkru sa më shkurt e shqip.

Qe, në mos besofsh, se si shkrujnë me paskajore e pjesore të shkurtuar shum intelektualë tanë:

Lumir Abdixhiku është ekonomist dhe kolumnist goxha popullor. Kur lektorët s’i rrinë mbi krye, kumton lirshëm me popullin.

ndryshimet-standard-abdixhiku


Jeta Xharra është një nga gazetaret më të respektuara. E përdor paskajoren dhe pjesoren e shkurtuar pa u tutë.

ndryshimet-standard-xharra


Agron Demi është drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, një nga organizatat kërkimore më me ndikim në Kosovë. Rregullisht i përdor pjesoren e shkurtuar dhe paskajoren në postime tejet serioze në Facebook.

ndryshimet-standard-demi


Enver Robelli është Enver Robelli.

ndryshimet-standard-robelli


Daut Dauti është ish-gazetar dhe historian që jeton në Angli. Shkrun kështu:

ndryshimet-standard-dauti


Shkëlzen Gashi është veprimtar shoqëror, analist politik, e historian. Kumtesën e tij për Adem Demaçin, simbolin e përpjekjeve për bashkim kombëtar, e paralajmëron me paskajore.

ndryshimet-standard-gashi


Akademik Isa Mustafa, që është kryeministër i Kosovës, ka nisë me e krasitë pjesoren. Qe si e ka citu një portal lajmesh:

ndryshimet-standard-mustafa


Këtë shprehi po e përvetësojnë dalëngadalë edhe mediet.

Qe Telegrafi, për shembull:

ndryshimet-standard-telegrafi


Pastaj, Zëri n’internet e riboton një shkrim të Plisit me pjesore të shkurtuar dhe me paskajore:

ndryshimet-standard-zeri


Këtu vërehet një e vërtetë e madhe. Këta intelektualë e medie janë të gjithë nga Kosova, dhe pjesorja e shkurtuar dhe paskajorja e gjejnë përdorimin më të gjërë në Dardani.

Por ka edhe një të vërtetë tjetër: këta të cituarit e mi shkrujnë me rotaqizëm — me R në vend të N-së — që është veçori e toskërishtes.

Dhe ashtu siç ka zënë vend rotaqizmi tosk në Kosovë, do zë vend paskajorja e shqipes në Shqipëri e Maqedoni. Për ta mundësu paskajoren, duhet shkurtu pjesorja.

Punët po lëvizin ngadalë. Por qe ç’po ngjet:

Poetja e gjuhëtarja Ledi Shamku, njëherësh deputete në Kuvendin e Shqipërisë, i vargon postimet me këto thjeshtime e natyrshme që po i pëson shqipja.

ndryshimet-standard-shamku


Skulptori gjirokastrit Mumtaz Dhrami jep intervistë për Televizionin Shqiptar, duke e përdorë disa herë paskajoren.

ndryshimet-standard-dhrami


Në librin e tij Pavarësia, Ilir Ikonomi nuk i shmanget paskajores kur e lyp e vërteta historike. Fjalët që Isa Boletini i kishte dhënë një gazete italiane, Ikonomi i përkthen në një gegnishte me paskajore.

ndryshimet-standard-ikonomi
I. Ikonomi, Pavarësia: Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemali (UET Press: Tiranë, 2012), f. 233.

Shqipja nuk do të çlirohet brenda natës nga prangët e së shkuarës. Por shqiptarët e lirë do e çlirojnë atë.

Prandaj na vyjnë njerëzit! Robotët paemër që qortojnë gabime s’na hyjnë gjithaq në punë. Askush s’don me qenë si ata. Fëmijët tanë dojnë me u bë si Jeta, si Robelli, e si Iliri. Dhe do bëhen e do ua shkojnë madje!