Prishtina âsht gropa-gropa. Por krejt rrafsh ta bâjshin. Ti fol çka të dush, ata veç «po, po» dijshin. Pleqt, plakat, burrat, gratë, katundarët, qytetarët, zibidijtë, funksionerat…
Nejse, jo bash krejt! Ka pasë përjashtime. Na shoqnia e ngushtë, si të rij të painkuadruem, ishim ma kompleks. Ka pasë do me komplekse, po, por po thom kështu, na ishim ma të ndërlikuem. Ta bâjshim pak rrafsh, e ma fort bajat. Ta lëshojshim pak kemër, tue mos i mbajtë premtimet e vogla e tue u fërku mjekrrën mbasandej kishe s’po gërzhitna. Veç ma shum të kallxojshim drejt e të dilshim në fjalë. E njani-tjetrit sidomos, rrafsh s’ia bâjshim fijen.
Për shembull, Ibrës nuk ia bâjshim rrafsh kur i thojshim se e ka kryet e madh, se njimê e ka. As Kujtimit kur i thojshim që e ka nanën e mirë, se njimê e ka pasë. E as Ragipit kur e thirrshim kaklec, se qashtu ka qenë e ka mbetë, por ka qëllu i joni, e s’kem pasë çare pa e dashtë. Veç ma të mirën punë na e bâjshim kur folshim troç me njani-tjetrin. Kemi mujtë me pasë gabim, por s’e lejshim pa thanë: «Kadal, jarani jem, se qashtu nuk ta qet».
Me kqyrë holl, na e qitke. Punët s’i kishim qaq keq. Babëve iu dilte rroga e mirë, na u mundojshim me u gjindë kapak, e familjet i kishim rahat, deri dikund. Edhe të rij, sabij, axhamij, s’dijshim ma mirë.
Por me qat pak dije që e kishim, mbërrijtëm me u pranu në fakultet, n’universitetin e njomë të qytetin tonë gropa-gropa. Çuditnisht, edhe amfiteatri i fakultetit ka qenë si në gropë. Por qaty shkojke rrafshi ma i madh.
Në ligjerata shkojshim me rregull. Pos Hamiti i Prespës mungonte nganjiherë, se si ma i zoti prej shoqnisë, ish regjistru në dy fakultete, edhe ate si student i rregullt. Referentat e kishin shkru gabimisht n’amëz, e tash nuk pranojshin kurrqysh me lajmru me korrespondencë pa u kry viti. Lypshin ryshfet, po get, por na as dijshim me dhanë pare, e as të njofshëm s’kishim. Hamiti i kish ushtrimet e gjata në Teknik, e Lulzimi i pat premtu që ia bân çaren këndej në fakullë tonën. Në listë të studentave nënshkrunte për Hamitin, por jo veç për te.
— Qëky Çifut Çifelli, edhe njiherë nuk vjen në ligjeratë, nuk e merr nënshkrimin. Tregoni! — bërtiste profa Mystekil Mehribanaj, tue e qa hallin e studentit fiktiv që ish paraqitë ditën e parë, por s’ish dukë mâ prej atëhershit. Pa nënshkrim të profës, nuk na lejojshin me hy në provim. E unë s’mujsha pa ia lëshu nji sy Lulit me pa ç’fëtyrë bânte. Dhe dojsha fort me e dijtë se me cilën q e kish shkru at emën. Ashtu qysh e thojke profa, që i shqiptojke si ndryshe-ndryshe, më dilke q e fortë, q me kërryle t’ombrellës poshtë, q e çekiqit: ç.
Tek e mbrama, na ishim studenta të Fakultetit Shoqëroro-Politik, e duhej me dijtë me shkru bukur e pa gabime. Prandej, ushtrojshim e kopjojshim këso fjalish:
«Jemi studentë të vitit të parë në Degën e Përgjithshme të Fakultetit Shoqëroro-Politik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë, kryeqytetin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në Republikën Socialiste të Serbisë, në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë».
Tash lumozo, në kohën e kompjuterave, kjo fjali nuk zen ma fort se tre-katër rreshta. Asokohe, mos me përdorë shkurtesa (KSAK, RSS, RSFJ), i merrke shtatë radhë me e thadru me dorë e nja katër a pesë në maqinë të shkrimit, nëse kish kush ndonji. Dorën në zemër, kush donte me e ble nji, ia mbërrinte. Kish mall sa të dush. Edhe maqinat e shkrimit i kishin goditë për shqiptarët, me ë e ç, përkrah germave llatinicë të sërbokroatishtes, gjuhës së Jugosllavisë.
Na kështu e shkrujshim Jugosllavi, e Jugoslavija, por ma mbarë na vijke me i thanë shkurt Guzllavia. Edhe ta mbushte gojën kjo fjalë. E Kosovën Hamiti na mësonte me e qujtë dashnisht Dardani, se Dardania ma e madhe, ma e lashtë, e ma shqiptare. Ndërsy tij s’guxojshim me zanë ngoje shum fjalë që ai na thoshte janë sërbisht, por prej krejt atyne që na i ka mësu, Dardania më ka ngelë në mendje e në zemër.
Dardania ish e jona, e Guzllavia jo. Por jetojshim në nji qasi bote.
— Të dashur studentë, — na folte profa. — Që ta kuptoni drejt botën e sotme, ta kini parasysh stadionin e qytetit të Prishtinës. Tribyna perëndimore është zgjanue rishtazi. Është luksoze, por ma e shtrejtë, ashtu si Perëndimi. Aty shikoni ndeshjen nën hije, pa trazim. Lindja ka traditë, religjion, histori, por aty mblidhen huliganët e përzhiten në diell. Veriu e Jugu nuk na interesojnë. Por të gjithë i kemi sytë në fushën e blertë. Ajo është Jugosllavija. E bukur, tërheqëse, e dinamike. E kuptoni?
Studentët u kqyrën mes veti.
— Ndonji pyetje? Vërejtje? — vazhdoi profesori Mystekil, që kolegët sërbë e qujshin Mistekile. Ndonëse na folte për Jugosllavinë, Guzllavinë medemek, e shfaqte gjith at admirimin e tij të pamshefshëm për Perëndimin. Sikur donte me na e kujtu përherë që kish qenë në do kurse në Francë, e së fundmi kish vojtë dhe n’Amerikë. Atje kish mësu se studentat sillen lirshëm me profesorë, ndërhyjnë gjat ligjeratës, e bâjnë pyetje e komente lidhje-palidhje. Tash donte gjoja me na aktivizu dhe ne, që në çdo orë fakulteti veç shukatshim, ngojshim, e merrshim shënime.
I pari çoi gisht ai bobaqi i rreshtit të parë. Ka pas qenë prej Ferizajit, e na i thojshin përgëdhelisht Xajli. Folte kah gjysë ore, tue e recitu mësimin përmendsh, pat a s’pat lidhje me temë, dhe neve na konvenojke se u kryjke ligjerata pa folë na. Por profa nuk e priti mirë:
— Ke folë mjaft. Po e tepron. Ja të ndigjojmë prej shokut në rradhën e fundit atje, — tha, e bâni me dorë kah Luli, i cili dajët i kish në Ferizaj. Ky qytet, që i ka dhe tre emna tjerë, kish pas qenë nji javë ditë rresht kryeqytet i Shqipnisë.
— Unë, Profesor? — pyeti habitshëm Luli, që as gisht as dorë nuk kish ngritë.
— Po, ti! Ke ndonji pyetje ose vërejtje?
— Pyetje e kshtu jó, Profesor, — iu gjej Luli, gjysë ulë e gjysë në kambë. — Veç ishalla zgatë pra qajo lojë e nuk kryhet.
Në sallë plasi gazi.
— Qesharake! — tha me ironi Mystekil musteqja, tue ndejtë krekosshëm, me gjoks para, e tue qitë me duer si burrështetas. — Mos i merrni bukvalisht këto figura letrare, nëse keni mësue për to në shkolla të mesme. Merruni me figurën e përgjithshme, — fillozofonte profa, tue na e ndalë turrin e pyetje-komenteve që vetë i kërkonte.
Ta merr mendja se kishim fjalë ma të forta me i thanë, e me ia palu mirë. Luli ish goxha ma kreativ. Por si i rritun në Mahallë të Kovaçëve, nuk i mëshoi hekurit sa e pat të nxehtë.
Mue pikë më ka mbetë, qysh s’un e pyeta për topin? Kush âsht topi? Jo topi me gjyle, por llopta e rrumbullakët e llastikut, fusballi që e shkelin e i mëshojnë shkelm fillim e mbarim? Kur iu del pahiri jasht fushe, ngajnë me e kthy mbrenda, ose ua gjun dikush menjiherë. Dhe secili mundohet me fitu tue i mëshu topit. Topi në Guzllavi po, e krejt Guzllavia merren me te! 22 lojtarë në fushë, 22 milionë narod në tanë federatën, e 22 miliardë dreqni. Futbolli rëndom luhej deri në minutën e 90, por kur ndodhte me shku në vazhdime, ish plot thrill, tmerr, e befasi.
Profa thoshte që Guzllavia asht e përgaditun për ma të keqen. Dhe i pyeste studentat se ç’do vepronin nëse na sulmojnë me bombë bërthamore.
— Çohna e kqyri, Profesor! — thoshte prap Luli.
— Si more ashtu? Duhet me u mbrojtë nga e keqja. Futeni nën mburojë, — rrebohej pedagogu.
— Por njiherë na jepet mundësia me e pa, o Profesor. Këto sende nuk ndodhin përditë.
Amfiteatri u zgërdhi. Mystekili, që zakonisht i dredhte musteqet, e dridhi kryet.
Ulë jo fort larg nesh, Rukija bâni nja dy herë me e ngritë dorën për t’u përgjigjë. Por po get u ngushtu, e i mshefi gishtat e hollë nër bankë para se me i kapë syni i profës. Asaj boll i kish dalë zani dhe i kushtojshin vëmendje me thasë. Qysh në shkollë të mesme kish nisë me këndu për shoqninë e katundit të vet, për Shoqërinë Kulturo-Artistike «Gurgullima». Tash i kish pshtu fjala që çikat e grupit e kanë xhiru nji program për televizionin e Prishtinës, e kanë me dalë shpejt në tëvë. Por ç’kishin me pa kolegët e fakultetit n’ekran, kur Rukijes nuk ia ndajshin sytë në të gjallë?!
E mos t’ish Luli, e dej dikund unë, me i bâ shoqni e me i dalë krah, thojshe dojnë me e hangër për së gjalli. Do-do e ndjekshin prej derës s’amfiteatrit deri te dera e busit për Vushtrri, tue iu paraqitë për seriozisht; krejt jetëshkrimin e vet ia kumtojshin e i bâjshin bé e rrfé se e kanë për seriozisht. Do-do e mësyjshin si pré të lehtë, se tash ajo ish bâ e botës, se kish me dalë shpejt në televizor. Kur ish me ne, nuk guxojshin me iu afru. Veç edhe na duhej me e përcjellë të dytë bashk, që mos i qitë marre, me bâ kush me e pa vetëm me njanin prej nesh.
E këndej edhe na e shfrytzojshim rastin me ia mbushë mendjen për shokun tonë Hamitin, se mendojshim që, të dy të hijeshëm e të mençëm, Perendia i kish përpjekë. Por shoku ynë mungonte. Shum vjet ma vonë i pata ndi amerikanët tue thanë, «s’mundesh me qenë në dy vende të njejtën kohë». E qashtu Hamiti, i ramë prej Liqenit në Prespës në llumin e Prishtinës.
Ishim rini me perspektivë, kish me thanë kush. Secili në binar të vetin. Por u tutshim po përplasemi atje larg, heret a vonë.
Mystekili na e përmendte perspektivën goxha si shpesh. Veç ec e besoji plakun në stom të pensionit. Thashë, Prishtina âsht gropa-gropa. Por krejt rrafsh ta bâjnë.
Pleqt ua bâjshin rrafsh të rijve, kur këta nisshin me dëftu për të mbërrimet e botës moderne, se qysh njerzit kanë shku në Hanë e janë kthy në Tokë nja pesë-gjashtë herë deri tash, qysh nesër robotat kanë me i bâ punët e shpisë në vend të grave, e qysh bumja e atomit mun na rrafshit mekahkrejt — me tokë, me robota, e me gra. Pleqt folshin shkurt me cubat e rij, e pastaj u kthejshin ia bâjshin rrafsh njani-tjetrit për trimnitë e rinisë së tyne, për të vyemet e burrnisë, e për shartet që i kishin nda së voni në pleqni.
Plakat ua bâjshin rrafsh të rejave, sidomos atyne që i kishin reja e i qujshin obsesivisht «nuset e mija». Rrallë ndodhte guxojshin këto të ngratat me dëftu qysh me e lëshu maqinën e teshave, me kallxu për ndoj gatesë të re që e kanë mësu prej shehërlijve, ja me e bindë vjehrrën me u kqyrë te mjeku, por edhe qatëherë ua bâjshin rrafsh. Pastaj u kthejshin plakat e ia bâjshin rrafsh njana-tjetrës për bukurinë që e kanë pasë në vajzëni, për vimin e tyne si nuse të reja, e për hyzmetin e të nguemit që po e gëzojkëshin prej nuseve të veta tash në pleqni.
Mosha e mesme njashtu ia bâjshin rrafsh njani-tjetrit, kryesisht për sende që neve rioshave nuk na interesojshin fort: qysh po kqyrin me marrë banesë a kredi për shpi, qysh po ia rritin rrogën vetit, e qysh po marrin pushim mjeksor tue qenë shnosh e rahat. Na interesonte veç kur rrejshin ashiqare që kerret e Zastavës — 101-shi i madh, që sërbët e qujshin Stojadin, ja 750-shi i vocërr, që krejt i thojshim Fiqë — nuk po iau vlon ujët n’udhë të largëta, kur u nisshin për deti n’Ulqin a në Budvë. Folshin mbarë e mbrapsht, e ia priznatshin shoqi-shoit marritë që i kallxojshin, tue bâ me krye poshtë e përpjetë ja tue pohu herë me «pò, pò», herë me «pó, pó», e herë «pó, pò» — me nji o të gatë, e nji të shkurtë! Ndihej shpesh edhe ndonji pö, me ö si të gjermanit, ndonëse ata që shpërnguleshin në Prishtinë mundoheshin rëndom mos me e shqiptu ma kët zanore me guhë e buzë përpara, por tue i ngrehë tembas si shehërlijtë. Qysh me e rrafshitë gjuhën ndryshe?
Jeta publike ka qenë veç ma keq. Dilshin spikerat e spikericat në televizi — gjith u habitsha a me thanë shqip televizor a televizion — e lexojshin prej letrës, por gjysa e miletit s’i merrte vesh. Ndonji gjyshe aty-këtu vetke: «Çka tha djali jem?». Ndoi nip e bindte se nuk kish me kuptu «edhe me të kallxu», e këta tjerët u bâjshin kinse e muerën vesh. Krejt rrafsh! E politika veç ma zi: rrehe gjyksin, rrehe shpinën, ngulja thikën, bânja gropën. Stari i mladi, seljaci i građani. Ndërmjeveti. Tinza. Veç krejt rrafsh!
Pos na të rijtë e painkuadruem që ishim ma ndryshe…
Tregime të ngjashme nga ky autor:
- Agoni i Pilarës
- Rexhë mërgimtari
- Rex the Expat/Immigrant (anglisht)
- Kur komunizmi e kerret båjnë kërdi në kafiqa
Dhe tregime nga autorë të tjerë:
Foto: Panoramë e Prishtinës, rreth viteve 1970
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5293