«Lajm i keq për kosovarët, nga shkurti ngrihet çmimi i vizave shengen», thotë një titull i Gazetës Express. Por në Kosovë fjala ngrihet nuk ka kuptimin me të cilën e ka përdorë gazeta.
Kjo është dukuri ma e thellë gramatikore e shoqnogjuhësore, që nuk di të jetë qëmtu mjaftueshëm. Këtu po përpiqem me dhënë një shpjegim.
Në Kosovë, kur diçka ngrihet, i bie se kalon në ngjendje të ngurtë, bëhet akull. E kundërta e kësaj ndodh kur shkrihet. Kështu është në përdorimin kosovar të gjuhës shqipe, pa marrë parasysh regjistrin. Toskërisht thuhet ngrin dhe shkrin.
Kurse çmimi, flamuri, standardi, padia, a gjësendi në Kosovë ngritet. Kjo është tjetër folje. Toskërishtja përdor ngrihet. Supozojmë që këtë trajtë kërkon edhe norma 72, ani pse Fjalori i Akademisë i 2006-s bishtnon mjeshtërisht shembujt ku mund të thuhej ngritet ose ngrihet (por jep frazën «uji ngrin»).
Ka dhe një folje të tretë që tingëllon ngjashëm: me ngrehë i bie me tërheqë.
Fjalori i Akademisë dallon të trija foljet: ngrij (me ngri), ngre (me ngritë) dhe ngreh (me ngrehë).
Por këto folje gërshetohen e ngatërrohen shkaku i apofonisë — kërcimit apo ndryshimit të zanoreve që foljet pësojnë gjatë zgjedhimit. Për shembull, flas bëhet flitet, zgjedh bëhet zgjidhet.
Dardanishtja, apo gegnishtja verilindore që flitet në Kosovë, veçohet për prirjen kundër apofonisë. Për shembull, në shumë të folme dardane heq–hoqa–hiqe përkon me heki–heka–heke. Ky rast ilustron edhe prirjen e dardanishtes me i sheshu paradigmat e zgjedhimit të foljeve, duke i kthy foljet e parregullta në të rregullta. Kështu apofonia dhe sheshimi i paradigmave kanë bërë që dardanishtja t’i perceptojë e t’i përdorë foljet ngri, ngritë e ngrehë ndryshe nga dialektet e tjera.
Njëlloj mund të ketë ndiku përpjekja me dallu mes ngritjes e ngrehjes. Andaj dardanishtja thotë ngritet (jo ngrihet ose ngrehet), duke zgjedhu foljen sipas trajtës që merr në pjesore (ngritë/ngritur) dhe në të kryerën e thjeshtë (ngrita, ngrite, ngriti).
Por zgjedhimi i kështuzmë mund të jetë ngatërrim i paqëllimtë. Folja me ngritë është gjasshëm prurje e re për dardanishten. Kosovarët e kanë hasë së pari herë në fraza si «Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë» ose «plaku i urtë ka ngritur flamurin», dhe pastaj e kanë bartë rrënjën ngrit nga e shkuara (me pjesore) ose kryera e thjeshtë në kohën e tashme. Kështu dardanishtja e ka rregullsu një folje që dukshëm është e parregullt.
Përveç kësaj, folja ngrij ka tipare të foljes së luhatshme (labile ose ergative): kur përdoret me kundrinë, është folje kalimtare; kur nuk ka kundrinë, është thjesht jokalimtare dhe gjithë veprimi bie mbi kryefjalën. Shembull i foljes së luhatshme është me plasë: topi plasi (vetë) dhe ma plasi barkun. Ky shembull vlen edhe për Kosovën. Por në përgjithësi, dardanishtja shmang foljet e luhatshme dhe përdorimet jokalimtare të foljeve i nxjerr në fytyrën vetvetore-pësore: ai kthen bëhet ai kthehet, ndërsa filani dhjeu përkon me filani u dhi (por e dhiu punën). Ngjashëm, uji ngrihet, por subjekti kundrinës ia ngrin zemrën.
Këto janë vrojtime të mia në shikim të parë, pa ndonjë hulumtim të thellë e përsiatje të kënaqshme shkencore. Por mund të shërbejnë si hipotezë për këtë dukuri që prek shqipen në Kosovë nga e folmja e regjistrit të ulët deri te përdorimi ma formal i gjuhës së shkruar. Përjashtimet madje janë tejet të rralla.
Gjithsesi, një gazetë që shkrun për publikun e gjerë bën mirë të përdorë gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme. Nga shkurti, aplikimet për vizë do shtre(n)jtohen. Këtë thotë lajmi i Expressit.
P.S. Çmimet as shtrejtohen as lirohen, por ngriten e ulen, përveç nëse është fjala për çmime (mirënjohje e dekorata) që të korruptuarit i blejnë, në vend se t’i fitojnë me meritë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6609