Sindikata e Telekomit kundër Z-Mobiles

Aktvendim i Gjykatës së Apelit


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Disa javë para se t’i bllokoheshin e t’i zbrazeshin llogaritë Telekomit të Kosovës, Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e Sindikatës (FSP-PTK) lidhur me masën e sigurimit që kishte kërku ndaj Z Mobiles. Ne besojmë se gjykata ka gabu, duke i pamundësu Sindikatës të realizojë të drejtën e saj.

Gjatë verës së sivjetme, Sindikata ka ngritë padi për të vërtetu se kontrata mes Telekomit e Z Mobiles është juridikisht e pavlefshme. Njëherësh ka kërku masa sigurimi për ta parandalu falimentimin e ndërmarrjes nga përmbarimi i borxheve, tjetërsimin dhe fshehjen e pasurisë së Z Mobiles dhe përtëritjen e kontratës që ka skadu në korrik 2019.

Përkundër provave bindëse, as shkalla e parë e as e dyta nuk pati guximin me miratu kërkesën e drejtë të punëtorëve. Gjykata ka zbatu gabimisht rregullat ligjore për masat siguruese, ka dhënë justifikime që s’kanë lidhje me faktet e ligjin e zbatueshëm, ka shpërfillë provat dhe argumentet ma të fuqishme, dhe nuk ka trajtu të gjitha pretendimet e parashtruesit. Kështu i ka mohu Sindikatës të drejtën themelore të gjykimin të drejtë, të mbrojtur me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pasojat e vendimeve gjyqësore tani po rëndojnë mbi 3 mijë e 300 punëtorët e Postës dhe Telekomit, anëtarë të Sindikatës. Po rrezikohet njëherësh i gjithë sektori i telekomunikimeve, që ka rëndësi jetike për sigurinë shtetërore të Kosovës.

Vendimet kanë të bëjnë vetëm me masën siguruese. Shqyrtimi i padisë nuk ka nisë ende.

Si bashkëpërfaqësues i autorizuar i Sindikatës, për hir të opinionit publik, po nxjerr këtu shkresat e lëndës nga kontesti me Z Mobilen:

Lënda ndodhet në Gjykatën Themelore të Prishtinës me numër EK 316/20. Ky rast dallon nga procedurat kontestimore dhe përmbarimore mes Telekomit dhe Z Mobiles.