Kur çmimi ngritet, ngrehet e ngrihet

Ngritet v. ngrihet


Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

«Lajm i keq për kosovarët, nga shkurti ngrihet çmimi i vizave shengen», thotë një titull i Ga­ze­tës Express. Por në Kosovë fjala ngrihet nuk ka kuptimin me të cilën e ka përdorë gazeta.

Kjo është dukuri ma e thellë gramatikore e shoqno­gjuhësore, që nuk di të jetë qëmtu mjaf­­tue­shëm. Këtu po përpiqem me dhënë një shpjegim.

Në Kosovë, kur diçka ngrihet, i bie se kalon në ngjendje të ngurtë, bëhet akull. E kundërta e kësaj ndodh kur shkrihet. Kështu është në përdorimin ko­sovar të gjuhës shqipe, pa marrë parasysh regjistrin. Toskërisht thuhet ngrin dhe shkrin.

Kurse çmimi, flamuri, standardi, padia, a gjësendi në Kosovë ngritet. Kjo është tjetër folje. Toskërishtja përdor ngrihet. Supozojmë që këtë trajtë kërkon edhe norma 72, ani pse Fja­lori i Akademisë i 2006-s bishtnon mje­shtë­risht shembujt ku mund të thuhej ngritet ose ngrihet (por jep frazën «uji ngrin»).

Ka dhe një folje të tretë që tingëllon ngjashëm: me ngrehë i bie me tërheqë.

Fjalori i Akademisë dallon të trija foljet: ngrij (me ngri), ngre (me ngritë) dhe ngreh (me ngrehë).

Por këto folje gërshetohen e ngatërrohen shka­ku i apofonisë — kër­cimit apo ndryshimit të zanoreve që foljet pësojnë gjatë zgjedhimit. Për shembull, flas bëhet flitet, zgjedh bëhet zgjidhet.

Dardanishtja, apo gegnishtja verilindore që flitet në Kosovë, veçohet për prirjen kundër apo­fonisë. Për shembull, në shumë të folme dar­dane heq–hoqa–hiqe për­kon me heki–heka–heke. Ky rast ilustron edhe prir­jen e darda­ni­sh­­tes me i sheshu paradigmat e zgjedhimit të fol­­jeve, duke i kthy foljet e parregullta në të rre­­gullta. Kë­shtu apo­fonia dhe sheshimi i pa­ra­­­digmave kanë bërë që darda­nish­tja t’i per­­cep­tojë e t’i përdorë foljet ngri, ngritë e ngrehë ndryshe nga dialektet e tjera.

Njëlloj mund të ketë ndiku përpjekja me dallu mes ngritjes e ngreh­jes. Andaj dar­danishtja thotë ngritet (jo ngrihet ose ngrehet), duke zgje­­dhu foljen sipas traj­tës që merr në pjesore (ngritë/ngritur) dhe në të kryerën e thjeshtë (ngrita, ngrite, ngriti).

Por zgjedhimi i kështuzmë mund të jetë nga­tërrim i pa­që­llim­të. Folja me ngritë është gjas­shëm prurje e re për dar­da­ni­shten. Kosovarët e kanë hasë së pari herë në fraza si «Is­mail Qe­mali ngriti flamurin në Vlorë» ose «plaku i urtë ka ngri­tur flamurin», dhe pastaj e kanë bartë rrënjën ngrit nga e shkuara (me pjesore) ose kryera e thjeshtë në ko­hën e ta­shme. Kë­shtu dardanishtja e ka rregullsu një folje që duk­shëm është e parregullt.

Përveç kësaj, folja ngrij ka tipare të foljes së lu­hatshme (la­bi­le ose ergative): kur përdoret me ku­ndrinë, është folje ka­lim­tare; kur nuk ka kun­drinë, është thjesht jokalimtare dhe gjithë veprimi bie mbi kryefjalën. Shembull i foljes së lu­hat­shme është me plasë: topi plasi (vetë) dhe ma plasi barkun. Ky shembull vlen edhe për Ko­so­vën. Por në përgjithësi, dar­da­nishtja shmang foljet e luhatshme dhe për­do­ri­met jo­ka­lim­tare të foljeve i nxjerr në fytyrën vet­ve­tore-pësore: ai kthen bëhet ai kthe­het, ndërsa fi­lani dhjeu përkon me filani u dhi (por e dhiu punën). Ngjashëm, uji ngrihet, por subjekti ku­n­­drinës ia ngrin zemrën.

Këto janë vrojtime të mia në shikim të parë, pa ndonjë hu­lum­tim të thellë e për­siatje të kënaq­sh­me shkencore. Por mund të shërbejnë si hi­po­tezë për këtë du­kuri që prek shqi­pen në Ko­sovë nga e folmja e regjistrit të ulët deri te për­do­ri­mi ma formal i gjuhës së shkruar. Për­jash­ti­met madje janë tejet të rralla.

Gjithsesi, një gazetë që shkrun për publikun e gjerë bën mirë të për­dorë gjuhë të thjeshtë e të kup­tueshme. Nga shkurti, aplikimet për vizë do shtre(n)jtohen. Këtë thotë lajmi i Expressit.

P.S. Çmimet as shtrej­tohen as lirohen, por ngri­ten e ulen, përveç nëse është fjala për çmime (mirë­njohje e dekorata) që të korrup­tuarit i blejnë, në vend se t’i fi­tojnë me meritë.