Lajmi për vendimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe asht lajmi ma i mirë kulturor shqiptar rreth gjuhës shqipe për dhjetëvjeçarë të tërë. Ma në fund një grup gjuhëtarësh mori vendim që të thejë akullin që ngriu gjuhën shqipe në frymën e një kohe enveriste dhe e ngurtësoi në armaturën e bunkerit gjuhësor. Natyrisht, si në çdo punë, edhe në këtë ndërmarrje, ka me pasë probleme që kanë me e përcjellë gjatë rrugës, por akti në vetvete asht shumë ma domethënës sesa vendimet që janë marrë dhe kanë me u marrë në të ardhmen. Nëse enverizmi politik dhe ekonomik shqiptar u shpërbë me 1991, sepse desh e çoi në humnerë një popull të tërë, atëherë enverizmi kulturor u shu me 16 prill 2013, me këtë akt. Vonë, por ma mirë vonë sesa kurrë.
Vendimet e Këshillit janë të rëndësishme sidomos për një fakt: ato kanë me i dhënë Këshillit një autoritet i cili, ma në fund, ka tagër me marrë vendime për shqipen. Deri sot, nëse kishte diçka që ishte paralizuese, bllokuese dhe, pse jo, edhe paradoksale ishte se nuk kishte një institucion veprues i cili do të mund të merrej vetëm me kujdesin e përhershëm për shqipen. Uroj që ky Këshilli ka me mujtë me dëshmu e me i qëndru kohës tue u bë shkencërisht i autoritetshëm për gjuhën shqipe dhe politikisht i qëruar prej ndikimesh.
Tue shiku në përgjithësi, nga 37 vendimet, shumica merren me elemente të veçanta, e jo me rregulla të përgjithshme. Disa që kanë prekë rregulla me efekte ma të gjëra kanë disa probleme me të cilat do të merret ky vështrim.
Janë marrë këto vendime:
a) 18 vendime për drejtshkrimin e zanoreve;
b) 15 për drejtshkrimin e jozanoreve (bashkëtingëlloreve);
c) 3 vendime për shkrimin e shkronjave të mëdha dhe
ç) 1 për drejtshkrimin e antroponimeve të hueja.
Një fakt tjetër interesant për këto vendime asht se Këshilli asht tue rishqyrtu propozimet e dhëna qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, të cilat, në atë kohë, pa një shpjegim e argumentim të bindshëm, janë mohu, janë heshtë ose nuk janë pranu si normative. Pra, këto propozime të sotme kanë një parahistori. Le të shohim me rend:
Çështja e –ëm / –më asht shtru e asht mbrojtë trajta me –ëm nga Kolec Topalli, i cili tash asht në Këshillin Ndërakademik (fq. 222, pika 6). Sofika Adhami e ka mbajtë qëndrimin se ‘këta mbiemra në shumës duhet të ruajnë –ë– në atë pozicion që e kanë edhe në njëjës, d.m.th. të jashtëm, të fisëm, të sotëm.’ (fq. 246). Trajtën –ëm e mbron edhe Isa Bajçinca (fq. 271 dhe 598) dhe Mahir Domi (fq. 598);
Çështja e mbaresës së shumësit –nj / –j asht shtru nga Jup Katrati i cili ka kërku që trajta e shumësit me –j të vihet si normë (fq. 79). Kjo asht mbrojtë nga Kolec Topalli (fq. 222, pika 11). Z. Lumnie Shehetila, përkrah shumësin me –j e jo –nj: ‘Nuk jemi të një mendimi me autorët e «Rregullave të drejtshkrimit» që emrat mashkullorë të cilët në njëjës mbarojnë me zanore të theksuar në shumësin e pashquar t’i shkruajmë me –nj.’ (KDGjSh, 1974, fq. 414). Jorgji Çerepi: ‘Po kështu nuk është shterues motivimi «në pajtim me shqiptimin më të përgjithshëm» i vënë në bazë të rregullës për shkrimin e nj-së në trup dhe në fund të fjalës. Sot, më tepër gjuha e gjallë priret nga forma me –j: ullij, mullij (fq. 548). Edhe Shaban Demiraj përkrah shumësin me –j (fq. 597). Po ashtu edhe Isa Bajçinca: ‘…është e nevojshme të pranohen me –j e jo me –nj’ (fq. 597). Të vetmit që e kanë kundërshtu këtë kanë qenë Emil Lafe dhe Ismail Doda. Si u bë pra, që gjashtë gjuhëtarë publikisht kërkojnë që mbaresa –j të bëhet normative dhe dy kundërshtojnë dhe fitojnë këta të fundit? Sepse, këtyre prapa u vinte Partija!
Këshilli Ndërakademik i Shqipes ka ardhë në disa analiza të sakta dhe ka dhënë sugjerime tue u nisë prej përfundimesh të këtyne analizave. Shumica e tyre kanë qenë të domosdoshme dhe në këtë vijë Këshilli asht në rrugë të mirë. Shumësi arkaik me ‘-nj’ ka qenë në diskutim për t’u heqë qysh në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 e me u zëvendësu me ‘-j’. Por rryma provincialiste që mbizotëronte në atë kohë arrijti të zgjasë jetën e kësaj mbarese të shumësit edhe për dyzet vjet të tjerë. Një nga eksponentët më këmbëngulës për mbetjen e kësaj ‘-nj’-je ishte pikërisht E. Lafe (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, IAP, 1974, fq. 79), aj që sot ankohet ma së shumti për ndryshimet që janë bë nga Këshilli Ndërakademik. Kur gjuhëtari, Jup Kastrati, propozoi që mbaresa e shumësit –nj të hiqet aj dha argumentin shkencor tue thënë se kjo tashmë kishte ndodhë në toskërishte në sistemin foljor ku –nj (puno-nj) ishte bë –j (puno-j). Natyrisht, E. Lafe nuk e komentoi këtë argument, por u kap për një ndjesi krejt subjektive e krejt të kotë se shumësi me nj paskësh ‘fituar stabilitet’(!) tue dhënë një parashikim se ‘një j pas një i të theksuar do të zhdukej krejt, kështu që shumësi do të mbetej njësoj si njëjësi, ashtu siç nuk dëgjohet më j në fund të foljeve fshij, arrij. Prirja për diferencim të kategorive morfologjike kërkon që shumësi të jetë arinj, barinj, ullinj.’
Një mendje e shëndoshë nuk din se çfarë problemi paraqet edhe vetë zhdukja e –j-së dhe ç’të keqe ka në njëjtësimin e trajtave të njëjësit të pashquar me shumësin e pashquar. Në gjuhën shqipe, njëjtësimi i trajtave të njëjësit me shumësin te emrat egziston sot e gjithë ditën, edhe atë jo te një grup i vogël emrash por te grupi i tretë ma i madh për nga numri, në Lakimin e Parë, te emrat e tipit: (një/disa) prizrenas, mësues, kërcyes e shpifës. Pastaj kjo ndodh edhe te emrat e tipit (një/disa) palaço, xhaxho, birbo. Të këtillë janë rreth dy mijë emra në gjuhën shqipe dhe këta asnjë shqiptari asnjëherë s’u kanë shkaktu probleme. Ç’flet, pra, Emil Lafe? Mos asht j-ja ndonjë germë a tingulli i shejtë? Edhe pasi vajton me lot krokodili që j-ja po u zhdukka në foljet fshij e arrij Lafeja megjithatë nuk propozon që nj-ja të kthehet te këto folje. Një dobi tjetër e propozimit të J. Kastratit ishte jo vetëm njëjtësimi i rregullave, e me këtë paksimi i përjashtimeve (një nga vendimet kryesore udhërrëfyese që ishte marrë nga Kongresi (shih pikën 5)), por edhe paksimi i dallimeve dialektore sepse gegërishtja kishte kohë që e kishte rrudhë –nj-në në –j te kjo mbaresë e shumësit. Asnjë argument, qoftë shkencor, qoftë përbashkues, nuk e zbrapsi dot zellin provincialist të Lafes. E megjithatë, sa asht, vërtet, numri i emrave që e ndërtojnë shumësin me –nj? Rreth 300. Pra, ballafaqoheshin rreth dy mijë emra me treqind! Tjetra, në ‘gjuhën e njësuar’ sipas 1972 ka tashma rreth 80 emra që shumësin e ndërtojnë me mbaresën –j! Pra, ky shumës nuk asht i huej për shqipen. Asht i huej për Emil Lafen. Rreth dy mijë emra tashmë funkcionojnë në gjuhën shqipe me trajta të njëjtësuara të njëjësit e shumësit, por këta s’janë argument për Lafen. Për Lafen argument asht nuhatja e tij ‘shkencore’ se një dukuri paskësh ‘fituar stabilitet’. Prej këtyre gjuhëtarëve me nuhatje langojsh dhe jo gjykim shkencëtarësh drejtshkrimi i shqipes u rropos këtu asht sot.
Trajta thelb > thelbinj dhe jo thelpinj asht propozu qysh atëherë nga Fatmir Agalliu (KDGjSh, 1974, fq. 220). Pavarësisht që në «Rregulla…» thuhej që të ketë ‘sa më pak përjashtime’, Kongresi vazhdonte të merrte vendime për rregulla me përjashtime.
Trajtën qyrra si normë – e jo qurra – e ka propozu Ajet Bytyçi në Kongres (fq. 273). Kurrkush s’ia ka vë veshin!
Për mue, megjithatë, dy vërejtje të përgjithshme janë me rëndësi.
Së pari, shqipes i duhet një qasje induktive prej së cilës kishin me dalë rregulla sa ma gjithëpërfshimëse. Sipas vendimeve të marra duket se Këshilli ka marrë vendime tue nisë prej analizash induktive pa bë një dedukcion të duhur. Mendoj se kjo qasje nuk ndryshon shumë prej qasjeve që deri tash i janë bë shqipes. Asht e vërtetë se krijimi i rregullave do të duhej me u nisë prej analizash të njësive ma të vogla., natyrisht, por kjo do të duhej me u bë vetëm me idenë që këto analiza me dhënë një rezultat të saktë për vendosjen e rregullave sa ma gjithëpërfshirëse.
Së dyti, duhet me u bë një formulim i qartë dhe i plotë i rregullave, kështu që sa herë që të merret një vendim të ketë referencën e qëndrueshme. Kjo i shërben jo vetëm vendimeve për gjendjen e shqipes sot por edhe vendimeve që mujnë me u marrë në të ardhmen e afërt e të largët sepse platforma mbi të cilën punohet duhet me llogaritë ndërhyrjet e mundshme pa pasë nevojë me bë ndërrime rrënjësore. Tue i pasë parasysh këto dy vërejtje të përgjithshme duhet me thënë se disa vendime të tashme të Këshillit duhet me u llogaritë deri diku të përkohshme. Një përpunim i plotë shkencor i shqipes asht projekt i së ardhmes. Ndoshta përgatitja e një projekti të këtillë asht një ndërmarrje edhe më e rëndësishme që Këshilli do të duhej me planifiku e me mendu qysh m’ia vendosë bazat qysh prej tash.
Në vazhdim të këtij shkrimi do të merremi vetëm me ato pika ku kemi sugjerime e vërejtje. Në Sekcionin A do të merremi me pikat 1, 6, 7, 15 dhe 17. Në sekcionin B me pikat 1 dhe 10.
A – Për drejtshkrimin e zanoreve
PIKA 1: Të ndryshojë drejtshkrimi i disa fjalëve të formuara me prapashtesën -m duke zhvendosur zanoren –ë– nga pozicioni fundor në brendësi të fjalës. Fjalë të tilla janë: i prapmë të shkruhet i prapëm ~ e prapme; i pasmë të shkruhet i pasëm ~ e pasme; i mishmë të shkruhet i mishëm ~ e mishme; i sontmë të shkruhet i sontëm ~ e sontme; i parvjetmë të shkruhet i parvjetëm ~ e parvjetme. Me këtë ndryshim ruhet forma e prapashtesës –m, që formon pjesore e mbiemra, dhe fjalët integrohen në paradigma të njohura (khs. i sotëm ~ e sotme, i mesëm ~ e mesme, i tashëm ~ e tashme, i avashëm ~ e avashme, i ndryshëm ~ e ndryshme, i sivjetëm ~ e sivjetme).
KOMENT: Në këtë pikë të Këshillit nuk asht e qartë se a kanë me ndryshu të gjitha fjalët e kësaj klase apo vetëm pesë mbiemrat që janë listu këtu: i prapmë, i pasmë, i mishmë, i sontmë dhe i parvjetmë. Megjithëse, shprehja ‘fjalë të tilla janë’, len me kuptu se kjo asht lista e plotë e fjalëve që propozon Këshilli. Në klasën e mbiemrave që mbarojnë me -më hyjnë rreth 80 mbiemra. Tema e rreth 50 mbiemrave mbaron me jozanore dhe tema e rreth 30 mbiemrave me zanore. Kjo asht me rëndësi sepse qysh mun me u pa, të gjithë mbiemrat e propozuar prej Këshillit mbarojnë me temë me jozanore: ’-p’, ‘-s’, ‘-sh’ dhe ‘-t’. Mbiemrat e kësaj klase që mbarojnë me zanore asht e pamundur me bë këtë ndërrim (psh. ‘i mbramë’ nuk bëhet dot ‘i mbraëm’). Lista e plotë e jozanoreve të këtyre temave të mbiemrave asht:
- ’-d’ (‘fundmë’ ),
- ‘-j’ (‘i hojmë’),
- ’-l’ (‘kolmë’),
- ‘-p’ (‘i prapmë’),
- ‘-q’ (‘paqmë’),
- ‘-r’ (‘larmë’),
- ‘-s’ (‘pasmë’),
- ‘-sh’ (‘i mishmë’) dhe
- ‘-t’ (‘i pritmë’).
Në këtë listë, qysh shihet, nga Këshilli jepen temat me -p, -s, -sh dhe -t dhe mbesin pa ndonjë vendim katër lloj mbiemrash me tema me jozanore: -d, -j, -l dhe –r. Kështu vijmë te një pikë me rëndësi: vendimet duhet me u marrë për klasat e fjalëve, kur kjo asht e mundur, e jo për fjalët e veçanta. Këshilli, fjala vjen, thotë se ‘i sontmë’ duhet me u shkru ‘i sontëm’. E mbiemri ‘i pritmë’ a duhet me u shkru ‘i pritëm’? Kjo mbetet e paqartë. Si qëndron puna, pra, me të gjithë mbiemrat e tjerë të kësaj klase që mbarojnë me tema me jozanore?
Gjithsesi, vendimi i Këshillit për shkrimin me -ëm e jo me -më i këtyre mbiemrave asht vendim i drejtë. Asht ma i lehtë për shqiptim dhe pajtohet me një shqiptim ma të përgjithshëm. Në të vërtetë, në F1980 mbiemri ‘i vjetëm’ asht dhënë si ‘i vjetëm’ dhe jo ‘i vjetmë’ dhe asht e çuditshme se si kanë dalë kështu mbiemrat ‘i parvjetmë’ dhe ‘i sivjetmë’! Kjo tregon njërën nga kundërthëniet e shumta që shfaqen në vendimet e Kongresit 1972 sepse edhe ky Kongres vendimet i ka sjellë në mënyrë arbitrare, pa një vështrim të përgjithshëm, pa një analizë të hollë të rregullave të një gjuhe që kishte marrë përsipër me e normativizu. Tue qenë se vendimi i Këshillit vlen vetëm për mbiemrat e kësaj klase –më, që mbarojnë me temë me jozanore rregulla do të duhej me u formulu kështu:
‘Mbiemrat që kanë temë me zanore shkruhen me –më. Mbiemrat që mbarojnë me temë me jozanore do të shkruhen ‘-ëm’.’
E formuluar kështu, kjo rregull asht ma gjithëpërfshirëse dhe lë shumë pak hapësirë për kundërthënie.
PIKA 6: Mbiemrat prejpjesorë: i shpërbemë dhe i rremë, që janë formuar me formantin –m të pjesores, duhet të shkruhen i shpërbem dhe i rrem, duke respektuar formën e prapashtesës, që është –m e jo –më, pasi me këtë të fundit formohen emra e jo mbiemra (khs. ndihmë, frymë, pështymë).
KOMENT: Këshilli thotë se sipas kësaj rregulle ‘formohen emra e jo mbiemra’! Por në shqipe me këtë rregull formohen, padyshim, edhe mbiemra. Mbiemri ‘i rremë’ vjen nga një pjesore e gegërishtes me theks parafundor ‘(me) rrê(më)’ (tjetra asht ‘(me) rrêjtë’ por kemi edhe ‘me rrê’). Rregulla asht vendosë qysh me 1916: ato fjalë ku gegërishtja i shenjon me një zgjatje zanoreje dhe toskërishtja me një ‘ë’ fundore do të shkruhen me ‘ë’ fundore. Te folja ‘(me) rrejtë’ prej trajte ma të rrallë të pjesores ‘me rrê(më)’ (si me bâ(më), me râ(më), me le(më )), ‘ê’-ja asht e theksuar, e gjatë dhe duhet me u mbështetë me një ‘ë’ fundore sipas rregullës së përgjithshme. Rastet e vetme kur në shqipe mun me mbetë me ‘-m’ asht kur theksi i fjalës asht tejfundor ‘i sípër-m’, ‘i nésër-m’ por asnjëherë tjetër. Zbatimi i kësaj rregulle të re, ashtu qysh propozon Këshilli, çon në një përjashtim të ri. Dhe ky nuk duhet me qenë synim i Këshillit Ndërakademik.
Kemi edhe disa mbiemra të tjerë prejpjesorë me –më që Këshilli nuk i zë në gojë:
Në F1980: ‘i ter-më’ (nga ‘terur’), ‘i tjerr-më’ (nga ‘tjerrë’), ‘i prit-më’ (nga ‘pritur’), ‘i mbru-më’ (nga ‘mbru-jtur’) ‘, ‘i përhimë’ (nga ‘përhi-rë’), ‘i përthimë’ (nga ‘përthi-njur’), ‘i ndërdymë’ (nga ’ndërdy-rë’); ‘i zbardhëllemë’ (nga ‘zbardhëll-yer’), ‘i zverdhemë’ (nga ‘zverdh-ur’);
Në F2011: ‘i shtymë’ (por në F1980 gjendet emri ‘shtymë’ nga ‘shty-rë’) , ‘i tejngimë’ (nga ‘ngi-njur’), ‘i zhbimë’ (nga ‘zhbi-rë’), ‘i thimë’ (nga (thi–njur), ‘i përfundmë’ (nga ‘përfund-uar’).
Mendojmë se trajtat egzistuese duhet me mbetë ashtu qysh janë sepse kështu hyjnë në një klasë. Nëse ndërrojnë sipas propozimeve të Këshillit, krijohen përjashtime të reja.
PIKA 7: Mbiemri i majmë, në mbështetje të shqiptimit më të përgjithshëm, duhet të shkruhet i majm ~, e majme, pa zanoren –ë në formën e gjinisë mashkullore. Me këtë paradigmë mbiemri integrohet në paradigmën e mbiemrave i madh ~ e madhe, i kuq ~ e kuqe, i keq ~ e keqe.
KOMENT: Ky mbiemër shkon me mbiemrat ‘i hojmë’, ‘i sojmë’, etj. Megjithëse tema e mbiemrit ‘i majmë’ për koincidencë asht ‘majm’ dhe për m’u bë mbiemër i kësaj klase i asht shtu vetëm një ‘-ë’, kjo nuk e zhvendos prej kësaj klase por e shkrin pikërisht me këtë klasë (ashtu qysh ndodh me emrat shpif + ës por rrënjë + s). Theksi mbetet parafundor dhe zanorja zgjatet (ashtu qysh ndodh me ‘përtej’ por ‘i përtejmë’. Prandaj duhet me u shkru ‘i majmë’ sikurse mbiemrat në pikën 6. Mbiemrat ‘i madh’, ‘i kuq’ dhe ‘i keq’ janë përjashtime. Thjesht, nuk përbëjnë klasë fjalësh me veçori morfologjike të njëjta. Në shumës, fjala vjen, ata dalin me paradigma krejt të ndryshme: ‘të mëdhenj-të mëdha’, ‘të kuq-të kuqe’ dhe ‘të këqij-të këqija’! Ndërsa te ‘të majmë-të majme’ paradigma del njësoj me klasën që i takon: i majmë/e majme (nj.) të majmë/të majme (sh.) sikurse: i hojmë/e hojme – të hojmë/të hojme; i sojmë/e sojme – të sojmë-të sojme.
PIKA 11: Emri thyez “copë e vogël e thyer” të shkruhet me zanoren –ë fundore, pra, thyezë, pasi ai nuk ndryshon nga ana strukturore me emrin thyesë.
KOMENT: Në të vërtetë, sipas rregullash tashma të vendosura të një Shqipeje të Përbashkët, nga fjala ‘thýesë’ do të duhej me bjerrë ‘ë’-në dhe jo e kundërta që fjalës ‘thýez’ t’i vihet një ‘-ë’, sepse të dyja vijnë mbas një dyzanoreje ‘ýe’ në të cilën theksi bjen mbi ‘-ý’ e jo mbi ‘-e’ (si psh. te fjala ‘tryéz/ë, ~a’). Kështu që do të duhej me dalë pa –ë si te emrat e tipit e kryer/e kryera apo te foljet, kur kemi një dyzanore me theks në zanoren e parë, –ë-ja nuk vihet: (na) duam dhe jo duamë; (ata) duan dhe jo duanë; (por (na) hamë, (ata) hanë). Me këtë propozim, që të birret ë-ja në këtë pozicion, kanë dalë edhe A. Dhrimo e R. Memushaj (në FDGjSh 2011).
PIKA 15: Disa emra që vijnë nga dialekti gegë dhe i mungojnë toskërishtes, të shkruhen ashtu si në gegërishte, duke respektuar udhëzimin e Kongresit të Drejtshkrimit që fjalët me burim dialektor të shkruhen ashtu siç i ka dialekti nga i cili janë marrë. Fjalë të tilla janë: plëng, që duhet të shkruhet plang, shtatzënë që duhet të shkruhet shtatzanë, zhgjëndërr, që duhet të shkruhet zgjandërr.
KOMENT: Ky vendim i Këshillit (dhe i Kongresit të Drejtshkrimit por që s’asht respektu) se një fjalë duhet me u shkru tue marrë për bazë nga vjen asht stërhollim jo shumë i domosdoshëm kur flitet për një Shqipe të Përbashkët! Do të duhej me gjetë klasa e rregulla sa ma të përgjithshme që përshtaten me sistemin e një gjuhe standarde si tërësi. Si munet m’iu thënë një shkruesi shqiptar që tashmë asht familjarizu me trajtën ‘plëng’ dhe ‘shtatzënë’ me u kthy e me e shkru ‘plang’ e ‘shtatzanë’?
Shumë fjalë të huaja në shqip merren dhe përshtaten në shqip. Pse të mos përshtaten edhe vetë fjalët dialektore nëse struktura e përgjithshme e sistemit lejon dhe kërkon një gjë të këtillë? Te fjalët ‘shtatzënë’ dhe ‘zhgjëndërr’ kjo duket krejt e qartë tue qenë se pjesorja ‘zënë’ dhe emri ‘ëndërr’ janë pranu si trajta standarde. Një përdoruesi të gjuhës nuk i intereson aq shumë origjina e fjalëve, sa përshtatshmëria me tërësinë e sistemit dhe ana praktike e tyre. Poende, trajta ‘zhgjëndërr’ më duket pak e rëndë për shqiptim dhe një trajtë tjetër ma e lehtë dhe në përdorim mjaft të gjërë asht trajta ‘zhgëndërr’.
B – Për drejtshkrimin e bashkëtingëlloreve
PIKA 1: Mbiemrat e formuar nga folje që mbarojnë me -i- të theksuar, si: i pishëm, i dishëm, të shkruhen pa sonanten -j-, meqenëse tema e tyre është pjesorja pi, di. Shkrimi me bashkëtingëlloren –j, që del në disa shkrime të gegërishtes (i dijshëm, i dijtun, me dijtë), është i vjetruar.
KOMENT: Qysh del nga shtjellimi i kësaj rregulle duket se prapashtesa mbiemrore –shëm iu shtoka vetëm pjesoreve të foljeve. Asht e vërtetë që pjesoret zënë pjesën ma të madhe të klasës mbiemrore me prapashtesë –shëm, por një numër jo i vogël ndërtohen edhe prej temash të emrave të cilat i japin një kuptim tjetër prej temave të foljes, psh.:
a) ‘i afrishëm’ nga emri ‘afri, ~a’, (në F1980 me kuptimin ‘1. Lidhje gjaku ose lidhje tjetër e ngushtë familjare, farefisni. Lidhje afrie. Ka afri me dikë. 2. Ngjashmëri e madhe ose përputhje në tiparet kryesore. Afri klasore (ideologjike). Afria e mendimeve (e qëndrimeve). Ka afri me një tjetër. 3. gjuh. Lidhje e afërt, ngjashmëri që buron nga prejardhja e përbashkët. Afri gjuhësh. Lidhje afrie. 4. përmb. bised. Të afërmit, farefisi. U mblodh afria.’ dhe
b) ‘i afrueshëm‘ nga pjesorja ‘afrue’ e gegërishtes (me kuptimin ‘1. Që tregohet i afërt dhe i përzemërt me të tjerët, i shoqërueshëm. Fëmijë (djalë) i afrueshëm. I afrueshëm me të gjithë. 2. bised. Që është i këndshëm në të pirë, i dashur (për pijet). Verë (raki) e afrueshme.’ Kështu edhe mbiemri ‘i dijshëm’ vjen nga tema emrore ‘dij-(e)’ me zërin në fjalor ‘1. Që ka dije e njohuri të thella, i ditur, i mençur. Njeri i dijshëm. Vajzë (grua) e dijshme. 2. Përd. em. sipas kuptimit të mbiemrit.’)
c) ‘i afërsishëm’ nga emri ‘afërsi’ + ‘shëm’ (në F1980: mb. shih PËRAFËRT (i,e). Në mënyrë të afërsishme.)
Vendimi që mbiemri ‘i dijshëm’ me u bë ‘i dishëm’ edhe sikur të kishte pasë zanafillën nga pjesorja e foljes ‘di’ do të kishte pasë pasoja edhe ma të mëdha se kaq. Kjo vjen prej vendimeve arbitrare të vitit 1972. Le ta shohim rastin e këtyre foljeve që, megjithëse me çdo klasifikim morfologjik i takojnë një klase, për to zbatohen tri rregulla të ndryshme. Trajta e foljeve ‘di(j)’, ‘arrij’, dalin ‘di-dita-ditur’, ‘arrij-arrita-arritur’ (këtu hyjnë edhe foljet ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, e ‘mërij’) dhe ‘zdërvij–zdërvijta–zdërvijtur’. Nga folja ‘di(j)’ sipas FGjSSh 1980 asht heqë ‘j’-ja në fund të foljes dhe ka dalë ‘di-dita-ditur’; për foljet ‘arrij’, ‘bredhërij’, ‘mbërrij’, ‘mërij’ asht leju ‘j’-ja në sikohën tashmore (‘kohë e tashme’) por ajo bjen në trajtat e thjeshtores (‘e kryer e thjeshtë’) dhe pjesores tue dalë si ‘arrita-arritur’, ‘bredhërita-bredhëritur’, ‘mbërrita-mbërritur’ dhe ‘mërita-mëritur’! Ndërsa te folja ‘zdërvij’ asht rujtë ‘j’-ja në të gjitha trajtat kryesore sikohore të foljes: ‘zdërvijta-zdërvijtur’! Pse ka ndodhë kjo? Askush s’e din. Asht punë arbitrariteti dhe e nuhatjes së ‘shqiptimit të përgjithshëm’. Kjo tregon mungesën e pamjes së përgjithshme të normalizuesve të gjuhës shqipe për rregullsinë e morfologjisë së saj. Janë rreth 21 folje sipas modelit të foljes ‘zdërvij’, katër sipas modelit të foljes ‘arrij’ dhe folja ‘di’ mbetet unike në paradigmën e vet! Të gjitha këto folje kanë mujtë me hy në një paradigmë, në atë të foljes ‘zdërvij’ dhe me përbë kështu një klasë të vetme vetëm tue rujtë ‘-j’-në në të shkruar në të gjitha rastet. Arsyeja pse sonantja ‘j’ bjen në foljet që ndjekin paradigmën e foljes ‘arrij’ asht se vjen mbas zanores ‘i’ dhe si pasojë nuk dëgjohet krejt qartë te shumë folës. Por, këtu kemi të bëjmë me normalizimin e gjuhës së shkruar prandej duhet të ndiqet, sa ma shumë që asht e mundur, vija e rregullave paradigmatike. Edhe te folja ‘vij’ e kemi rastin e njëjtë kur sonantja ‘-j’ vjen mbas zanores ‘-i-’ dhe po të vërehet me kujdes as në këtë rast nuk dëgjohet sonantja ‘-j’. Shumica e shqiptarëve e shqiptojnë si ‘vi’ por rregulla për me shkru asht ‘vij’. Një detyrë e domosdoshme e Këshillit asht me pasë kujdes që përjashtime prej rregullash me pasë sa ma pak. Heqja e ‘-j’ te mbiemrat ‘i dijshëm’ dhe ‘i pijshëm’ nuk kish me ndihmu në këtë vijë sepse disa inkoseguenca në këtë klasë, tue ndjekë rregullën e temës, vazhdojnë me u reflektu edhe në folje të tjera. Një mbiemër tjetër shkruhet ‘i rrejshëm’ dhe jo qysh e lyp rregulla tematike që don me ndjekë Këshilli, ‘i rrejt-shëm’; ashtu qysh i kemi mbiemrat prejpjesorë të kësaj klase foljore: ‘i bujt-shëm’, ‘i luajt-shëm’, ‘i mbajt–shëm’, ‘i urrejt-shëm’! Masandej kemi ‘i mbërri-shëm’ e jo ‘i mbërrit-shëm’ dhe ‘i praj-shëm’ e jo ‘i prajt-shëm’! Të gjitha dështime të vendimeve të vitit 1972.
Një problem tjetër që nuk vihet re prej Këshillit asht se foljet ‘pi’ dhe ‘di’ nuk janë folje të një klase. Trajtat përfaqësuese të foljes ‘pi’ sipas F1980 janë ‘pi-piva-pirë’ ndërsa të foljes ‘di’ janë ‘di-dita-ditur’. Derisa Këshilli ndjek rregullën se mbiemrat e këtillë ardhkan prej pjesoresh atëherë temat e tyre dalin të ndryshme. Folja ‘di’ del ‘dit-ur’ ndërsa folja ‘pi’ del ‘pi-rë’. Edhe sipas rregullës që ndjek vetë Këshilli, trajtat e mbiemrit do të duhej të ishin ‘i pishëm’ por ‘i ditshëm’ e jo ‘i dishëm’ (me kuptimin që jepet në F1980 ‘i ditur’). Aty ku pikëtakohen këta dy mbiemra asht trajta emrore ‘dij-e’ dhe ‘pij-e’ tue dhënë kështu trajtat e mbiemrave ‘i dij-shëm’ dhe ‘i pij-shëm’. Nga një lloj i këtillë kemi edhe ‘i hijshëm’ që vjen nga ‘hij-e’, ‘i nyjshëm’ nga ‘nyj-ë’, ‘i shijshëm’ nga ‘shij-e’ kështu edhe ‘i dijshëm’ vjen nga ‘dij-e’ dhe ‘i pijshëm’ vjen nga ‘pij-e’.
Problemi hapet edhe ma shumë. ‘I pishëm’ dhe ‘i pijshëm’ për një gegë ka edhe dallime të holla kuptimore. ‘Vëllai foli si me qenë i pîshëm’ domethënë foli ‘si me qenë i dehur’ sepse vjen prej pjesores ‘(me) pi’ ndërsa ‘Ky ujë asht i pijshëm’ domethënë ‘ky ujë mun me u pi’ dhe vjen prej emrit ‘pije’. Ky asht si dallimi në mes të mbiemrit ‘i nderueshëm’ (pjesorja ‘nderue’ dhe prapashtesa ‘-shëm’) dhe ‘i ndershëm’ (emri ‘nder’ + ‘-shëm’). Në këtë vijë ballafaqimi: ‘i begatueshëm – i begatshëm’, ‘i shijueshëm – i shijshëm’, ‘i dhunueshëm – i dhunshëm’ etj. Kështu edhe ‘i di(t)shëm’ dhe ‘i dijshëm’.
Pasojat e këtij vendimi vazhdojnë me u pa edhe ma tutje te mbiemri ‘i vetëdijshëm’. Qysh ka me u bë zgjidhja? A asht ndërtimi ‘vetë’ + ‘dije’ (temë emrore) apo ‘vetë’ + ‘di’ (temë foljore)? Dhe mbiemri a ka me u shkru ‘i vetëdishëm’ apo ‘i vetëdijshëm’?
PIKA 4: Mbiemri shtronjar për “zvarritës” e emri shtronjare për “shtrojë e butë” duhet të shkruhen shtrojar e shtrojare, meqenëse të dyja kanë si burim foljen shtroj.
KOMENT: Ky vendim asht i drejtë sepse merr parasysh sistemin e përgjithshëm por si do të bëhet me fjalën ‘punonjës’, a do të shkruhet ‘punojës’ sepse vjen nga folja ‘punoj’? Po ashtu ‘shkronjë’ a do të bëhet ‘shkrojë’? Kjo nuk asht thënë dhe len hapësirë për hutesë. Po me fjalët: agjëronjë, barkonjë, biskonjë, budallonjë, buronjë, cjaponjë, dëllinjë, (i) farfurinjtë, gabonjë, vezullonjë, vigunjë, xixëllonjë, zgërbonjë, zgjonjë etj., si do të bëhet?
PIKA 10: Emri zhongler, në mbështetje të përdorimit më të përgjithshëm, të shkruhet xhongler (nga ang. jongleur).
KOMENT: Fjala jongleur në shqip, sikurse në anglisht, ka ardhë prej frëngjishtes. Shkon me ‘ambalazh’, ‘imazh’ (dhe jo ‘imixh’), ‘ekuipazh’ etj. Nuk mendoj se asht ide e mirë me ndërru trajtat e huazimeve të këtilla, të cilat tashma janë ngulitë në gjuhën shqipe, sa herë që shfaqen ndikime të reja kulturore prej kulturash të ndryshme.
(2014)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1PbtP6s