Gjykata Kushtetuese e ka ndalu nji ndryshim të propozuem të kushtetutës së Kosovës, i cili kish me ua nda 40 përqind të posteve të ministrave e zavendësministrave njanës gjini. Ndër tjerash, gjyqtarët vlersuen se ndryshimi do t’i shkelte të drejtat e njeriut dhe frymën demokratike të ligjit më të naltë të vendit.
Sado të rreptë, pleqnarët në Pejton nuk e kan keq. Sepse barazia nuk arrihet tue kriju pasqyrë të rreme të barazisë.
Tashpërtash, ligji parasheh që 30 përqind t’antarëve të Kuvendit dhe t’asambleve të komunave të jenë të njanës gjini. Ky parim ua ka mundësu ma shum vajzave e grave me u zgjedhë n’organet ligjvenëse. Por shpesh kjo zgjedhje u ba sapërsyefaqe.
30-përqindëshi po e damton demokracinë. Po i damton vajzat e gratë. Na kemi nji sistem politik ku sundojnë shefat e partive dhe sundojnë rajonet prej nga vijnë ata shefa. Kuota për gratë thjesht po e forcon qat sistem.
Për me nxitë pjesëmarrjen e njimendtë të vajzave e grave në demokraci, na vyn nji sistem i ri i zgjedhjeve.
(Për kët qëllim e pata nisë vjet peticionin për ndryshimin e Kushtetutës dhe i pata hartu projektin për ndryshimet. Disa nga këto ndryshime i kam parapa gjithashtu në Projekt-kushtetutën për Dardaninë.)
Së pari, vota duhet me iu njehë kandidatit, e jo partisë. Kjo kish me paku pushtetin e kryepartiakëve të korruptuem, të cilët i hartojnë listat zgjedhore. Gjithashtu, kish me iu dhanë ma tepër hapsinë qytetarëve të ndershëm, të të dy gjinive, me u kandidu. (Për rrezikun e partikracisë kam shkru edhe ma heret, dhe kam ba thirrje për zgjedhje jopartiake.)
Së dyti, truellin e vendit duhet me nda në disa vise zgjedhore. Secili vis pastaj me i zgjedhë nga disa përfaqësues të vet. Kështu zvoglohet ndikimi i tepruem krahinor, përfaqësuesit iu tuten ma fort qytetarëve, dhe vajzat e gratë kan ma shum hapsinë me vepru në tanë vendin.
(Shih shkrimet e mia për reformën zgjedhore: Shtatë ndryshime të domosdoshme dhe Ndryshimi i sistemit zgjedhor për demokraci të njëmendtë.)
Dhe së treti, nëse vijon me qenë e nevojshme, çfarëdo kuote që mund ta vendosim për me iu ndihmu vajzave e grave, duhet me mbetë në dorë të tyne — jo të koxhabashave të partive. Unë besoj se ka zgjidhje, veç duhet me e kërku!
Qe, p.sh., asnji antare e partisë ma të madhe nuk ka fitu ulse Kuvendi në zgjedhjet e mbrame pa përfitu prej kuotizimit. Njana prej tyne ishte e respektuemja Dr. Flora Brovina, kryesuese e rastësishme që e shkeli kushtetutën tue mos pranu me thirrë me kohë mbledhjen e parë t’organit ligjvënës.
Sistemi e shpërbleu shefin e partisë me deputete ma të ndigjueshme, ndërsa i ndëshkoi kandidatët që kishin ma shum vota prej popullit. A s’do ish ma mirë me e pas ndëshku partinë që s’ka kriju hapsinë për vajzat e gratë?
Si thue, ta zamë, sikur 30 përqind të votave të PDK-së t’iu jepeshin partive tjera simbas suksesit të kandidateve të tyne? Ose sikur t’i lejshim deputetet e zgjedhuna pa kuotizim me emnu kolege të veta derisa sa të dy gjinitë të baheshin fifti-fifti?
(Nji mundësi të ngjashme e kam shqyrtu në kët shkrim: Gratë dhe reforma zgjedhore.)
Në zgjidhjen time ideale, vota s’kish me iu njoftë kurrë partisë. Por thelbi besoj se asht i qartë: ta nxisim (qoftë dhe tue shpërbly) punën që vajzat e gratë nuk i njeh si krenë bagtie, por si ortakë në bashkësundim.
Përndryshe, sado me u mundu me ndihmu, na rrezikojmë me sjellë vetëm dam. Dhe brezat që do të vijnë nuk kan me na besu se ne s’e kemi pasë për t’iu ba keq vajzave e grave.
Vetë historia na mëson se ilaçet ligjore që duen me mbrojtë dikend nuk vijnë pa efekt ansor. Na shqiptarët e kemi provu këte në shtatin tonë. Ligji ynë dikur ishte prindënor ndaj vajzave e grave.
«Grueja e prifti nuk biejn në gjak», thoshte zakoni që ndalonte vrasjen e grues për gjakmarrje. Kanuni i Lekë Dukagjinit (simbas Gjeçovit), § 897. Kur nji vajzë mbetej pa babë e pa vllazën, Kanuni ua caktonte kusherijve për detyrë me i mundësu strehim dhe «me i a bajtë kujdesin per kah vesha e mbatha». § 99.
Por ky kujdes, sado dashamirës të ketë qenë n’at kohë, vajzave e grave shqiptare nuk u solli ndonji të mirë n’afat të gjatë. Na nuk duhet ta përsërisim nji gabim të tillë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=1343