Ua bëra miqve një kuiz drejtshkrimi në Instagram. Shumica u përgjigj «gabim».
Pyetje 1: Drejtshkrim?
(A) Një magar sa dy zyrtar — 7,5 %
(B) Një magar sa dy zyrtarë — 30 %
(C) Një magarë sa dy zyrtarë — 6,25 %
(D) Një gomarë sa dy zyrtarë — 56,25 %
Përgjigjja e saktë: (B)
Pyetje 2: Drejtshkrim?
(A) Të rinjtë s’janë seriozë — 27,06 %
(B) Të rinjët s’janë serioz — 25,88 %
(C) Të rinjtë s’janë serioz — 35,29 %
(D) Të rinjët s’jan serioz — 11,76 %
Përgjigjja e saktë: (A)
Pyetje 3: Drejtshkrim?
(A) Me pas miq të mirë — 15,94 %
(B) Për të patur miqë të mirë — 4,35 %
(C) Për të pasur miqë të mirë — 36,23 %
(D) Me pasë miq të mirë — 43,48 %
Përgjigjja e saktë: (D)
Ka kohë që e përsëris se drejtshkrimi nuk është gjëja ma e rëndësishme për me shkru mirë. (Në këtë postim, vetë po shkoj kundër «rregullave zyrtare» që i ka caktu Kongresi i Drejtshkrimit i 1972-s, dhe po e ndjek ma fort traditën letrare dhe mënyrën si e përdorim sot shqipen.)
Por përgjigjet që mora dëftojnë probleme ma të thella: si e sa e mësojmë shqipen në shkollë, sa lexojmë, si mendojmë për gjuhën dhe shqiptarët.
Pyetjet qenë të përgjithshme. Ato prekin rregullat e drejtshkrimit pa marrë parasysh dialektin a varietetin letrar. Këto rregulla janë përsosë gjatë shekujsh shkrimi të shqipes dhe janë kodifiku që 100 vjet. Pra, miqtë e mi nuk patën me zgjedhë mes Shqipnisë (gegnisht) e Shqipërisë (toskërisht), që pastaj të arsyetoheshin me dialektin e tyre, por mes opsioneve të sakta e të gabuara që dallojnë qartë si Shqipria a Shçipria dhe Shqipëria.
Sot shqipja shkruhet në shumë varietete. Mbizotëron varieteti standard, me bazë toskërishten, që u vendos në Shqipërinë Londinare pas Luftës së Dytë Botërore dhe u sanksionu përfundimisht më 1972. Deri më 1969, në vise shqiptare është përdorë standardi i vjetër, i mbështetur në të folmen e Elbasanit, një gegnishte jugore që tingëllon toskërisht. Shumë shkrues ende e ndjekin traditën shkodrane të gegnishtes veriperëndimore, dhe mjaft kosovarë shkrujnë me dromca të dardanishtes apo gegnishtes verilindore.
Disa, siç po bëj unë në këtë postim, shkrujnë në një lloj standardi të përshtatur, që po e qujnë shqipe e përbashkët ose neostandard. Ka dhe tradita letrare toske e arbëreshe. (Shkrimi i folur, në rrjete shoqërore e mesazhe private, nuk llogaritet traditë letrare.)
Por të gjitha këto varietete kanë një alfabet dhe disa parime themelore të drejtshkrimit. Pyetjet e mia përqendrohet në ato parime.
Kuizi në Instagram nuk është ndonjë sondazh i mprehtë shkencor, por i konfirmon matjet që i bëj përditë me sy të lirë, veçmas ndër kosovarë, të cilët përbëjnë shumicën e shoqërisë sime. Qe ku ia huq shumica në secilën pyetje.
Pyetja 1
Kjo është tricky question. Se në njërën anë, teston a dimë me e formu shumësin e emrave magar e zyrtar, e në anën tjetër, na huton me zgjedhjen e fjalëve.
Plot kosovarë mendojnë — gabimisht — se veç katundarët thonë magar, dhe se s’bën kurrqysh me e shkru këtë fjalë. (Në libra del edhe si magjar.) Vërtet ajo nuk e gëzon prestigjin e sinonimit gomar, por unë kam pyetë për drejtshkrim, jo për zgjedhje të fjalëve. (Mu ndoshta më pëlqen ma fort fjala arbëreshe gajdhur a ghajdhur, veçse s’jam në pozitë me ia imponu askujt.)
Gjasshëm, shumica habiten me germën ë. Mendojnë se kur e qet një ë në fund të fjalës, zanorja para ë-së zgjatet. Por ky është përgjithësim me shumë përjashtime.
Parimisht, shqipja e shkruar nuk i shënon zanoret e gjata. Varieteti i sotëm standard nuk i përfill fare. Por edhe rregullat e dikurshme sugjerojnë me e shënu gjatësinë vetëm në raste të caktuara. Gegët njëmend i zgjatin zanoret para ë-së, mirëpo jo gjithmonë.
Qe, për shembull, një prishtinas i shqipton njëlloj frazat tregues institucional dhe tregues institucionalë. Fraza e parë është njëjës (njâjës): një/nji tregues institucional; e dyta shumës: dy/shum(ë) tregues(a) institucionalë.
Gjithashtu, dardanishtja (apo gegnishtja verilindore) nuk e ndërron shqiptimin kur flasin për (një) shqiptar dhe (dy) shqiptarë. A-ja në ato raste është e gjatë, por jo për shkak të ë-së.
Në raste të tjera, shumë të folme të shqipes e veçojnë shumësit me -a në vend të ë-së standarde: dy studenta (për dy studentë), dy doktora (për dy doktorë).
Për me ditë qysh me shkru sakt një fjalë, vlen me e këqyrë Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, që e boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Botimi i mbramë i 2006-s ndodhet në rrjet në fjalorthi.com. Të metat i ka të panumërta, por është pikënisje e mirë dhe referenca ma e plotë për shqipen.
Fjalori zakonisht e tregon njëjësin dhe shumësin e emrit kësisoj: gomar,-ë,-ët. Kështu dihet se shumësi bëhet duke e shtu një -ë, kurse trajta e shquar e shumësit lyp -ët.
Gjithashtu, kryn punë libri me rregullat e drejtshkrimit 1972, që është botu më 1973 (Tiranë) e 1974 (Prishtinë). Dashamirët e gjuhës e kanë digjitizu këtë libër dhe e kanë nxjerrë në www.drejtshkrimi.info. (Çuditërisht, nuk hapet pa www.)
Veçmas në lidhje me pyetjen 1, shih:
- Fjala zyrtar në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Fjala gomar në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Fjala magjar në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Rregulla 40 e drejtshkrimit 1972, për shumësin e emrave
- Rregulla të tjera të drejtshkrimit 1972 për shumësin e emrave dhe mbiemrave
- Rregulla B.I.17 e drejtshkrimit 1964 (standardi i vjetër)
Pyetja 2
Edhe kjo pyetje na teston për shumësin. Shumësi i emrave mashkullorë shpesh merr ë në fund, edhe nëse kjo ë nuk e ndërron shqiptimin: një njeri serioz pra bëhet dy njerëz seriozë.
Por ka shumë përjashtime. Një i ri bëhet dy të rij (geg.) ose dy të rinj (tosk.). Këtu ë-ja fundore mund të ketë qenë e pranishme dikur, por është ngjitë me n-në dhe ka dhënë nj. Prandaj, nuk shkruhet rinjë–rinjët, e as thonjë–thonjët ose gishtërinjë–gishtërinjët. Këto janë stërkorrigjime që i bën një gegë kur mundohet me komuniku toskërisht.
Ngjashëm ndodh me emrat që në njëjës mbarojnë me k ose g e në shumës me q e gj: mik–miq e zog–zogj. Edhe këtu k-ja ose g-ja asht ngjitë me ë-në dhe ka dhanë q ose gj.
Traditat letrare dallojnë në mënyrën si i shkrujnë këta emra në trajtën e shquar të shumësit. Varieteti standard thotë: rinjtë, thonjtë, gishtërinjtë, miqtë, zogjtë. Kështu e rujnë një ë mbas t-së, që dikur e kanë pasë edhe emrat tjerë: shqipëtarëtë (sot shqiptarët) e burratë (sot burrat). Traditat tjera lejojnë me e bjerrë ë-në në fund: rijt, thojt, miqt, zogjt (por gishtat). Këtë ta thonë ma së miri ata që rrinë në Miqt Pub në Prishtinë.
Ka shumë emra tjerë që s’ndryshojnë fare nga njëjësi në shumës: një mësues bëhet dy mësues. Në do raste, nëse na duhet patjetër me e dallu shumësin, mund t’ua shtojmë një -a (jostandarde): dy mësuesa. Kështu kanë bë përkthyesit e programit WordPress, me të cilin e mbajmë këtë sajt, për me e dallu një përdorues nga disa përdoruesa.
Për ma shumë, shih:
- Fjala ri në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Fjala serioz në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Rregulla 40 e drejtshkrimit 1972, për shumësin e emrave
- Rregulla të tjera të drejtshkrimit 1972 për shumësin e emrave dhe mbiemrave
- Rregulla A.I.2, pika 18, e drejtshkrimit 1964 (standardi i vjetër), për ë-në fundore
Pyetja 3
E thashë ma sipër, shkruhet miq, jo miqë. Por shkruhet edhe me pasë, jo me pas.
Në shkollë nuk na e mësojnë paskajoren: me folë, me shku(e), me punu, me dashtë. Na mësojnë për qëllimoren (për të folur, për të shkuar, për të punuar, për të dashur), që gabimisht e qujnë paskajore. Andaj dhe s’kemi faj që s’dimë si me e shkru. As kemi faj që e përbuzim shpeshherë, se kështu na e kanë ngulitë në krye tash e mbi gjysmë shekulli, ani pse është e pazëvendësueshme.
Përgjigjet që miqtë e mi i kanë dhanë në këtë pyetje shpërfaqin këto dy probleme: që s’dimë me e shkru paskajoren ose që s’guxojmë me e përdorë.
Literatura nuk na ndihmon gjithaq. Rregullat që kanë dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit 1972 e shpërfillin paskajoren. Kurse Fjalori i Akademisë jep shpjegim dhe shembuj të kufizuar: «pjesë e paskajores së gegërishtes (p.sh.: me pasë; me ardhë; me folë etj.)».
Udhëzimet e standardit të vjetër e prekin paskajoren tërthorazi. Për shembull, rregullat e Komisisë Letrare Shqipe, botu më 1917, radhitin një listë fjalësh, ku foljet jepen me paskajore: me mbajtë, me mbjellë, kuvendue, me lëkundë, me ndrydhë, me pandehë. Ngjashëm, rregullat e miratueme në Prishtinë më 1964 përmendin foljet me pasë, me qenë, me pritë.
Veçse kudo vërejmë që paskajorja del me zanore në fund: rëndom e ose ë. Përjashtim mund të bëjë folja me hangër; të tjerat lypin zanore. Kohëve të fundit, po e largojmë e-në fundore aty ku nuk e shqiptojmë: e shkrujmë me punu, në vend se me punue, që na tingëllon e vjetruar. Por edhe në këtë rast, paskajorja mbaron me zanore.
Paskajorja përbëhet prej pjesëzës me dhe pjesores së foljes: me + pjesore. Toskërisht pjesorja del me -ur ose -uar në fund: punuar, pasur. Paskajorja e lyp pjesoren e shkurtë, por me zanore: me punu(e), me pasë.
Ë-ja ka vlerë. Flen me atë sikur-rregullën që e zgjat zanoren paraprake, por edhe e dallon paskajoren prej trajtave tjera.
Microsoft Wordi ndodh që pjesoren pasë të na e nënvizojë si gabim, duke na sugjeru me e zëvendësu me pas. Por këtu e ka gabim kompjuteri, aq sa dhe shkolla që nuk na e ka mësu shqipen ashtu siç është. Nuk është njëlloj si me e pasë mikun në zemër si me e lënë pas.
Shih:
- Ma shumë për paskajoren dhe pjesoren
- Fjala me në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Fjala mik në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Fjala pas në Fjalorin e Akademisë (2006)
- Rregulla § 11 e drejtshkrimit 1917 (standardi i vjetër), që përmend disa fjalë në paskajore
- Rregulla B.VI.1 e drejtshkrimit 1964 (standardi i vjetër), që u referohet foljeve në paskajore
Opsionet: Çka me bë?
Mos me iu përzi shqiptarëve. Ata që merren me gabime drejtshkrimore — po thonë do psikologë — janë puçërr në prapanicë dhe nuk kanë ndojsend ma të mençme me përmendë. Njëmend, duhet me u marrë me përmbajtjen, ma fort se me trajtën. Por drejtshkrimi ka me pasë vlerë për gjuhën aq kohë sa të ketë vlerë krehri për flokët, dhe njerëzit kanë me vazhdu me pyetë se si shkruhet ndonjë fjalë, edhe nëse nuk ka rëndësi se qysh.
Gjuhëtari që merret me këtë punë tani mund të bëhet preskriptiv ose parashkrues, përcaktues: me thënë se duhet kështu ose ashtu, tue përcaktu rregulla siç ia merr mendja. Por mund të jetë dhe deskriptiv ose përshkrues: me tregu qysh po e shkrujnë shqipen shqiptarët, pa e ngatërru me tekat e veta.
Ka shumë arsye me qenë thjesht përshkrues. Gjuhën dhe rregullat e saj i ka kriju populli shumë kohë para se me pasë gjuhëtarë. Edhe gjuhëtarët nuk mujnë me parapa çdo nevojë e çdo imtësi të përdorimit të gjuhës.
Por nganjëherë, do rregulla na ndihmojnë. Të paktën na ndërgjegjësojnë për gjuhën. Na e shpejtojnë leximin dhe na mbrojnë prej hutimeve. Na lehtësojnë me e gjetë një material në internet duke e shkru sakt fjalën kyçe. Na mënjanojnë dykuptimësitë e absurditetet, ose thjesht përshtypjen e mosdijes.
Andaj, ia vlen me i qartësu rregullat me qasje të baraspeshuara — sa duke përcaktu ato aq dhe tue e përshkru përdorimin. Pastaj na mbetet neve nëse do të shkrujmë kështu ose ashtu.
Me ndreqë arsimin. Shkollat lypset të na mësojnë të vërtetën: shqipja nuk shkruhet gjithmonë ashtu siç shqiptohet; e as shqiptohet gjithmonë ashtu siç shkruhet. Këtu vjen në shprehje puna e ë-së dhe halli i zanores së zgjatur dhe shumësit të emrave.
Duhet me na e mësu shqipen ashtu siç është. Fjala kerr mund të mos e ketë namin e veturës, por është fjalë shqipe. Kur asnjë libër shkolle nuk na dëfton se shkruhet me rr, nuk është çudi që nesër ta shkrujmë në disa trajta: ker, kerr, car, etj. Ose ta humbin këtë fjalë dhe ngadalë të gjithë gjuhën shqipe.
Duhet me kuptu se ë-ja dhe toskërishtja nuk na bëjnë ma të mençëm. Tue shkru gishtërinjtë, na tregojmë që s’i dimë rregullat dhe në letër qesim diçka krejt të panatyrshme. Nëse e shkrujmë gishtat, i ndjekim saktë rregullat e drejtshkrimit, por dhe gjuhën e thjeshtë të popullit. Shihe dhe fjalorin.
Me i thjeshtu rregullat. Rregullat e shqipes standarde lypin me i ndreqë. Por na nuk mujmë me pritë një profet që do ta organizojë një kongres të ri drejtshkrimi për ta zgjidhë këtë problem. Zgjidhjen e kemi në dorë vetë.
Shqipja standarde lehtë bëhet shqipe gjithëpërfshirëse që rahaton shumëçka. Bëhet shqipe e përbashkët. Thjesht, duhet me e pranu pjesoren e shkurtë (kam punu) krahas të gjatës (kam punuar). Dhe kështu do ta kemi sistemi edhe paskajoren (me punu), por edhe fjalët që nuk shkojnë pa paskajore (p.sh., themi natyrshëm «nuk bën me rrejtë», por jo «nuk bën të rresh»).
Të nesërmen mund shohim ndryshime edhe ma të thella. Mbase do ta rishikonim edhe shumësin e emrave me arsyetimin e thjeshtë: nëse nuk e dallojmë në të folur, pse ta dallojmë në shkrim? Atëherë, do mund të shkruhej: një shqiptar, dy shqiptar.
Por thelbi sërish asht me e pranu shqipen pa ngurrim. Me shkru shkurt e shqip, që i bjen në gjuhë të thjeshtë të popullit. Dhe si parim themelor me e kuptu se gjuha e shkruar nuk ka pse të dallojë nga e folura pa ndonjë arsye të fortë.
(Për ma shumë rreth shkrimit shkurt e shqip, shih këtu.)
Është goxha vështirë. Se për një gjuhë me kaq laramani sa shqipja, shkruesi i ngjason babës e të birit që marrin udhë me gomar dhe ngado që kalojnë mbeten të sharë. Edhe me i ndjekë me përpikëri rregullat e drejtshkrimit shqip, dikush ka me thënë që filani s’po ditka me shkru.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=5935